TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia12 Dhjetor 2025, 10:26

Vajzat e luksit/ Si Instagrami dhe avionët privatë çojnë SPAK-un te paratë e kokainës

Shkruar nga Pamfleti

Pas presionit amerikan për goditjen e bosëve të trafikut ndërkombëtar të drogës, hetimet janë zhvendosur nga ngarkesat te paratë dhe stili i jetesës. SPAK po ndjek ekspozimin e luksit në Instagram, udhëtimet me avion privat dhe mallrat me vlera ekstreme për të zbuluar pasurinë e pajustifikuar. Vajza të lidhura me figura politike dhe trafikantë ndërkombëtarë kanë rënë në lupën e agjentëve, ndërsa rrjetet sociale po shërbejnë si burim prove financiare në dosjet e reja kundër trafikut dhe pastrimit të parave...

Vajzat e luksit/ Si Instagrami dhe avionët privatë çojnë
Foto ilustruese

Pas një urdhri të drejtpërdrejtë të administratës amerikane për të intensifikuar luftën kundër bosëve të trafikut ndërkombëtar të drogës, agjencitë ligjzbatuese kanë ndryshuar mënyrën se si ndërtojnë dosjet penale. Hetimi nuk ndalet më vetëm te droga, rrugët e saj dhe komunikimet e koduara, por shtrihet te paratë, te mënyra se si ato shpenzohen dhe te ekspozimi publik i luksit që nuk mbështetet nga burime të ligjshme.

DEA, FBI dhe strukturat financiare amerikane kanë shtyrë partnerët europianë, të përdorin në mënyrë sistematike analizën e stilit të jetesës si mjet hetimor. Kjo qasje ka gjetur zbatim edhe në Shqipëri, ku SPAK ka integruar gjithnjë e më shumë elementë të analizës financiare dhe të dhënave të hapura në hetimet për trafik droge dhe pastrim parash. Rrjetet sociale, veçanërisht Instagrami, janë kthyer në burim informacioni që ndihmon në ndërtimin e profileve reale të pasurisë kriminale.

Bosët e trafikut shmangin ekspozimin publik. Ata nuk shfaqen, nuk postojnë dhe nuk deklarojnë asgjë. Në vend të tyre, ekspozimi vjen nga rrethi i ngushtë shoqëror, kryesisht nga persona që shfaqin një standard jetese ekstremisht të lartë pa aktivitet ekonomik të njohur. Këto profile u lejojnë hetuesve të rindërtojnë lëvizjet, kontaktet dhe nivelin real të shpenzimeve që lidhen me kapitalin kriminal.

Sipas informacioneve që ka siguruar Pamfleti, kjo metodë është përdorur edhe në hetimin ndaj organizatës kriminale ku përfshiheshin vëllezërit Artur dhe Klevis Hoxhosmani, të dy të dyshuar për trafik ndërkombëtar kokaine nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian dhe Britanisë së Madhe. Përveç provave klasike penale, hetimi ka përfshirë edhe analizën e stilit të jetesës së personave të lidhur ngushtë me ta.

Në këtë kontekst del edhe rasti i Kejda Ajazit, vajza e ish-ministres dhe ish-deputetes Majlinda Bregu, e lidhur sentimentalish me Klevis Hoxhosmanin. Ajazi kishte ekspozuar publikisht një jetë luksoze nga Dubai në Monaco, duke shfaqur udhëtime të shpeshta, ambiente elitare, makina me vlerë rreth 500 mijë euro dhe mallra luksi si çanta “Hermes Birkin”. Hetimi nuk e trajton ekspozimin e luksit si fenomen mediatik apo moral por si indicie financiare.

Sipas informacioneve të siguruara nga Pamfleti, hetimet nuk ndalen me kaq dhe përfshijnë edhe elementë konkretë lëvizjeje që kanë tërhequr vëmendjen e agjentëve. Një tjetër vajzë, e bija e një ish-deputeteje të Kuvendit të Shqipërisë, aktualisht e vendosur në Dubai, ka hyrë në fokus për shkak të ekspozimit të vazhdueshëm të luksit në rrjete sociale, ku shfaq çanta me vlera dhjetëra mijëra euro, ora luksoze dhe makina që kapin shifra shumë të larta, pa asnjë aktivitet ekonomik të njohur që të justifikojë këtë standard jetese. Krahas këtyre elementëve, hetuesit kanë vënë re edhe lëvizje të përsëritura me avion privat, një detaj që sipas burimeve të Pamfletit ka rezultuar vendimtar për intensifikimin e gjurmimit, pasi ky nivel mobiliteti nuk shfaqej në profilet e tjera të lidhura me trafikantë të njohur dhe krijonte një disproporcion edhe më të thellë mes shpenzimeve dhe burimeve të deklaruara.

Burimet tregojnë se kjo vajzë po hetohet për shkak të dyshimeve të forta se bashkëjeton me një trafikant ndërkombëtar droge, një emër i panjohur për publikun shqiptar, por i dokumentuar në mënyrë të përsëritur në dosje sekrete që vijnë nga partnerët ndërkombëtarë pranë SPAK. Hetimi fokusohet te lidhja mes ekspozimit të luksit, përdorimit të avionëve privatë dhe flukseve të mundshme të parave që burojnë nga aktivitet kriminal ndërkombëtar, duke e trajtuar këtë kombinim si indikator të qartë të pasurisë së pajustifikuar.

Këto raste tregojnë se strategjia ka ndryshuar rrënjësisht. Hetuesit nuk presin më gabime teknike nga bosët e trafikut dhe nuk kufizohen te përgjimet apo komunikimet e koduara. Ata ndjekin pasurinë, rrethin social, mënyrën e lëvizjes dhe ekspozimin publik të luksit. Instagrami nuk shërben më si mjet imazhi por si burim prove financiare. Në këtë luftë, jeta e luksit nuk përfaqëson sukses por sinjalizon hetim... /Pamfleti

 

vajzat e luksit spak instagram parate e kokaines

1 Komente

  1. A
    Arti

    Ndiq parane. ;)

    Lini një Përgjigje