Detyra e policisë, nuk është të bllokojë rrugët, por të mos lejojë bllokimin e tyre; gjë të cilën, krye polici Ilir Proda duhet ta garantojë, siç e përcakton ligji për rendin dhe sigurinë publike.

Nuk dihet nëse kryepolici i Shqipërisë do t’i bindet ligjit apo Bablokut që e emëroi drejtor, ndërsa misioni dhe finalja e kësaj proteste, e mbiquajtur “Revolucioni i Tetorit”, është prova e fundit, për besueshmërinë e demokratëve ndaj betimeve të Sali Berishës, se do t’i marrë pushtetin Edi Ramës...
Më 7 tetor, katër ditë pas marrjes së detyrës si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda do ballafaqohet me organizimin dhe menaxhimin e strukturave të policisë, për përballjen me protestën e PD në Tiranë.
Prej ditës kur e shpalli këtë protestë, Sali Berisha ka deklaruar se kjo do jetë revolta e mos-bindjes civile, me bllokim të çdo rruge të Tiranës e më pas në krejt vendin, pa tërheqje deri në largimin e Edi Ramës nga pushteti.
Mediat e PD, thonë se më 7 tetor nuk do bëhet rituali si në protestat e organizuara çdo 6 muaj, nga 2 orë me grumbullim militantësh, parulla, fjalime, molotovë te kryeministria, spektakël me drita celularësh, largim të turmës në shtëpi e darkë të udhëheqësve për fitoren e ëndërruar.
Ky paralajmërim, ka vënë në lëvizje Policinë e Shtetit, që ka njoftuar qytetarët, se për shkak të protestës së PD do bllokojë qarkullimin në pothuajse të gjitha rrugët e qytetit të Tiranës, çuditërisht, më parë se ato t’i bllokojnë militantët e PD.
Detyra e policisë, nuk është të bllokojë rrugët, por të mos lejojë bllokimin e tyre; gjë të cilën, krye polici Ilir Proda duhet ta garantojë, me skemë organizimi e masa paraprake që përcakton ligji për rendin dhe sigurinë publike.
Në këtë aspekt, protesta e PD, është prova e parë e aftësisë së krye policit Ilir Proda, për të përballuar detyrimet që ka në situata të tilla, pavarësisht se drejtuesit e strukturave, janë ata që kanë qenë në 12 vitet e drejtorëve paraardhës të tij.
Deri tani, Ilir Proda ka organizuar përballje të protestave me dajak, të 40-50 banorëve që u janë prishur banesat në Tiranë e Elbasan, të fermerëve të mollëve, patateve e qepëve në Korçë, të punëtorëve të kromit në Bulqizë e të ndonjë grupi militantësh të PD që kanë djegur goma
Por nuk ka qenë asnjëherë, drejtues i operacioneve të krejt strukturave të Policisë së Shtetit, përballë protestës partiake të PD, të organizuar, financuar dhe dirigjuar, nga një familje mafioze e klaneve të saj, të harbuar për pushtet dhe të egërsuar prej përballjes me drejtësinë.
Sipas rezultatit të konkursit për drejtor policie dhe deklaratës së Ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha, nuk ka dyshim, që krye polici Ilir Proda i ka aftësitë të drejtojë në çdo situatë grumbullimi e manifestimi turmash, që tentojnë të bllokojnë rrugët e të krijojnë kaos.
Por pyetja që bëhet për krye policin Ilir Proda, lidhur me protestën, është kjo: - A do t’i bindet ligjit apo Bablokut që e emëroi drejtor e duhet të zbatojë urdhrat e tij?
Sepse shteti e qytetarët, nuk kanë nevojë për një “Rrumbullak” tjetër në krye të policisë, por për një drejtues policie, që të mos jetë “kobure” në dorën e shefit të qeverisë e partisë në pushtet.
Ndërsa misioni dhe finalja e kësaj proteste të quajtur “Revolucioni i Tetorit”, është prova e fundit, për besueshmërinë e demokratëve ndaj betimeve të Sali Berishës, se do t’i marrë pushtetin Edi Ramës./Pamfleti
Lini një Përgjigje