TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia 1 Korrik 2025, 11:41

“Murtaja” e sajuar e bagëtive; pazari i pistë i Ramës me importuesit e mishit

Shkruar nga Pamfleti

 

“Murtaja” e sajuar e bagëtive; pazari i pistë i
Edi Rama /

Në kulmin e sezonit turistik, qeveria bllokon mishin vendas me një alarm të dyshimtë për sëmundje, duke i hapur rrugë tregut monopol të importit me mish të ngrirë deri 15 vite nga Brazili, Serbia, Mongolia e Tajlanda. Fermerët, viktimat e radhës në skemën e llumit qeveritar.

 “Pamfleti” ka denoncuar disa herë, me fakte dhe dokumente, se kryeministri Edi Rama është thellësisht i përfshirë në pazare me importuesit e mishit, duke mbështetur monopolin e tyre përmes skemave të mirëorganizuara, që godasin drejtpërdrejt fermerët dhe tregun vendas.

Pazari i fundit i Bablokut me katër kompanitë që kontrollojnë importin e mishit në Shqipëri, konsiston në shpikjen e një “epidemie” të rrezikshme tek bagëtitë e imta, për të ndaluar qarkullimin dhe konsumimin e mishit vendas gjatë verës, pikërisht kur kërkesa në treg dhe restorante rritet në maksimum.

Nuk është rastësi që “murtaja e bagëtive”, siç u emërtua, u shpall zyrtarisht nga Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe AKU vetëm një javë pas nisjes së sezonit turistik. Bllokimi i menjëhershëm i tregtimit të kecave dhe qengjave, u shoqërua me panik mediatik, ku përçuesit kryesor ishin “ekspertët e pavarur” të paguar nga oligarkët e mishit të importuar.

Për fermerët shqiptarë, kjo është periudha e artë kur realizojnë të ardhura jetike përmes shitjes së bagëtive në restorante e bujtina, veçanërisht në zonat turistike bregdetare. Por këtë vit, qeveria u vërsuli kontrollorët me urdhër për bllokim total, duke paralizuar një sektor të tërë që mbahet vetëm nga djersa e blegtorëve.

Ndërkohë, me letra sigurie false dhe dokumentacion të manipuluar, importuesit e mishit sjellin tonelata me produkte të ngrira prej më shumë se një dekade nga Brazili, Mongolia, Serbia, India e Bullgaria, shumë prej të cilëve janë kapur në të shkuarën me salmonelë, ose të papërshtatshëm për konsum.

E ndërsa AKU dhe Autoriteti i Veterinarisë shfaqen si shpëtimtarë të shëndetit publik, në realitet ata janë shërbëtorë të një plani korruptiv për të dhënë tregun shqiptar të mishit në duart e monopoleve importuese, të lidhura me kupolën politike të Rilindjes.

Në një njoftim skandaloz, Ministria e Bujqësisë deklaroi se sëmundja “Murtaja” do të zgjasë deri në fund të shtatorit, pikërisht kur përfundon sezoni turistik dhe fermerët e vegjël nuk kanë më mundësi tregu.

Pra, gjithçka është kalkuluar: fermerët jashtë loje, importuesit brenda skemës, paratë ndahen në zyrat e larta dhe publiku ushqehet me mish të dyshimtë nga frigoriferë 15-vjeçarë.

Në një vend normal, kjo do të konsiderohej krim ekonomik dhe sabotim i tregut kombëtar. Në Shqipërinë e Ramës, është vetëm një “strategji tregu” që kalon përmes urdhrave të Bablokut dhe heshtjes kriminale të institucioneve./Pamfleti

murtaja e sajuar e bagëtive sezoni turistik pazari i pistë importuesit e mishit

Lini një Përgjigje