Enkes Hysendhima vazhdon i pashqetësuar punën si avokat duke patur sa një çështje penale një tjetër, ku më e fundit është ajo e pastrimit të parave me disa persona të tjerë. Siç duket edhe njoftimi i gjykatës së Vlorës, çështja do të gjykohet nesër me objekt, "Pastrim i produkteve të veprës penale".
Enkes Hysendhima së bashku me Pëllumb Petritin , janë emrat më të përfolur për falsifikimin e dokumenteve për gadishullin e Karaburunit ku u tentua të zaptohej gjiri i Shën Vasili, pronë e cila kapte një vlerë prej 210 milionë eurosh.
Ditën e hënë, Hysendhima do të jetë në një tjetër proces për pastrim parash me gjykatësen Viola Canaj, ku flitet se vendimi për t’i dhënë pafajsinë, është paracaktuar.

Hetimi në 2017, investigimi i Birn
Raimond Mëzi me profesion varrmihës jeton në një shtëpi të varfër në lagjen “Partizani” në Vlorë. Sipas një vendimi të Gjykatës së Vlorës të datës 29 Dhjetor 2000 nga gjyqtari Thoma Nika, Mëzi rezulton të jetë pronari i një sipërfaqe toke prej 220 hektarësh në gjirin piktoresk të “Shën Vasilit” në gadishullin e Karaburunit.
Ka vetëm një problem: vendimi i gjykatës që e bën Mëzin pronar të pronës që kap një vlerë tregu prej 210 milionë euro është i falsifikuar.
Sipas të dhënave të siguruara nga BIRN, krijimi i dosjeve gjyqësore me procese që nuk janë zhvilluar kurrë, falsifikimi i dokumenteve arkivorë e më pas certifikim të tyre në institucionet shtetërore është pjesë e një skeme kriminale të zbuluar nga Prokuroria e Vlorës në vitin 2016-të. Sipas Prokurorisë, mbi 314 hektarë tokë është përfituar në zonën e Karaburunit dhe Zvërnecit e më pas është shitur tek të tretë.
Ndër dosjet e falsifikuara rezulton një vendim i gjyqtarit të ndjerë Skerdilajd Konomi – i vrarë në vitin 2011 në Vlorë me një sulm me ekspoliziv i tipit mafioz – dhe të një gjyqtari tjetër Qatip Bylykbashi, i cili rezulton të ketë ikur nga Shqipëria që në fillim të vitit 1990.
Për të hetuar dyshimet për manipulimet me pronat në qarkun e Vlorës, në Gusht të vitit 2015-të, kryeministri Edi Rama urdhëroi ngritjen e një task –force ndër-institucionale, nëpërmjet së cilës ai premtoi se institucionet do të hidheshin në kundërsulm ndaj grabitësve dhe falsifikatorëve të pronës. Nga viti 2015-të deri në vitin 2017-të Agjencia e Trajtimit të Pronave ka kallëzuar në prokurori 35 raste të tjetërsimit të pronës nëpërmjet falsifikimit, raste për të cilat nuk ka asnjë vendim përfundimtar nga gjykatat shqiptare.
Hetimi për falsifikimin e pronave në Karaburun është një nga çështjet e evidentuara nga task-forca ndërinstitucionale. Në Shkurt 2016-të Prokurori Albert Kuliçaj urdhëroi arrestimin e disa të dyshuarve, përfshirë Raimond Mëzin, avokatin e tij Enkes Hysendhima, ish punonjësen e hipotekës së Vlorës Blerina Dhrami, noteren Belona Seraj, si dhe u vendos masa e sigurisë “detyrim për paraqitje” dhe “pezullim nga detyra” për Donika Besimaj- përgjegjëse e arkivës në Gjykatën e Vlorës- si e dyshuar në këtë skemë të falsifikimit të dokumenteve. Ndërkohë në kërkim është shpallur dhe biznesmeni Pëllumb Petritaj, i cili nuk është ndaluar akoma nga Policia e Shtetit.
Më shumë se 1 vit më vonë, Prokuroria e ka akoma çështjen e bujshme nën hetim ndërkohë që të gjithë të dyshuarit që u arrestuan një vit më parë, përfshirë Raimond Mëzi, tashmë janë liruar me urdhër të prokurorisë. I sapo dalë nga burgu, Mëzi i tha BIRN se ai nuk kishte lidhje me falsifikimet e bëra dhe ishte thjeshtë një viktimë. Prokuroria e Rethit të Vlorës u tregua e rezervuar për dhënien e informacionit sepse çështja është akoma nën hetim, por sipas dokumenteve që BIRN disponon emri i Mëzit duket se është përdorur vetëm për sigurimin e pronës e cila më pas është shitur nga avokati Enkes Hysnedhima, falë një prokure përfaqësimi.
Sipas Mëzit, në vitin 1994 i ati Jakupi, kishte bërë një kërkesë në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, për rikthim e një sipërfaqe prej 6,600 metra katrorë të konfiskuar nga regjimi komunist në qytetin e Vlorës.
Bazuar në këtë kërkesë të Jakupit, në Gjykatën e Vlorës është gjetur një vendim i atribuar gjykatësit Thoma Nika me datë 29 Dhjetor 2000, që e bën Raimond Mezin pronar të 220 hektarëve tokë në Karaburun. Në Tetor 2012-të, në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme është bërë një kërkesë për ta regjistruar këtë pronë në emër të Raimondit, ndërsa 2 vjet më vonë prona i është shitur palëve të treta. Prokuroria dyshon se e tërë dosja gjyqësore është falsifikuar pasi gjyqtari Thoma Nika ka deklaruar se kurrë nuk ka zhvilluar një proces të tillë gjyqësor në vitin 2000. Mëzi i ka deklaruar prokurorëve se dokumentet e shitjes në zyrën e noterit i ka firmosur në fletë të bardhë.
Avokati Enkes Hysnedhima, i cili ndryshe nga Mëzi jeton në një vilë luksoze në qytetin e Orikumit, i tha BIRN se procedurat e ndjekura nga ai janë ligjore. Ai mohoi të ketë njohje me përfituesit e pronës dhe shprehet se thjesht ka përfaqësuar klientin e tij Raimond Mëzi, në të gjithë transaksionet e kryera.
Ku është sot Enkes Hysendhima ?
Ai vazhdon i pashqetësuar punën si avokat në mënyrë të pashqetësuar duke patur sa një çështje penale një tjetër, ku më e fundit është ajo e pastrimit të parave me disa persona të tjerë. Siç duket edhe njoftimi i gjykatës së Vlorës, çështja do të gjykohet nesër me objekt, "Pastrim i produkteve të veprës penale".
Sipas burimeve nga gjykata e Vlorës, gjykatësja Vjola Canaj ka miqësi me avokatin e akuzuar për vjedhjen e tokave të Karaburunit dhe pritet që në vazhdimësi vendimi të jetë në favor të tij. Sipas burimeve, vendimi i gjykatëses Canaj po shikohet me kujdes edhe nga organet ligjzbatuese pas informacioneve që kanë shkuar për favorizimin e këtij të fundit ndërsa po ashtu është vënë në dijeni dhe dhoma e avokatisë për akuzat që rëndojnë për avokatin e famshëm për bëmat e tij.
Lini një Përgjigje