TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia 7 Prill 2024, 18:49

Nga plepist në “Sheik”/ Historia e Gjin Gjonit, miliarderit që Berisha e bëri kryetar partie; si ju shmang vetingut dhe i shpëtoi drejtësisë

Shkruar nga Pamfleti
Nga plepist në “Sheik”/ Historia e Gjin Gjonit, miliarderit
Berisha dhe Gjin Gjoni

Nga padia e ILDKP për fshehje të mbi 2 milionë eurove pasuri, te mbyllja e hetimeve, dorëheqja para vetingut dhe deklarimet pasurore prej sheiku, ja kush është Gjin Gjoni...

Nga veteriner, në miliarder dhe tani “politikan”. E kemi fjalën për Gjin Gjonin, një personazh kontrovers të drejtësisë shqiptare, i cili tani ka vendosur t’i futet politikës. Grupi i Sali Berishës e ka zgjedhur atë kryetar të degës së PD në Lezhë. Duhet theksuar se në zgjedhjet e kaluara u tentua të futej emri i tij në listën e kandidatëve për deputetë, por ishte ambasada e SHBA që e bllokoi. Basha e dëgjoi ambasadën, teksa Berisha ka vendosur t'i sfidojë. Por kush është Gjin Gjoni?

Ai është arsimuar në Universitetin Bujqësor të Tiranës, dega Veterinari, fakt të cilin e ka zhdukur në të gjitha jetëshkrimet e tij.

Në vitin 1993, Gjin Gjoni bën një kurs disamujor në Durrës, i quajtur kursi i ‘Plepave’ dhe katapultohet në sistemin e drejtësisë shqiptare. Pa një diplomë juristi, Gjin Gjoni u ngjit me shpejtësi në nivelet më të larta të drejtësisë shqiptare.

Gjin Gjoni nga data 04.06.2013 deri në fund të vitit 2018, ishte anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, organit më të lartë të drejtësisë për emërimin, shkarkimin, vlerësimin dhe masat disiplinore të gjyqtarëve në Shqipëri. Pra, deri kur KLD u shkri për shkak të reformës në drejtësi, Gjin Gjoni, ishte pjesë e çetës që kontrollonte gjyqtarët, përmes emërimit dhe ndëshkimit të tyre në rast nevoje. Por kur erdhi puna të përballej me Vetingun, ai u tregua frikacak. Sapo u njoh me akte e KPK dha doheqjen, pasi pasuria e tij kapte shifra të frikshme.

Padia e ILDKP

Nga i pastrehë në 2003, në 2014 pasuria e deklaruar e Gjin Gjonit shkon mbi 1 milionë USD. Po gjatë vitit 2014, Gjin Gjoni u kallëzua penalisht nga ILDKPI për deklarim të rremë, falsifikim të dokumenteve, pastrim të produkteve të veprës penale etj. Sipas ILDKPI, Gjin Gjoni, deri në vitin 2014, kishte fshehur mbi 2 milionë euro pasuri. Përveç të tjerave, sipas ILDKPI, Gjin Gjoni dhe bashkëshortja e tij, Elona Çaushi, vetëm gjatë viteve 2010-2012, kanë blerë një vilë me vlerë 700 mijë euro, dyqan 150 mijë euro dhe apartament 53 200 000 lekë me para të paligjshme. Normalisht, Gjin Gjoni i shpëtoi lehtësisht drejtësisë, pjesë e së cilës ishte vetë. Ai u kujdes që hetimet ndaj tij të mbylleshin dhe me vendim gjykate.

Pasuria

Sipas një studimi të “BIRN” në vitin 2016, Gjin Gjoni ishte mes 10 gjyqtarve më të pasur në vend. Në deklaratën e tij të parë, Gjin Gjoni raportoi në Inspektoratin e Lartë të Pasurisë vetëm të ardhurat e tij nga paga si gjyqtar dhe një automjet “Benz” në emër të vëllait në vlerën e 1.3 milionë lekëve për vitin 2003. Në fund të vitit 2014, pasuria e anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë vlen rreth 162 milionë lekë ose 1.3 milionë dollarë.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se Gjoni ka në fund të vitit 2014 një paketë borxhesh rreth 20 milionë lekë. Pasuria e tij neto në fund të periudhës së deklarimit është 141 milionë lekë ose 1.1 milionë dollarë.

Përgjatë 11 viteve të analizuara, Gjoni ka qenë ortak në tre kompani biznesi, aksionet e të cilave ia ka transferuar bashkëshortes së tij, Elona Çaushi. Në fund të vitit 2014, kjo e fundit ishte pronare e gjashtë kompanive të biznesit, ku vendin kryesor e zë “Albanian Duty Free Distribution” me një kapital prej 25 milionë lekësh sipas Qendrës së Regjistrimit të Bizneseve.

Në 2011, Elona Çaushi, deklaron 120 mijë euro nga zgjidhja e kontratës për një apartament në vitin 2008, por në 2008 nuk e ka deklaruar një gjë të tillë. Çaushi deklaron edhe 180 mijë euro nga shitja e një apartamenti tjetër. Nga kompania deklaron tërheqje borxhi 56 100 euro, rroga e saj 3 816 000 lekë dhe ndarje fitimi 17 299 390.45 lekë ose rreth 150 mijë USD. Gjithashtu, në vitin 2011, Elona Çaushi deklaron blerjen e një apartamenti rreth 480 mijë USD, ndërkaq Gjin Gjoni behet pronar me 50 % në kompanitë "Terra Toscana" dhe "Best By", ku gjysmën tjetër të aksioneve e ka zonja Çaushi.

Në 2012, Elona Çaushi deklaron nga ADFD 41 447 euro rrogë, 220 mijë euro ndarje fitimi dhe 67 180 euro llogari në Strasburg. Ndërkaq, çifti blen edhe një dyqan me sipërfaqe 77, vlera 150 mijë euro. Gjin Gjoni deklaron edhe një kontratë sipërmarrjeje, (pjesë e regjimit martesor, 50 % me 50 % me bashkëshorten), kur thotë se nuk është bërë asnjë pagesë.

Në vitin 2014, deklarojnë 24 mijë euro nga qiratë. Elona Çaushi deklaron nga ADFD tërheqje e dividentit 94 890 euro, tërheqje e dividentit 263 000 euro që i përket vitit 2013 dhe paga 63 000 euro. Pra, vetëm në vitin 2014, Elona Çaushi ka mbledhur nga ADFD 420 mijë euro. Gjatë këtij viti deklarojnë një kontratë sipërmarrje me vlerë 80 mijë euro etj. Në vitin 2015, deklarojnë 22 mijë euro nga qiratë, ndërsa Elona Çaushi deklaron 77 mijë euro pagën në ADFD si dhe 166 mijë euro ndarje fitimi.

Gjin Gjoni dhe Elona Çaushi deklarojë në 2015 një tjetër kontratë sipërmarrjeje me vlerë 100 mijë euro. Në këtë vit, Elona Çaushi i jep borxh kompanisë së saj, ADFD, 130 mijë euro. Pra, i jep borxh vetes me interes. ADFD ia kthen borxhin Elona Çaushi, plus 15 mijë euro interesa. Gjatë kësaj kohë Elona Çaushi vijon t’u japë para borxh me interes kompanive të tjera të saj.

Në vitin 2016, deklarojnë se ka dhënë me qira një lokal, me vlerë 6 mijë euro. Elona Çaushi deklaron nga ADFD 10 402 000 lekë dhe 37 500 euro, si dhe të ardhura nga dividenti 14 457 429 lekë. Elona Çaushi deklaron edhe 2 729 231 lekë. të ardhura nga dividendi i shoqërisë 'Albcos Albanian Cosmetics' sh.p.k. Gjithashtu, në 2016 deklarojnë 411 276 euro të ardhura pas revokimit të kontratës për vilën tek Rolling Hills më dt. 13.05.2016, pjesa takuese 50 % (pjesë e regjimit martesor 50 % me 50 % me bashkëshorten).

Elona Çaushi deklaron gjendje të llogarive dhe depozitave 35 988.27 euro, 4 109 934.6 lekë, 3 173 276.66 lekë, 158 428.28 dollarë, 411 565.3 euro, 6 273.39 euro, 10 597.76 euro. Në vitin 2017, Gjin Gjoni ka shitur makinën Benz Mercedez E Clas, në bashkëpronësi me zonjën Elona Çaushi, me vlerë 40 mijë euro. Zonja Çaushi deklaron disa llogari dhe depozita, me burim nga paga, shpërblime dhe divident nga kompani të ndryshme, konkretisht në vlerat 30 943 470 lekë 10 488 euro, 1 352 472 lekë, 156 778 lekë, 438 814 lekë, 15 mijë euro, 30 mijë euro,  2 466 euro, 47 euro si dhe cash 10 500 euro.

Historia e vilës luksoze

ILDKP pretendonte se Gjin Gjoni, përpos pasurive të tjera, kishte blerë edhe një vilë me vlerë 700 mijë euro në Farkë, në vitin 2012, me burim të dyshimtë.

Në maj të 2014, dosja e bujshme i kaloi Prokurorisë së Elbasanit, e cila regjistroi procedimin penal me nr: 1098 për dy vepra penale: “falsifikim të dokumenteve” dhe “fshehje të pasurisë”.

Gjin Gjoni e bllokoi prokurorinë me disa lëvizje procedurale dhe arriti ta mbyllte çështjen.

Megjithatë, në kuadër procedimit penal, Prokuroria e Elbasanit pyeti Gjin Gjonin dhe Elona Çaushin rreth pretendimeve të ILDKP për pasurinë e tyre.

Sipas dosjes, Gjin Gjoni deklaroi para prokurorit se, së bashku me bashkëshorten kanë realizuar kontratën për blerjen e vilës në Farkë, por më pas e ka anuluar kontratën, pasi nuk ka pasur para për të paguar këstet dhe se nuk i ka pëlqyer çmimi.

Pra, Gjin Gjoni, tha se nuk kishte vilë.

Gjin Gjoni ka pohuar në prokurori ndër të tjera se “Për sa i përket pikës 7 të kallëzimit penal që ILDKPKI pretendon se është deklarim i rremë nuk qëndron, pasi nga ana ime dhe bashkëshortes sime rezulton se është deklaruar kontrata e sipërmarrjes dhe e porosisë me nr. 1416 Rep dhe nr. 167 datë 24.04.2012 sipas deklarimeve të realizuara në deklaratën e pasurisë së vitit 2013… Kontrata me vlerë 700 000 euro është zgjidhur duke u anuluar me kontratën e dytë të lidhur pas saj. Zgjidhja e kontratës është bërë për shkak të mospëlqimit të çmimit”.

Gjin Gjoni e dha dorëheqjen në përfundim të lejes dyvjeçare prindërore që mori nga ish-KLD-ja në vitin 2018, ku ishte anëtar edhe vetë, ndërsa Ilir Meta ishte kryetar.

Në tetor të vitit 2020, Gjin Gjoni regjistroi në QKR studion e avokatisë “G&G LAW FIRM”. Në dokumentet e regjistrimit, ish-gjyqtari deklaron edhe adresën e banimit, që është pikërisht; ‘Rolling Hills’, Vila nr. 69, Farkë, Tiranë.

Nuk marrim përsipër të themi nëse është apo nuk është e njëjta vilë, por ka dyshime të forta se Gjin Gjoni mund të ketë gënjyer prokurorinë në 2014, për t’i shpëtuar përgjegjësisë penale.

Deklarimi pasuror i fundit, viti 2016

-Të ardhura nga paga si gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Tiranë (01.01.2015 - 31.12.2015.), shuma 1 411 938 lekë.

-Të ardhura si shpërblim si anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë (01.01.2015 - 31.12.2015.), shuma 85 000 lekë.

-Të ardhura nga dhënia me qira e një lokali me sip. 117 m2, (01.01.2015 - 30.11.2015.) me pagesë mujore 2 000 për 11 muaj , 16 000 euro. Detyrime të papaguara dhe të prapambetura 6 000 euro.

-Bashkëshortja, Znj. Elona Çaushi, të ardhura nga tërheqja e dividentit që i përket vitit 2014, 22 800 000 lekë ose 166 000 euro.

-Bashkëshortja, Znj. Elona Çaushi, të ardhura nga paga dhe shpërblime si konsulente ekonomike pranë shoqërisë ADFD sh.p.k (01.01.2015 - 31.12.2015.), shuma 10 678 000 lekë ose 77 377 euro.

- Kontratë sipërmarrjeje me bashkëpronar bashkëshorten Znj. Elona Çaushi (të ardhura nga depozitat e mëparshme dhe tërheqja e dividentit nga Elona Çaushi), vlera 100 000 euro.

- Kredi bankare e përbashkët me Znj. Elona Çaushi si bashkëkredimarrëse, marrë më 27.03.2008 me afat 15 vjet. Detyrimi i shlyer, 6 010.04 euro, detyrimi i mbetur pashlyer, 51 176.81 euro.

- Overdraft (Kartë krediti Visa), likuiduar totalisht më 28.01.2015.

- Kartë krediti, kartë e dytë bashkëngjitur kartës primare në emër të Elona Çaushit, mbyllur nga Elona Çaushi.

- Kartë krediti pranë bankës Credins me limit 10 000 euro. Detyrimi i mbetur pashlyer, - 5 147 euro.

- Kredi për blerjen e makinës tip 'Benz Mercedes' e përbashkët me bashkëshorten Znj. Elona Çaushi marrë nga Landeslease sh.a. Është shlyer edhe detyrimi i mbetur prej 5 051.29 eurosh (janë kthyer 2708.19 euro pra ka mbetur si likuidim shuma 3028 euro) dhe makina ka kaluar në pronësi të deklaruesit Gjin Gjoni dhe bashkëshortes së tij Znj. Elona Çaushi.

- Gjendja e llogarisë bankare, të ardhura nga qiraja e lokalit, 4 013 euro.

- Gjendja e llogarisë bankare, të ardhura nga rroga dhe shpërblime, 26 995 lekë.

- Bashkëshortja, Znj. Elona Çaushi, pronare me 100 % e shoqërisë "Albania Duty Free Distribution" sh.p.k zotërim pasiv të kuotave të saj me person të besuar në administrim, ndryshuar ekstrakti në QKR më 01.06.2015.

- Bashkëshortja, Znj. Elona Çaushi, pronare me 100 % e shoqërisë "Bio Gourmet' sh.p.k zotërim pasiv të kuotave të saj me person të besuar në administrim, ndryshuar ekstrakti në QKR më 01.06.2015.

- Bashkëshortja, Znj. Elona Çaushi, pronare me 100 % e shoqërisë "Prestige Group" sh.pk zotërim pasiv të kuotave të saj me person të besuar në administrim, ndryshuar ekstrakti në QKR më 01.06.2015.

- Bashkëshortja, Znj. Elona Çaushi, pronare me 100 % e shoqërisë "Best Buy Drug Store" sh.p.k zotërim pasiv i kuotave të saj me person të besuar në administrim, ndryshuar ekstrakti në QKR më 01.06.2015.

- Bashkëshortja, Znj. Elona Çaushi, pronare me 100 % e shoqërisë "Albcos" sh.p.k zotërim pasiv të kuotave të saj me person të besuar në administrim, ndryshuar ekstrakti në QKR më 01.06.2015.

- Bashkëshortja, Znj. Elona Çaushi, pronare me 100 % e shoqërisë "Vintage Neë and Second Hand" sh.p.k zotërim pasiv të kuotave të saj me person të besuar në administrim, ndryshuar ekstrakti në QKR më 01.06.2015.

- Bashkëshortja, Znj. Elona Çaushi, gjendja e depozitës bankare, 155 390 dollarë. Të ardhurat janë nga depozita e mëparshme pranë të njëjtës bankë por kanë kaluar nga euro në dollarë.

- Bashkëshortja, Znj. Elona Çaushi, gjendja e depozitës bankare, 1 870 841 lekë.

- Bashkëshortja, Znj. Elona Çaushi, gjendja e llogarisë bankare, 47 262.51 euro.

- Bashkëshortja, Znj. Elona Çaushi, gjendja e llogarisë bankare, 833 516.66 lekë.

- Bashkëshortja, Znj. Elona Çaushi, dhënie në formën e obligacioneve të 22 000 000 lekëve (rreth 165 000 euro) sipas kontratës dt. 17.11.2015 me afat maturimi deri 31.12.2017. Burimi i të ardhurave është nga dividenti dhe depozitat bankare. Kësti i përfituar 212 598 lekë.

- Bashkëshortja, Znj. Elona Çaushi i ka dhënë borxh kompanisë "Albania Duty Free Distribution" sh.p.k sipas kontratës dt. 26.02.2015 deri më 26.12.2015 shumën 130 000 euro me normë interesi 1.2 %. Kjo shumë prej 130 000 eurosh është kthyer plotësisht plus 15 000 euro interesa.

- Bashkëshortja, Znj. Elona Çaushi i ka dhënë borxh shoqërisë "Prestige Group" sh.p.k, 1 300 euro pa interes.

- Bashkëshortja, Znj. Elona Çaushi i ka dhënë borxh shoqërisë "Albania Duty Free Distribution" sh.p.k, 1 000 000 lekë pa interes të cilat janë shlyer më 31.12.2015.

- Bashkëshortja, Znj. Elona Çaushi, donacion për aksident, 500 euro.

- Bashkëshortja, Znj. Elona Çaushi i ka kaluar një fond babait në shumën 200 000 lekë.

- Bashkëshortja, Znj. Elona Çaushi, depozitës bankare, pakësim 27 824.8 euro, gjendja 22 183.2 euro.

- Bashkëshortja, Znj. Elona Çaushi, kartë bankare, overdraft.

- Bashkëshortja, Znj. Elona Çaushi, kartë bankare, overdraft gjendja e të cilës më 31.12.2015 është - 12 229 euro.

- Bashkëshortja, Znj. Elona Çaushi, gjendja e llogarisë bankare, 27.41 euro.

- Bashkëshortja, Znj. Elona Çaushi, likuidim dhe mbyllje e kartës së kreditit Visa Cassic.

- Bashkëshortja, Znj. Elona Çaushi, gjendja e llogarisë bankare 0 lekë pas tërheqjes së shumës 12 132 euro ndërkohë që llogaria është mbyllur.

- Bashkëshortja, Znj. Elona Çaushi, gjendja e llogarisë bankare, 0.09 euro. Bashkëshortja, Znj. Elona Çaushi, 0 lekë pas tërheqjes së shumës 363 171 lekë ndërkohë që llogaria është mbyllur.

- Bashkëshortja, Znj. Elona Çaushi, gjendja e llogarisë bankare 52.09 lekë.

- Bashkëshortja, Znj. Elona Çaushi, gjendja e llogarisë bankare 33.51 euro.

- Gjendja cash, 10 000 euro.

- Bashkëshortja, Znj. Elona Çaushi, kontratë huaje me një person tjetër dt. 17.09.2007 dhe 22.04.2008 vetëm kthim principali siç është rënë dakord. Detyrimi i shlyer, 9 000 euro, detyrimi i mbetur pashlyer, 151 400 euro.

- Bashkëshortja, Znj. Elona Çaushi, pagesë për rimbursim shëndeti, 823 euro.

- Bashkëshortja, Znj. Elona Çaushi, pagesë për rimbursim VAT, 1 272 euro. /Pamfleti

gjin gjoni berisha sheik

Lini një Përgjigje