Skenari i bllokimit të komisionit hetimor nga deputetët e PS, është urdhër i Bablokut e Ilir Beqjes, për të cilët ka indicie, se kanë marrë pjesën e tyre në këtë koncesion me vlerë 130 milionë Euro, 70 milionë prej të cilave janë paguar me lista emërore e numër analizash false...
Më 21 korrik 2024, përfundon afati 4 mujor i Komisionit Hetimor për koncesionet shëndetësore të Check-up dhe Sterilizimit të Pajisjeve Kirurgjikale me vlerë totale 230 milionë Euro; të cilët, Edi Rama e Ilir Beqja, ia kanë dhënë cigare-shitëses Vilma Nushi e suvaxhiut Ilir Rrapaj.
Gjatë 3 muajve veprimtari të këtij komisioni hetimor, të drejtuar nga PD, por me shumicë socialiste, mbledhjet janë bojkotuar nga anëtarët e mazhorancës; por edhe kur janë bërë, ato janë braktisur nga anëtarët e PS, ose këta kanë penguar me debate e kaos të qëllimshëm.
Deri tani, komisioni ka marrë në pyetje vetëm 1 zyrtar të KLSH, i cili ka drejtuar grupin e auditimit të koncesionit të Check-up, por dëshmia e tij u ndërpre nga komisionerët e PS, kur ai publikoi falsifikimet e Vilma Nushit, me mbi 400 mijë analiza të pa kryera e të paguara.
Acarimi i komisionerëve të PS, kaloi në ekstrem, me braktisje të mbledhjes, kur audituesi i KLSH, publikoi fakte që vërtetonin, se mashtrimet e Vilma Nushit ishin paguar nga Fondi Kujdesit Shëndetësor me lista e fatura false, por dhe me dokumente, që vërtetuan së koncesioni ishte dhënë në shkelje të ligjit nga kryeministri Edi Rama e ish-ministri Ilir Beqja.
Në 3 muaj, komisioni hetimor i Check-up nuk ka mundur të mbarojë as procedurën e pyetjes së 1 dëshmitari, kur në vendimin e e datës 25 mars 2024, ishte vendosur që më 10 qershor 2024 të kishte përfunduar pyetja e 16 dëshmitarëve dhe kalimi në hartimin e relacionit deri më 21 korrik.
Por komisionerët deputetë të PS, mes tyre dhe Milva Ekonomi që ka firmosur dy kontratat e Check-up e Sterlizimit të pajisjeve kirurgjikale, po zbatojnë skenarin e Bablokut, që të mos merren në pyetje dëshmitarët, mbasi në listë janë dhe Edi Rama, Ilir Beqja, Ogerta Manastirliu, Geraldina Prodani, Anila Denaj e koncesionarja Vilma Nushi.
Skema për dështimin e komisionit hetimor parlamentar të Check-up, është e aq e dukshme dhe e dalë boje, sa deputetët e PS nuk shkuan në mbledhjen e datës 19 qershor, me justifikimin se kishin shkuar në Gjermani për të ndjekur ndeshjet e ekipit kombëtar.
Qëllimi është, që ky hetim të mos përfundojë brenda afatit 21 korrik, ndërsa pas pushimeve verore, edhe nëse parlamenti të vendosë zgjatjen e afatit me 4 muaj të tjerë, do vazhdojë bllokimi deri në dhjetor, kur sipas Kushtetutës nuk lejohen komisione hetimore 4 muaj para zgjedhjeve, por përfundon dhe afati 1- vjeçar i koncesionit Check-up.
Mjafton kaq, për të kuptuar se qeveria dhe parlamenti, kanë rënë në gjunjë para Vilma Nushit, e cila përveç koncesionit të Check-up me vlerë 130 milionë Euro, ka marrë dhe 210 milionë Euro tenderë gjatë 10 viteve pushtet të PS.
Skenari i bllokimit të komisionit nga deputetët e PS, është urdhër i Bablokut e Ilir Beqjes, për të cilët ka indicie, se kanë marrë pjesën e tyre në këtë koncesion me vlerë 130 milionë Euro; 70 milionë Euro prej të cilave, janë paguar me lista emërore e numër analizash false./Pamfleti
Lini një Përgjigje