Një rrjet i infiltruar në drejtësi dhe politikë; me ministra, deputetë dhe oficerë të rekrutuar nga Kreshnik Farruku për të sabotuar hetimet, shmangur ekstradimet dhe fshehur 2 tonë kokainë. SPAK mban në sirtar provat, ndërsa "Nikita" e Prokurorisë ende e paprekur nga drejtësia...
Disa fashikuj të dosjes ‘Toyota Yaris’, çështje e cila po hetohet nga Altin Dumani dhe Klodian Braho, tregojnë se si prokurorë të Krimeve të Rënda, OPGJ, gjyqtarë, avokatë dhe deputetë ishin rekrutuar dhe korruptuar nga figurat e krimit të organizuar, për t'i shpëtuar veprimit të drejtësisë, ekstradimit dhe për të sabotuar kërkesat e autoriteteve partnere për të kryer veprime hetimore ndaj tyre. Shumica e të implikuarve nuk po goditen nga Altin Dumani pasi disa prej tyre dinë shumë gjëra dhe pasojat mund të jenë të paparashikueshme.
Ka gjithashtu një interes të madh që kryesekserja nê ish Prokurorinë e Krimeve të Rënda Erjona Daupaj, e njohur si “Nikita” e Prokurorisë, të mos kapet kurrë, pasi nëse arrestohet, ajo mund të flasë duke tronditur sistemin.
Në këtë dosje del në pah edhe i ashtuquajturi Klani Farruku, një prej funitorëve më të mëdhenj të kokainës në Itali dhe Spanjë. Klani Farruku rezulton se nuk ka rekrutuar vetëm ish deputetin e PS-së, Jurgis Çyrbja, i cili dekonspironte aksionet policore, duke raportuar tek kreu i klanit, Kreshnik Farruku.
Duke mos pasur besim tek policia shqiptare, agjentë spanjollë dhe italianë kanë monitoruar nga afër në Durrës lëvizjet dhe takimet e dy vëllezërve Farruku, të cilët që në vitin 2021 kërkoheshin nga drejtësia italiane për veprat penale “Organizatë kriminale” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike”, ndërsa në Spanjë po hetoheshin për porositjen e 2 tonë kokainë në Ekuador, e cila do futej në Spanjë. Nuk dihet nëse agjentët e huaj kanë bashkëpunuar me Shërbimin Informativ Shqiptar.
Çfarë është konstatuar?
Në raportin e vëzhgimit konstatohet se vëllezërit Farruku kishin rekrutuar edhe ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi. Ky i fundit, kur ishte ministër i Brendshëm, rezulton se ishte një nga kontaktet fizike të drejtërdrejta të vëllait të madh, respektivisht kryetar i klanit Farruku. Gjatë kohës kur ishte ministër i Brendshëm, Bledi Çuçi është fotografuar teksa dyshohej se po i raportonte Farrukut, ndoshta edhe për letrat e autoriteteve italiane që kërkonin arrestimin e tij.
Bledi Çuçi u shkarkua nga Edi Rama në mënyrë të befasishme si ministër i Brendshëm në korrik të vitit 2018. Nuk dihet nëse Rama është sinjalizuar për implikimin e Çuçit në klanin kriminal të Farrukut. Por, lidhja e ish ministrit me grupin kriminal, është e konfirmuar me prova dhe fakte. Gjithashtu, gjatë kohës kur Çuçi ishte ministër i Brendshëm, grupi Farruku vepronte i sigurt në Durrës.
Po ku ka përfunduar sot informacioni për Bledi Çuçin?
A i ka fshehur SPAK-u provat për Bledi Çuçin siç ka fshehur për disa prokurorë të vet dhe gjyqtarë të GJKKO? Kujtojmë se ish minustri Çuçi është i skeduar edhe për lidhje të tjera me krimin e organizuar. Disa anëtarë të grupeve kriminale mburren me fotot në dreka dhe darka me Çuçin. Ish ministri Çuçi është zyrtarisht ortak me disa trafikantë droge edhe në shoqatën e jahteve dhe skafeve “Albanian Sailing Club Sh.p.k” me adresë “Kepi i Rodonit", me Roland Ziun, Eral Myftarjan etj.
Kush është Kreshnik Farruku alias Kreshnik Budlla?
Kreshnik Farruku (Budlla) ka përdorur 10 emra për t’i shpëtuar drejtësisë, teksa në maj të vitit 2010, u arrestua së bashku me 7 anëtarë të tjerë të bandës në Barcelonë për trafik kokaine.
Në vitin 2014, Kreshnik Farruku u arratis nga burgu dhe u arrestua në vitin 2019 teksa kërkohej në Spanjë e Itali për trafik kokaine dhe vjedhje të disa banesave.
Ndërkohë, në vitin 2015, Kreshnik Farrukut (Budllës) iu bë një atentat në zonën e “Don Boskos” në Tiranë. Ai ishte në shoqërinë e kunatit të tij, Rinald Budlla, dhe të dy shokëve, kur u qëllua me armë zjarri, ndërsa u plagos një kalimtare.
Sipas medieve spanjolle Kreshnik Budlla dyshohej për vrasjen e bosit të tij në Spanjë, në vitin 2010, për shkak të pazareve të drogës, por më pas rezultoi se atentatin e kishte porositur Devi Kasmi, që u vra në një atentat në janar të 2018-ës në Tiranë.
Me vendim të Gjykatës së Posaçme, në muajin Dhjetor të vitit të kaluar, Kreshnik Budllës (Farrukut), së bashku me vëllain e tij, Erneo Farruku iu konfiskuan 27 pasuri, më konkretisht disa prona në Tiranë dhe Durrës, apartamente në ndërtesa luksoze, automjete të markave “Mercedes Benz” dhe “Smart”, si dhe bizneset “Eco Energy System” dhe “Rrotull-Beton”. Pasuritë dyshohet se ishin vënë nga aktiviteti i paligjshëm i trafikut të drogës./Pamfleti
Lini një Përgjigje