TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia26 Qershor 2025, 13:45

Policia nën komandën e mafies, atentati i fshehur i Arnold Carës dhe rrjeti kriminal që drejton Ilir Proda

Shkruar nga Pamfleti
Policia nën komandën e mafies, atentati i fshehur i Arnold Carës
Arnold Cara dhe Ilir Proda /

Pasi tentoi të vriste një 27-vjeçar, Arnold Cara, njeriu i Ylli Carës dhe shofer i Ilir Prodës, mbrohet nga policia. Viktima shpallet në kërkim, prokurorja kërcënohet, dhe drejtori i Policisë zbaton urdhrat e krimit. SPAK hesht!

Pas denoncimeve të publikuara nga Pamfleti për krimet e bandës së Ylli Carës, përfshirë atentate dhe pengmarrje të mbuluara nga drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, një prej viktimave të një sulmi të fshehur ka vendosur të thyejë heshtjen.

Bëhet fjalë për 27-vjeçarin nga Kukësi, Eduart Koboçi, i cili më 13 maj 2025, u bë objekt i një atentati me armë te zona e “Pallatit me Shigjeta” në Tiranë. Autor i atentatit, sipas vetë dëshmisë së Koboçit dhe provave që ndodhen në duart e gazetares Klodiana Lala, është Arnold Cara, kushëriri i Ylli Carës, një person i afërt me drejtuesin e Policisë së Shtetit, Ilir Proda.

Koboçi deklaron se Cara e qëlloi nëntë herë me armë zjarri, pas një konflikti të mëparshëm mes tyre. Ngjarja është tentuar të mbulohet nga vetë policia, që ka shpallur në kërkim Koboçin, jo për atentatin që i ndodhi, por për “largim nga vendi i ngjarjes”, si të ishte autori, jo viktima.

Ndërkohë, Arnold Cara, autori i atentatit, është mbrojtur dhe fshehur nga strukturat policore, me mbështetjen direkte të vetë Ilir Prodës. Kjo për shkak se Arnold Cara nuk është një emër i rastësishëm, ai është njeriu i besuar i Ylli Carës, i cili jo vetëm është ortak dhe financues i Ilir Prodës, por konsiderohet drejtues real i Policisë së Shtetit.

Sipas burimeve të brendshme, Ylli Cara i ka dhuruar Ilir Prodës një apartament në Tiranë, ka mbështetur financiarisht ngritjen e tij dhe ka qenë garancia e heshtur për karrierën e tij të përshpejtuar.

Në fakt, Drejtori i Policisë i përgjigjet Carës, jo ministrit të Brendshëm, dhe kjo është një e dhënë që e dinë të gjithë aktorët e brendshëm të sigurisë në vend, përfshirë SHISH, SPAK, AMP, ambasadat dhe vetë Edi Rama.

Arnold Cara, ndonëse pa të ardhura të ligjshme, rezulton “biznesmen” me lokale, kazino, magazina dhe pasuri të paluajtshme, të cilat menaxhohen nga njerëz të afërt me të. Ai shërben si shofer i paemëruar zyrtarisht i Ilir Prodës, dhe në të njëjtën kohë, si mbikëqyrës i tij për llogari të Ylli Carës.

Kjo strukturë kriminale, që ka përfshirë një pjesë të rëndësishme të kupolës së Policisë së Shtetit, është përgjegjëse edhe për pengmarrjen dhe dhunimin e faturistes së OSHEE-së, Rubena Hasa, që ndodhi disa muaj më pare, një ngjarje që sërish u mbyll në heshtje, pa ndëshkime reale.

Sot, pas atentatit të dështuar ndaj Koboçit, po ushtrohet presion i drejtpërdrejtë mbi prokuroren e çështjes, me qëllim mbylljen e dosjes dhe shpëtimin penal të Arnold Carës.

Sipas burimeve nga organi i akuzës, prokurorja është në dilemë mes refuzimit dhe frikës, ndërsa SPAK vazhdon të heshtë, edhe pse rasti ka të gjitha elementët e një grupi të strukturuar kriminal me përfshirje të drejtuesve të lartë të shtetit.

Nëse kjo dosje mbyllet si "aksident", siç ka ndodhur më parë, do të jetë një tjetër provë se Policia e Shtetit është kthyer në një instrument në duart e mafies, dhe se drejtori i përgjithshëm është thjesht një funksionar i deleguar nga një bos i krimit./Pamfleti

arnold cara ilir proda

Lini një Përgjigje