Në 3 nene të Kodit Penal, mashtrimi e krimi ushqimor dënohen 3-10 vit burg, por paçka se SPAK ka prova e kallëzime të shumta, nuk e bllokon rrjetin “Big Market” dhe nuk procedon pronarin e saj deputetin Vullnet Sinaj; megjithëse krimi i tij është objekt hetimi i SPAK, mbasi ai është zyrtar i lartë shteti, ndërsa importimi, tregtimi e falsifikimi i ushqimeve vrasëse është krim e korrupsion i organizuar...
Brenda 24 orësh nga kallëzimi i kreut të Grupit Parlamentar të PS, Bledar Çuçi për sherrin në parlament, SPAK filloi hetimin duke marrë në pyetje deputetin socialist Vullnet Sinaj me cilësinë e “Personit të dëmtuar”.
SPAK bëri detyrën, por deputetin Vullnet Sinaj, duhet ta thërrasë edhe si tregtar që po dëmton dhe rrezikon shëndetin e njerëzve e sidomos të fëmijëve, nëpërmjet produkteve ushqimore që shet në 145 njësitë e tij tregtare “Big-Market” në të gjithë Shqipërinë.
Me siguri të plotë, themi që vetëm gjatë viteve 2022-2023, në SPAK janë bërë 360 denoncime e 14 kallëzime penale nga qytetarë që janë helmuar e kanë përfunduar në spital nga ushqimet e blera te “Big-Market”.
Kanë blerë ushqime të mykura të fshehur me ambalazhe; ushqime të skaduara, të cilave u janë ndryshuar dhe shtyrë datat e skadencës me 3-6 muaj; falsifikim të cilin, edhe sipas raporteve të AKU e anti-krimit, deputeti Vullnet Sinaj e kryen me grupe falsifikatorësh në magazinat e tij.
Ky krim ushqimor që bëhet me ushqimet dhe produktet e tjera familjare që shet “Big-Market”, është denoncuar më zë e figurë më 9 nëntor 2020, më 13 mars e 24 gusht 2021; më 18 shkurt e 27 tetor 2022 dhe më 6 janar e 18 qershor 2023, në emisione televizive investigative dhe pothuajse çdo javë nga qytetarët në emisionet e mëngjesit, në mediat on-line e rrjetet sociale.
Kujtojmë, që në 3 vitet e fundit, “Big Market” është denoncuar afro 4000 herë në AKU, te anti-krimi ekonomik e te kryeministri Edi Rama; ndërkohë që është ndëshkuar me 18 gjoba nga AKU, për ushqime të skaduara me afate të falsifikuara e pa origjinë prodhimi.
Jo vetëm nuk bllokohet, por shefat e AKU me urdhër të Bablokut, i kanë hequr gjobat dhe janë urdhëruar të mos bëjnë kontrolle në “Big-Market”, por të plotësojnë raporte kontrollesh fiktive, ngaqë në fushata elektorale, deputeti Vullnet Sinaj dhuron ushqime të skaduara për votat e PS.
Edhe para 1 muaji, AKU gjeti ushqime për fëmijë, mish, sallam, bulmetra, çokollata, akullore, biskota, konserva, ëmbëlsira të ambalazhuara e detergjent të skaduar e me rrezikshmëri të lartë, që shiteshin me etiketa false, për të cilat ish-drejtoresha Jeta Deda vendosi ia sekuestron, por e pësoi me shkarkimin nga detyra, duke e paraqitur si gjoja “Dorëheqje”.
Sipas raporteve të AKU, nga 32 mijë produkte që shet “Big-Market” në 145 dyqanet e tij e në 38 zona të vendit; rezulton se 22 mijë produkte janë të pa certifikuar me standardet Europiane “SGS ISO 900:2000”; BRC, IFS, JO-OGM, ndërsa afro 11 mijë, janë pa dokumentin HACCP (vet deklarim i përbërjes, sigurisë, cilësisë, skadencës, origjinës së produkteve).
Pse SPAK që ka denoncime e kallëzime penale, nuk po vepron ndaj këtij rrjeti tregu ushqimor kriminal?; kur e ka detyrim të veprojë, mbasi në 3 nene të Kodit Penal, mashtrimi e krimi ushqimor dënohen 3-10 vite burg, por as nuk po e bllokon aktivitetin e rrjetit “Big-Market”.
Nuk po procedon as pronarin deputet Vullnet Sinaj, megjithëse krimi i tij është objekt hetimi i SPAK, mbasi ai është zyrtar i lartë shteti, ndërsa importimi, tregtimi e falsifikimi i ushqimeve vrasëse është krim e korrupsion i organizuar./Pamfleti

Lini një Përgjigje