TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia27 Qershor 2025, 12:36

Kryehajduti i Kasharit, Besnik Fuçia, i regjistruar si lavazhier e punëtor mermeri; në SPAK për tjetërsim pronash

Shkruar nga Pamfleti

Kryehajduti i Kasharit, Besnik Fuçia, i regjistruar si lavazhier e

Skandali i Besnik Fuçisë, ish-kryetar i Komunës Kashar: një strukturë e tërë për tenderë, tjetërsime pronash dhe përfitime të paligjshme

Ka mjaftuar një denoncim publik nga një ndërtues për të hapur zyrtarisht një dosje penale kundër ish-kryetarit të Komunës Kashar, Besnik Fuçia. Më 6 maj 2019, Fuçia u arrestua bashkë me katër vartësit e tij më të besuar, nën akuzën për abuzime me lejet e ndërtimit, tjetërsim të pasurive publike dhe përdorim të dokumenteve të falsifikuara.

Por hetimi nga Prokuroria e Tiranës dhe Drejtoria e Krimeve Ekonomike zbuloi një rrjet më të gjerë të korrupsionit dhe falsifikimeve, që përfshinte tokat, legalizimet, qiratë, privatizimet dhe të ardhurat nga taksat lokale.

Sipas raportit të auditit të Bashkisë së Tiranës (2016) dhe raportimit të njësisë administrative Kashar, me firmë të kryetarit Erni Çatri, gjatë mandatit të Besnik Fuçisë:

·         Janë zhdukur ose nuk janë mbledhur mbi 10.3 milionë euro në total: 2.5 milionë nga taksat vendore dhe 7.8 milionë nga 2650 biznese.

·         Janë falsifikuar dokumentet e 148 hektarëve tokë, në favor të ndërtuesve me ose pa leje, për t’i përfshirë në projekte dhe legalizime.

·         Janë grabitur 67 hektarë tokë nëpërmjet manipulimit të sipërfaqeve në aktet e ndarjes.

·         Janë shpërdoruar 410 milionë lekë për shërbime të fabrikuara si pastrime inekzistente, mbjellje pemësh e aktivitete festive fiktive – përfshirë një pemë Vitit të Ri që është blerë 3 herë me tenderë të ndryshëm.

Ndër pasuritë personale të përfituara në mënyrë të dyshimtë nga Fuçia janë:

·         26 apartamente dhe 11 dyqane të marra si “shpërblim” për leje ndërtimi dhe tjetërsime toke.

·         2600 m² tokë shtetërore të regjistruar si dhuratë.

·         1000 m² tokë me dokumente të falsifikuara në vlerë 1.9 milionë lekë.

·         Njësi tregtare të regjistruara në emër të djalit dhe të afërmve të bashkëshortes, që gjenerojnë të ardhura të fshehura.

·         Tokë dhe biznese në zonat strategjike si Mëzez, Yrshek, Katund i Ri dhe Mjull-Bathore, ndërsa në ILDKPI ka deklaruar vetëm një pjesë të vogël të tyre.

Përveç pasurive, Fuçia ka ndërtuar një rrjet ndikimi edhe në Komunë: bashkë me të u arrestuan ndërtuesi Stefan Caushi, zyrtarja e Planifikimit të Territorit Vjollca Pani, kolaudatorja Miranda Dyrmishaj dhe shefi i Urbanistikës Jurgen Memishaj. Këta dëshmuan se Fuçia vepronte si drejtues i një skeme korruptive ku lejet, dokumentet dhe kontratat prodhoheshin me qëllim përfitimi personal.

Pas arrestimit, më 18 janar 2020, Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë “arrest me burg”, pavarësisht përpjekjeve për ta liruar me ndërhyrjen e deputetëve të PS dhe PD. Por më 5 shkurt 2020, falë ndikimit të ish-gjyqtarit Gjin Gjoni dhe lobimeve politike, Gjykata e Apelit e liroi, duke e lënë në “detyrim paraqitjeje”.

Pas lirimit, Besnik Fuçia u paraqit si i papunë, por në realitet regjistroi dy biznese në emër të vet: një lavazh (NIPT: L81305038C) dhe një firmë për përpunim mermeri (NIPT: K82403014T), ku deklaron një pagë fiktive prej 1200 euro/muaj.

Pavarësisht dëmeve të rënda financiare që i janë shkaktuar buxhetit të shtetit dhe grabitjes së pronave publike, deri më sot nuk është bërë një hetim i plotë nga SPAK. Nëse Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) do të ndërhynte në analizimin e pasurive dhe dokumenteve të Komunës Kashar për periudhën 2007-2015, do të ekspozonte një prej skemave më flagrante të korrupsionit lokal.

Fuçia mbetet sot një simbol i një epoke ku pushteti vendor u kthye në një makineri për pasurim personal, me leje ndërtimi, tjetërsime toke dhe zhdukje të ardhurash që ishin të destinuara për komunitetin. / Pamfleti

besnik fuqia lavazhier punëtor mermeri spak tjetërsim pronash

Lini një Përgjigje