
Përveç faktit që ka përlarë fonde publike duke përdorur emrin e ish- ministrit të Brendshëm; Eral Myftaraj vazhdon të përdorë dokumente false edhe pas rikthimit në tenderët publik, konstatuar kjo në 56 raste, por Agjencia e Prokurimit Publik dhe institucionet që bëjnë tenderët, nuk e kallëzojnë në SPAK...
Në komunitetin e biznesit e dinë të gjithë, që prototipi ekzemplar i punëve të pista, Eral Myftaraj, ka fituar 50 milionë Euro tenderë, si ortak i ish-ministrit Bledar Çuçi me 2 nga 4 kompanitë e tij, konkretisht 45 milionë Euro me firmën “Meteo Sh.p.k” dhe 5 milionë Euro me firmën “AL-MEXWOOD Sh.p.k”.
Në zyrat e ministrive, drejtorive, agjencive shtetërore dhe të bashkive, kanë dëgjuar që biznesmeni Eral Myftaraj flet në emër të Bledi Çuçit dhe në prezencë të tyre bisedon me ish- ministrin, për t’i bindur që janë ortakë bashkë, siç bënte dhe në prezencë të kriminelëve.
Por një vendim i Drejtorisë Juridike të Agjencisë së Prokurimeve Publike, provon faktin, se Eral Myftaraj, duke folur në emrin e ish-ministrit Bledar Çuci, në tenderë ka përdorur edhe dokumente false të tatimeve, doganave, sigurimeve, Drejtorisë së Transportit Rrugor etj.
Me Vendim nr. 81, datë 16.11.2021 të Agjencisë së Prokurimeve Publike, firma “Meteo Sh.p.k” e Eral Myftarajt është përjashtuar për 2 vite nga tenderët shtetëror, mbasi pas hetimit të kryer, rezultoi se kishte e paraqitur 100% dokumente false në tenderin me objekt: “Mirëmbajtje e rrugëve Vlorë- Peshkëpi- Selenicë-Vllahinë- Poçem- Povël- Levan, me vlerë 1.7 milionë Euro.

Pavarësisht se paraqiti letra false të vërtetuara, komisioni i tenderit të Drejtorisë së Rrugëve, ia dha tenderin firmës “Meteo Sh.p.k”, por pas kallëzimit të garuesve të tjerë në SPAK e APP, tenderi iu hoq me Vendim nr. 263/2021, datë 08.06.2021 të Komisionit të Prokurimit Publik.
Mirëpo SPAK e la në heshtje. Agjencia e Prokurimit Publik, shkeli hapur ligjin, duke mos e çuar në SPAK, vendimin e përjashtimit të falsifikatorit Eral Myftaraj dhe zyrtarët e Drejtorisë së Rrugëve që i dhanë tenderin 1.7 milionë Euro me letra false.
Me letra false e miratim të Bledar Çuçit si ish-ministër i Pushtetit Lokal në vitin 2014, Eral Myftaraj mori dhe koncesionin 35-vjeçar falas të fidanishtes shtetërore 10 mijë m2 në Cërrik, ku sipas agjencive anti-krim, kultivon e shet fidanë kanabisi.
Në vijim, do publikojmë një skandal me përmbajtje krim shtetëror, që ortakët Bledar Çuçi dhe Eral Myftaraj, kanë bërë me firmën e tyre “Albanian Archives Sh.p.k”./Pamfleti
Lini një Përgjigje