Investitorët strategjikë të qeverisë Rama pasi vodhën fondet dhe morën lekët kanë braktisur punimet prej 12.5 milionë eurosh për rrugën e Lurës.
Lajmi që u denoncua nga Pamfleti dy vite më parë, është konfirmuar dje edhe nga deputetja, Elda Hoti që deklaroi se nënkontraktori Skënder Bokçiu me kompaninë e tij ‘Arifaj’ ka braktisur punimet për ndërtimin e rrugës së Lurës, e cila parashikohej të mbyllej në vitin 2023.
Sipas Hotit, fondet që duhej të përdoreshin për ndërtimin e kësaj rruge dhe zhvillimin e zonës, kanë ikur te investitorët strategjikë të qeverisë.
“Një projekt i premtuar vite më parë, i promovuar me bujë nga Kryeministri, sot qëndron i bllokuar, i harruar dhe pa asnjë shpresë për realizim. Projekti për rikonstruksionin e rrugës Perlat -Fushë Lurë- Arrëz, me vlerë 12.5 mil euro, zhvilluar nga Fondi shqiptar i Zhvillimit është një kontratë kryekëput korruptive. Punimet kanë filluar që në 2022 dhe kanë mbetur pezull.”, theksoi ajo.
Hoti tha se nënkontraktori ka braktisur punimet, ndërsa deklaron se kontraktori bullgar në faqen zyrtare deklaron se kontrata e 23 shkurtit 2022, lidhur me FSHZH, ka nisur në mars 2023 dhe do përfundonte në mars 2024.
“Ndërkohë, paratë janë lëvruar, sepse kontraktori vetëm si likuidim TVSH-je ka marrë 7 këste pagesash për këtë kontratë me vlerë 681 mijë euro. Fondi u vodh dhe mirditorët e dibranët mbetën pa rrugë”, u shpreh deputetja Hoti.
Ju rikujtojmë se për ndërtimin e rrugës së Lurës, një nga mrekullitë natyrore në Ballkan, Edi Rama dhe drejtorët e tij të babëzitur, nuk gjetën dot një kompani serioze dhe me integritet. Tenderin për rrugën e Lurës e fitoi një nga hajdutët më të sprovuar dhe të certifikuar në fushën e prokurimeve publike.
Bëhet fjalë për Skënder Bokçiu, i cili qëndron pas kompanisë së korrupsionit ‘Arifaj’, me veprimtari në fushën e ndërtimit. Kompania ‘Arifaj’ është paracaktuar për të fituar tenderin e rrugës nga kreu i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, një nga drejtorët më të korruptuar në Shqipëri.
Skënder Bokçiu është një personazh i skeduar, i certifikuar dhe i dënuar për korrupsion me tenderat, për vjedhje të fondeve publike, korruptim të zyrtarëve publikë, si sekser, dallaveraxhi dhe si një person që nuk mëson dhe nuk rehabilitohet nga dënimet.
Skënder Bokçiu është arrestuar dhe dënuar më parë bashkë me Nikolin Jakën, për ryshfet dhe korrupsion, me rrugën Has-Qafë Prushi.
Bokçiu bëri burgun dhe nisi sërish avazin. Në vitin 2014, Skënder Bokçiu u arrestua dhe u dënua sërish, tani si pjesë e një skeme organizuar, për vjedhjen e buxhetit të shtetit me rimbursimin e TVSH.
Skënder Bokçiu u shpall fajtor si pjesë e një grupi prej 20 hajdutësh, të cilët me skemën mashtruese të TVSH, grabitën 2.5 milionë euro para publike. Ai doli nga burgu për herë të dytë dhe nisi sërish avazin, por këtë herë duke u fshehur pas gruas së tij, Rezarta Bokçiu.
Kur u mbyll në burg për herë të parë për korrupsion me tendera, Skënder Bokçiu vendosi t’ja kalojë kompaninë e ndërtimit gruas së tij, Rezarta Bikçiu, e cila edhe sot figuron pronare në letra e ‘Arifaj’.
Zonja nuk ka asnjë lidhje me biznesin, por mban një vulë në dorë dhe firmos dokumentet që i thonë.
Pas daljes së dytë nga burgu, Skënder Bokçiu vijoi avazin e vjetër, si sekser dhe duke korruptuar zyrtarë të lartë, veprimtari e cila reflektohet edhe në tenderat e dyshimtë me vlerë dhjetëra milionë euro që ka marrë kompania e tij.
Edi Rama ka gjetur pikërisht këtë personazh, duke i besuar ndërtimin e rrugës së Lurës, projekt të cilin ka nisur ta reklamojë në linjat propagandistike të Rilindjes.
Ka dyshime të forta se kompania ‘Arifaj’ ka paraqitur letra false pasi nuk plotëson kriteret teknike të tenderit, ndërsa ka nisur që tani ndarja e parave. / Pamfleti
Lini një Përgjigje