TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia25 Janar 2025, 10:04

“Kontributet” e Ilir Beqjes për Shqipërinë në 34 vite: sa në tepsinë e PD-së te tepsia e PS, dhe prej 7 muajsh në burg si hajdut

Shkruar nga Pamfleti
“Kontributet” e Ilir Beqjes për Shqipërinë në 34
Ilir Beqja /

Në seancën gjyqësore, Ilir Beqja akuzoi e sulmoi gjyqtaren Flojera Davidhi, duke i thënë: - Po vepron me qëllime, porosi e ndikime politike. Por edhe sikur me vdekje apo me burgim të përjetshëm të më dënosh, nuk mund t’i zhbësh kontributet e mia për vendin dhe as të njollosësh emrin tim e as të kriminalizosh qeverinë e Edi Ramës… Po cilat janë kontributet e Ilirit?!

Pas arrestimit më 4 korrik 2024, për vjedhjen e fondeve të BE, pastrim parash e shpërdorim detyre, ish-ministri Ilir Beqja, është marrë i pandehur e ka kaluar në proces gjykimi edhe për aferën e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, por këtë herë si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.

Miqtë e tij prokurorë, Edvin Kondili e Ened Nakuçi, fillimisht nuk e futën në hetime Ilir Beqjen; ndërsa pas presionit të medias e SHBA, atë e morën të pandehur vetëm për shpërdorim detyre.

Por më 24 dhjetor 2024, Gjykata e Posaçme i la detyrë prokurorëve të SPAK, që ndaj ministrit Ilir Beqja, të ngrihej akuza për  grup të strukturuar kriminal në vjedhjen e fondeve publike.

Prej datës 23 janar 2025, Iliri, përveçse i pandehur për vjedhjen e fondeve të BE, është marrë i pandehur në masë arresti me burg e kaloi për gjykim, edhe për vjedhje në grup të strukturuar kriminal, në aferën e koncesionit të pajisjeve kirurgjikale.

Por në seancën gjyqësore, Ilir Beqja akuzoi dhe e sulmoi gjyqtaren Flojera Davidhi, duke i thënë: - Po vepron me qëllime, porosi e ndikime politike. Por edhe sikur me vdekje apo me burgim të përjetshëm të më dënosh, nuk mund ta zhbësh kontributin tim për vendin, as të njollosësh emrin tim e as të kriminalizosh qeverinë e Edi Ramës.

Po cili është “kontributi” 34-vjeçar i Ilir Beqjes për Shqipërinë, për të cilin, ai thotë se nuk mund të njolloset me akuzën dhe arrestimin si hajdut i fondeve shtetërore?

Në fillim të muajit shtator 1990 pasi kishte përfunduar studimet e larta në moshën 22 vjeçare, Ilir Beqja u emërua shef sektori në Bankën e Shtetit, me vendim të Guvernatorit e anëtarit të Byrosë Politike të PPSH, Qirjako Mihali, ngaqë ishte shok partie me babain e tij Hamid Beqja.

Në këtë detyrë, Iliri qëndroi deri në muajin shkurt 1993, i mbajtur në punë dhe nga guvernatori tjetër Niko Gjyzari dhe Ilir Hoti i pushtetit të PD.

Në muajin mars 1993, përsëri në pushtetin e PD, Ilir Beqja u emërua Drejtor Programesh të Investimeve në Ministrinë e Financave, ku qëndroi deri në muajin mars 1994, madje ishte dhe “ekspert” i privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore, ku drejtoreshë ishte Linda e Bablokut.

Në prill 1994, me urdhër të Sali Berishës, Ilir Beqja u emërua drejtues në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, ku qëndroi deri në muajin korrik 2006, periudhë kur në regjistrat e pensioneve u futën 80 mijë persona si pensionistë me dokumente false dhe 50 mijë persona si gjoja invalidë.

Në shtator 2006, pasi ndaj tij filloi hetimi për falsifikime pensionesh e ryshfete, Ilir Beqja krijoi kompaninë private “INTECH+ Sh.p.k”; me të cilën gjatë pushtetit të PD mori 11 milionë Euro tenderë, ndërsa gjatë pushtetit të PS, ka marrë 30 milionë Euro tenderë e vazhdon të marrë.

Në vitin 2011, pasi Beqja iu bashkua Edi Ramës dhe nuk po jepte pjesën te hajdutët e PD-LSI, iu hoq mandati i deputetit me prova për përfitim fondesh nëpërmjet firmës “INTECH+”..

Në periudhën shtator 2011- shtator 2013, ishte këshilltar i grupit parlamentar të PS, ndërsa më pas ka qenë ministër Shëndetësie e 8 vite deputet, kohë kur ka bërë batërdinë me afro 2 miliardë Euro vjedhje me tenderë e koncesione në shëndetësi.

Nga periudha tetor 2021-nëntor 2023, Ilir Beqja ishte Drejtor i Fondeve të BE në kryeministri, ndërsa nga korriku 2024 është në burg për vjedhje në shëndetësi dhe fondet e BE./Pamfleti

ilir beqja kontributet

Lini një Përgjigje