TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia31 Mars 2025, 10:50

‘Mullari’ me viktima që sollën abuzimet e Blend Klosit, përmes kunatit të tij

Shkruar nga Pamfleti

 ‘Mullari’ me viktima që sollën abuzimet e Blend Klosit,

Në kulmin e një sherri të madh politik e përplasjesh të mëdha deri edhe me çizme në Kuvend, protesta studentësh, përplasje me molotov te kryeministria, e djegie mandatesh; u miratua ligji i ‘kleçkës së kunatit’ për shezlongjet, që kërciste nga konflikti i interesit.

Blendi Klosi, i cili sot është rikthyer në numrin dy të Partisë Socialiste, u shkarkua nga posti i ministrit të Turizmit në vitin 2021, ose më saktë nuk u emërua në shtator të atij viti, kur Edi Rama shpalli qeverinë e mandatit të tretë qeverisës.

Klosi, në të vërtetë në atë kohë ishte ngrefur shumë dhe në kafet e gjata në bllok ku si personazhe të përhershme ishin njerëz të nëntokës, u sajdis për ministër të Brendshëm. Ngaqë nga Berati kishte ardhur me një deputet më shumë, si pasojë e miqësisë së tij me të fortët.

Mirëpo gjithçka u copëtua si një vazo kristali, pasi zullumi i krijuar me lejet e plazheve private, u trash aq shumë, sa bëri një kapicë me viktima.

Në fundin e qershorit 2021, përkatësisht më 26, në Velipojë u vranë mes tyre 4 djem të rinj, ndër të cilët edhe një kamarier që kishte filluar punë atë ditë dhe u plagosën dy të tjerë. Pra 6 viktima brenda disa minutave.

Kujtim Ferracaku dhe vëllezërit Gocaj: Xhovani dhe Edmond, edhe ata në lulen e rinisë, u grinë me plumba me njeri-tjetrin, pasi kishin konflikt për ndarjen e krevateve, (shezlongëve) të plazhit përpara hoteleve të tyre që ishin ngjitur.

Një vit më përpara e kishin menaxhuar vëllezërit Goci, e këtë herë e kërkonte ta merrte Ferracaku, e kjo solli konflikt deri në tragjedinë e tmerrshme që shuajti jo dy, por tre familje.

Edi Rama, i cili ka një rrjet të tijin informativ mjaft depërtues në territor, kërkoi menjëherë të merrte vesh të vërtetën e plotë të situatës së ndarjes së plazheve. Kush e bënte dhe si e bënte.

Në atë kohë, ishte krijuar një sistem i koklavitur i dhënies së lejeve, ku nuk veprohej njësoj në të gjithë territorin. Si rregull, terrenin e plazhit e jepte bashkia me qira, e cila asokohe në Shkodër drejtohej nga Voltana Ademi e PD. Kurse lejet e shezlongjeve kalonin përmes një sistemi të djallëzuar, ku edhe pse “mënjanohej” ministri i Turizmit, “pjesa e tij”, ishte brenda.

Siç thuhet që ‘djalli fshihet në detaje’, shpesh kjo ndodh edhe në ligje të miratuara në Parlament nga politikanët, ligje që fshehin mes rreshtave interesat e vogla të tyre.

Në ligjin e atëhershëm për rregullimin e lejeve të plazheve, ishte përcaktuar që askush që do të hapte apo merrte në administrim një plazh të tijin, nuk mund ta bënte pa marrë miratimin nga Federata Shqiptare “Vrojtuesit e Plazhit dhe Shpëtimit në Ujë”. Drejtues i kësaj federate është Endrit Gega, alias kunati i Blendi Klosit.

Kjo federatë e krijuar në vitin 2016, merr certifikimin zyrtar një vit më pas, pikërisht kur Klosi emërohet ministër i Turizmit; në shtator, pas zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit 2017. Ditën që Edi Rama merr i vetëm timonin dhe qeveris pa aleatë.

Në kulmin e një sherri të madh politik e përplasjesh të mëdha deri edhe me çizme në Kuvend, protesta studentësh, përplasje me molotov te kryeministria, e djegie mandatesh, u miratua ligji i ‘kleçkës së kunatit’ për shezlongjet, që kërciste nga konflikti i interesit. Përkatësisht kush donte të merrte një leje për të vendosur çadra dhe krevate në rërë, do të duhej të “kalonte” paraprakisht te kunati i ministrit të Turizmit.

I cili, atë firmën për çshtjen e vrojtuesve nuk e jepte kollaj, pasi i bënte të ditur se është “çështje me spec”.

Në fillim pronarët e plazheve s’e kuptonin pse po bëhet kaq e komplikuar leja e vrojtuesve, madje kjo bëhej njësoj edhe kur biznesi investonte vetë për kullën dhe infrastrukturën përkatëse.

Më pas, siç ndodh gjithmonë, u hapën fjalë që kryevrojtuesi është i tillë ngaqë është kunat i ministrit, dikasteri i të cilit ndan edhe lejet për shezlongjet e çadrat. E kështu, nisi të funksiononte “sistemi i kunatit” i cili vijoi si pa u ndjerë, me rregulla që ndryshoheshin, vetëm e vetëm për tu rritur pazari e natyrisht edhe “pjesa e kunatit”.

Ndërkohë, me tragjedinë e 26 qershorit 2021, kur u vranë 4 djem të rinj me armë zjarri në Velipojë, në mes të lokalit, ngjarje që terrorizoi turistët, e bëri të ikin nga syt këmbën shumë pushues nga Kosova, situata u trash keq.

Mediat nisën të shkuajnë apo të flasin për probleme administrative që shkaktonin përplasje e konflikte, të cilat i kishin dëgjuar nga personat e familjarët e asaj tragjedie të tmerrshme, por vetëm kaq.

Ndërsa Edi Rama, mori një informacion të hollësishëm për situatën e lejes së plazheve, e pa që gjurmët çonin tek Blendi Klosi. Ndaj në fund të gushtit të 2021, vendosi që kreun e qarkut Berat ta largonte fare nga qeveria, duke i lënë të kuptojë se nuk ka për të puthur më portofol ministror. I hoqi dhe gradat e kreut politik të qarkut Berat, duke e çuar në Vlorë, për të zëvendësuar Damian Gjiknurin, të cilin e lëvizi në Elbasan, pasi hoqi Taulant Ballën nga atje. Zullumi u trash edhe atje me një tjetër vrasje dy ditë para zgjedhjeve të 2021.

Klosin e dërgoi në Vlorë të merrej me klanin e Gramoz Ruçit, ndërkohë që një vit më parë i dha numrin 2 të PS-së, kur hoqi Damianin nga posti i sekretarit të përgjithshëm. A do ta kthejë sërish në qeveri pas zgjedhjeve?

Si vështirë, pasi e ka çuar në Dibër që të merret me Ymer Lalën dhe i ka caktuar detyrë të marrë deputetin e tretë në qark, ndryshe objektivi quhet i parealizuar./Pamfleti

blendi klosi erdit gega mullari me viktima

Lini një Përgjigje