5 përfaqësues të OLAF në datën 15 shkurt kanë zbarkuar befas në zyrat e AZHBR dhe kanë njoftuar se do të kryejnë auditim. Ata kanë sekuestruar dosje, kompjutera dhe madje celularë...
Zbulohet e vërteta si Bashkimi Europian zbuloi abuzimet me fondet që shkonin në Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural. Edhe pse ministrja Frida Krifca tenton të justifikojë se nuk janë ndërprerë fondet, por po bëhen verifikime, në fakt e vërteta është shumë ndryshe.
Duke folur sot në Kuvend, Krifca tha vetëm një të vërtetë. Ajo pranoi se përfaqësuesit e Zyrës Europiane Kundër Mashtrimit (OLAF) në vitin 2021 kanë kryer një auditim në AZHBR. Ministrja u shpreh se raportin nuk e kanë marrë kurrë, por aty janë gjetur çudira dhe dosja ka shkuar direkt në SPAK.
Por çfarë ka ndodhur realisht? Një burim konfidencial i “Pamfletit”, ka treguar se çfarë ka ndodhur në shkurt të vitit 2021.
5 përfaqësues të OLAF në datën 15 shkurt 2021 kanë zbarkuar befas në zyrat e AZHBR dhe kanë njoftuar se do të kryejnë auditim. Ata kanë sekuestruar dosje, kompjutera dhe madje celularë, kjo pasi ka pasur shumë denoncime në adresë të tyre se kishte abuzime me fondet. Ata kanë qendruar aty deri në datën 19 shkurt dhe kanë shqyrtuar çdo dokument, file dhe të dhëna sa i takon shpërndarjes së fondeve IPARD.
Dyshimet kryesore në atë kohë drejtoheshin mbi stafin e zyrës juridike dhe asaj të auditimit. Madje, ata kanë marrë në pyeteje në mënyrë zyrtare dhe jo zyrtare shumë punonjës të AZHBR, mbi informacionet që kishin për denoncime që fermerë të ndryshëm kanë bërë në lidhje me 15-20 % të vlerave të disbursuara të skemave IPARD që pretendohej se u janë kërkuar/paguar funksionarëve të lartë në AZHBR.
Ata kanë pasur një listë me rreth 50 subjekte përfituese dhe sipas tyre të konfirmuara, por të mbajtura sekret sepse abuzuesit konsideroheshin si punonjës me mbështetje dhe lidhje shumë të forta politike.
Punonjësit u pyetën sidomos edhe për raportet politike të drejtorisë juridike, dhe asaj të auditimit me drejtoreshën e asaj kohe Frida Krifca, sot ministre e Bujqësisë. Informacioni i siguruar, nga punonjësit, si dhe ai i disa punonjësve të larguar nga puna disa kohë më parë, mbi lidhjet dhe funksionimin e skemës, ka qenë shumë i dobishëm për të kuptuar më mirë rrethanat. Ata zbuluan se ishin shumë individë dhe agjenci që ishin kthyer në ndërmjetës për të marrë shërbimet e AZHBR. Nëse kthehemi pak javë më pas, një vajzë u arrestua sepse u kishte zhvatur biznesmenëve dhe fermerëve shuma të mëdha parash duke premtuar fonde nga AZHBR.
Pra OLAF ka dëshmi, dokumente, e-maile dhe çdo gjë tjetër që tregon se çdo fond është dhënë në mënyrë klienteliste dhe janë miliona e miliona të vjedhura. Sipas burimeve, dosja ndodhet në SPAK dhe mbetet të shihet nëse kjo prokurori do të shkojë te ministrja “luleshtrydhe”. /Pamfleti
Lini një Përgjigje