TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia 9 Nëntor 2023, 21:01

Neni 5 i pazarit për refugjatët: rrugë e hapur për paratë e zeza, kokainën dhe armatimin e mafies italo-shqiptare

Shkruar nga Pamfleti
Neni 5 i pazarit për refugjatët: rrugë e hapur për
Pakti Rama-Meloni

Giorgia Meloni, kryeministre e Italisë, ka rënë dakord me Edi Ramën, kryeministrin e Shqipërisë, që nën maskën e ndërtimit të kampit dhe trajtimit të refugjatëve afrikanë në Lezhë, të fusin në Shqipëri vlera monetare e mallra pa kontroll...

Marrëveshja e fshehtë personale, që kryeministri Edi Rama bëri me kryeministren italiane Giorgia Meloni, për të sjellë refugjatët afrikanë në Shqipëri, nuk ka vetëm rrezikun e pasojave sociale-kriminale, cenimin e sigurisë kombëtare prej tyre, që pa asnjë diskutim do shpërthejnë.

Por brenda saj, kryeministrat Rama e Meloni, kanë ligjëruar krijimin e një terreni të lirë për aktivitetet e grupeve mafioze në pastrim parash, trafikim droge, armësh e kontrabandë pa kontroll.

Në Nenin nr. 5, Pika 5 të marrëveshjes Rama-Meloni, thuhet: “Për nevojat e ndërtimit e menaxhimit të strukturave të përmendura në nenin 4, autoritetet kompetente të palës italiane përjashtohen nga kufizimet, ose kontrollet e monedhës dhe mund të transferojnë lirisht monedha, pavarësisht përcaktimeve penguese ligjore në Shqipëri”.

Në Shqipëri është ligji Antimafia, ligji për Sigurinë Kombëtare, Marrëveshja me FBI dhe EUROPOL të shtatorit 2021 në zbatim të Udhrit të Presidentit Joe Biden, si dhe 3 ligje kundër pastrimit të parave, që detyrojnë kontrollin e detajuar të qarkullimit monetar ndërshtetëror.

Ky pazar i firmosur nga kryeministri Edi Rama, është rrugë e hapur plotësisht, që në Shqipëri të futen e pastrohen, ose të kalojnë tranzit, miliona Euro të mafies italiane e nëpërmjet saj të grupeve mafioze të vendeve të tjera, si dhe milionat e trafikantëve shqiptarë e italianë.

Ndërsa në Pikën 6, thuhet: “Pala shqiptare, angazhohet të lehtësojë kryerjen e praktikave doganore për materialet dhe pajisjet e kërkuara nga pala italiane, me qëllim realizimin e veprimtarive sipas këtij protokolli”.

Referuar ligjit doganor shqiptar dhe atij të BE, me termin “Lehtësim të praktikave doganore”, kuptohet kalimi i mallrave pa kontroll në skaner, pa kontroll fizik e policor dhe pa kontroll doganor, por kjo lejohet vetëm për mallrat ushtarake, sekret i lartë ndërshtetëror të NATO.

Që do të thotë, se sipas pazarit të fshehtë “Rama-Meloni”, kontejnerët e ardhur nga Italia me mbishkrim: “Për kampin e refugjatëve afrikanë në Lezhë”, do kalojnë shpejt, pa procedura kufitare e pa kontroll, kur ligji detyron kontroll me skaner e kontroll fizik.

Çfarë qëllimi e plani ka kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, që nën maskën e sistemimit dhe trajtimit të refugjatëve afrikanë, do fusë në Shqipëri miliona Euro jashtë kontrollit ligjor të agjencive financiare, bankave e sigurisë?!

Gjersa për ato miliona Euro, Giorgia Meloni deklaron se do jenë financim legal nga qeveria italiane, përse ka kërkuar të mos kontrollohen sipas ligjit kur të futen në Shqipëri; dhe përse jo me rrugë bankare, por me anije e avionë?!

Është rasti i vetëm në botë, që kryeministrja e një vendi të BE si Italia, i kërkon publikisht me marrëveshje, transferim të miliona Eurove e mallrave pa kontroll doganor, kryeministrit të një vendi si Shqipëria, që ka nisur negociatat për anëtarësim në BE.

Është rasti i vetëm, që kryeministri i një vendi si Shqipëria, që ka nisur negociatat për futjen në BE, të firmosë pazare për të pranuar futjen e miliona Eurove dhe mallrave pa kontroll doganor, duke detyruar agjencitë anti-mafie e anti-krim, të mos kontrollojnë burimin, sasinë dhe llojin e tyre.

Pra, Giorgia Meloni, kryeministre pasardhëse e ish-Partisë Fashiste Italiane, ka rënë dakord me Edi Ramën, kryeministrin pasardhës të ish-Partisë Komuniste Shqiptare, që nën maskën e ndërtimit të kampit dhe trajtimit të refugjatëve afrikanë në Lezhë, të fusin në Shqipëri vlera monetare e mallra pa kontroll. /Pamfleti

Lini një Përgjigje