
Ministri i Financave, Petrit Malaj, tha se shtesa në buxhet është bërë për rehabilitimin e sistemit të furnizimit me ujë në qendrat e banuara, ndërsa fakti tregon, se ato do përdoren për zonat bregdetare në komplekset ku kanë vilat agallarët e politikës e drejtësisë...
Në daljen e tij të parë publike pas mbledhjes së qeverisë më 28 gusht, Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi, se për rehabilitimin e sistemit të furnizimit me ujë në qendrat e banuara, janë shtuar 20 milionë Euro nga buxheti i vitit 2024.
Në fakt, alokimi i këtij fondi shtesë, është bërë para mbledhjes së qeverisë e futur në zbatim që në muajin korrik, duke ia kaluar për tenderim Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës- Kanalizimeve, ndërsa ndarjen për zonat e investimit në furnizimin me ujë e ka bërë kryeministri Edi Rama.
Një javë para deklarimit të shtesës buxhetore 20 milionë Euro, është njoftuar se 12% e këtij fondi, pra, vlera 2.4 milionë Euro me TVSH, do investohet në zonën qendrore të vilave në Lalz, ose siç quhet, “Fshati turistik i politikanëve, pushtetarëve e zyrtarëve hajdutë dhe shefave të korruptuar të policisë e drejtësisë”.
Tani që përfunduan pushimet verore, kreministri Edi Rama, urdhëroi të rehabilitohet rrjeti i furnizimit me ujë në bllokun qëndror 1/2/3 të vilave në Lalz, që rezulton se janë 174 vilat e qeveritarëve të lartë si Sali Berisha, Ilir Meta dhe të ministrave, deputetëve, prokurorëve, gjyqtarëve, krye policëve e kryebashkiakëve.
Siç duket, për shkak të shtimit të numrit vilave, restoranteve e resorteve, këtyre u është pakësuar sasia e ujit dhe i kanë kërkuar Bablokut, ndërhyrje me investim shtesë, si garanci për furnizimin me ujë për pushimet verore të vitit 2025.
Tenderi 2.4 milionë Euro, për rikonstruksionin e rrjetit të ujësjellësit në grup-blloqet e ku kanë vilat agallarët e politikës, pushtetit e drejtësisë, dëshmon se Babloku ua plotësoi kërkesën, që të kenë ujë të bollshëm e pa ndërprerje.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, tha se shtesa në buxhet është bërë për rehabilitimin e sistemit të furnizimit me ujë në qendrat e banuara, ndërsa fakti tregon, se ato do përdoren për zonat bregdetare në komplekset ku kanë vilat agallarët e politikës, pushtetit e drejtësisë.
Edhe Lalzi është zonë e banuar, por vetëm në stinën e verës dhe në fundjava e për festa private të pushtetarëve; ndërsa në shumë qendra banimi nuk ka fare ujë; madje dhe në Vlorë e Sarandë, ku familjet furnizohen vetëm 1 deri në 2 orë në ditë./Pamfleti
Lini një Përgjigje