
Takimet dhe trajnimet nga ekspertët e FBI dhe udhëzimet e referencat nga funksionarë drejtësie e anti-mafie të DASH, u bënë veçmas e konfidencialisht me drejtuesin e SPAK, Altin Dumani dhe veçmas me drejtuesen e BKH, Aida Hajnaj, por detyrat kanë qenë në të njëjtën linjë e shënjestër veprimi...
Mbrapa fotografive, që u publikuan gjatë takimeve të drejtuesve të SPAK e Byrosë Kombëtare të Hetimit, me drejtues e ekspertë të institucioneve anti- mafie në SHBA, qëndrojnë disa detyra speciale që u janë dhënë Altin Dumanit e Aida Hajnajt, për ti zbatuar në Shqipëri.
Në informacionin që ka siguruar “Pamfleti”, thuhet se partnerët amerikanë që kanë instaluar reformën në drejtësi dhe po mbikëqyrin zbatimin e saj, u kanë dhënë një paketë me 10 detyra speciale, të cilat kanë qenë të paprekura deri sot.
Ja detyrat që morën SPAK e BKH në SHBA:
1. Gjurmimi, bllokimi, hetimi dhe goditja e operacioneve të pronësive, financave e kapitaleve të kompanive offshore, që veprojnë në Shqipëri, si dhe skemat e fshehjes së gjurmëve nëpërmjet përthithjes, transferimit e shit-blerjes apo dhurimit të aksioneve në zinxhir personash e subjektesh.
2. Goditja e skemave dhe akteve zyrtare, që ligjërojnë transferime, investime dhe riciklime të parave të pista, nëpërmjet licencave, lejeve të ndërtimit dhe koncesioneve ekonomike e shërbimeve publike, duke përcaktuar përgjegjësi penale vetëm të titullarët.
3. Goditjen e pastrimit të parave, që maskohen pas skemave të shit-blerjes së bonove, obligacioneve e fondeve të investimeve që shet qeveria dhe Banka Shtetërore, pa verifikuar burimin e blerjes së tyre, por dhe nëse blerësit janë persona të botës së krimit, ose pushtetarë e ish-pushtetarë të korruptuar.
4. Gjurmimi, bllokimi, hetimi dhe goditja e skemës së pagesave e shpenzimeve të investimeve të mëdha, me qarkullime CASH pa limit e jashtë rrugëve të verifikuara bankare, si dhe hetimi i aksioneve të fshehta në koncesionet që u janë dhënë të huajve.
5. Gjurmimi, bllokimi, hetimi dhe goditja e transferimeve në kartmonedha e Ar, që bëjnë bankat e agjencitë private financiare; si dhe goditja e skemave të futjes së miliardave të pa kontrolluara e të paligjshme në Shqipëri, definitivisht apo transit.
6 Gjurmimi, bllokimi, hetimi dhe goditja e skemave të kostove fiktive të ndërtimeve e çmimeve të shit-blerjes së pasurive të paluajtshme.
7. Hetim financiar, të gjithë bizneseve të mesme e të mëdha, që kanë hapur në 20 vitet e fundit politikanë, familjarë dhe ish-vartës të afërt e miq të tyre.
8. Hetim financiar, nivelit të jetesës dhe pasurive të familjarëve, të politikanëve e qeveritarëve që kanë administruar pushtet, fonde dhe pasuri publike në 20 vitet e fundit.
9. Gjurmimi, bllokimi, hetimi dhe goditja e veprimtarive e të paligjshme të bankave, fondeve financiare dhe agjencive që transferojnë vlera monetare.
10. Gjurmimi, bllokimi, hetimi dhe goditja e burimeve financiare të partive politike, sidomos gjatë fushatave zgjedhore, duke e kufizuar përgjegjësinë penale vetëm te kryetarët e partive.
Saktësojmë, se takimet dhe trajnimet nga ekspertët e FBI dhe udhëzimet e referencat nga funksionarë drejtësie e anti-mafie të DASH, u bënë veçmas e konfidencialisht me drejtuesin e SPAK, Altin Dumani dhe veçmas me drejtuesen e BKH, Aida Hajnaj, por detyrat kanë qenë në të njëjtën linjë e shënjestër veprimi./Pamfleti
Lini një Përgjigje