TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia27 Prill 2026, 10:20

Kontrabandisti i Kapshticës, Mario M. Berberi: si e korruptoi sistemin doganor dhe u kthye në makth për distributorët

Shkruar nga Pamfleti
Kontrabandisti i Kapshticës, Mario M. Berberi: si e korruptoi sistemin
Mario M. Berberi/

I arrestuar dy herë dhe i skeduar nga Policia si "person me precedent penal", Mario M. Berberi ka korruptuar gjithë sistemin doganor, duke futur pa taksa Red Bull, Nivea dhe Coca-Cola grek që përfundojnë në magazinën e tij 2 milionë euro në Kamëz, të fshehur pas prestanome-s Robert Kadriu...

Një 33-vjeçar nga Devolli, i arrestuar dy herë dhe i skeduar nga Policia e Shtetit si "person me precedent penal", ka ndërtuar një perandori biznesi mbi korrupsionin sistematik të doganierëve në Kapshticë dhe Tiranë. Përmes një skeme piramidale në bashkëpunim me agjencinë doganore , Mario Maks Berberi futi nga Greqia pa doganë Red Bull, Nivea, Milka dhe Coca-Cola, duke u kthyer në një problem kombëtar për distributoret zyrtarë.

Pronar i një magazine 2 milionë euro në Kamëz dhe një kompanie me xhiro 90 milionë lekë në vit, Berberi është provë e gjallë se si sistemi doganor shqiptar po i rrit kontrabandistët në milionerë.

Më 26 korrik 2018, Policia e Korçës arrestoi gjashtë persona në aksin Bilisht-Korçë, pasi dy automjete me pije energjike kishin kaluar doganën e Kapshticës pa asnjë kontroll. Tre prej të arrestuarve ishin doganierë në detyrë: F.G, K.N dhe R.M. Tre të tjerët civilë: shoferët K.M, R.Sh, dhe një 26-vjeçar nga Devolli që Policia e identifikoi si "porositësin e këtij malli". Emri i tij ishte Mario Berberi.

Tetë vjet më vonë, Mario Berberi nuk është më një të dyshuar modest në një rrugë kufitare. Ai është milioner. Kompania e tij, Berberi Company sh.p.k, ka xhiro 85 milionë lekë në vit. Ndodhet në kilometrin e parë të rrugës Bilisht-Kapshticë, në të njëjtën rrugë ku u arrestua. Dhe së fundmi është bërë ortak në një projekt energjetik në Devoll, bashkë me familjet më të fuqishme të juglindjes.

Për të kuptuar se si një kontrabandist i kapur në flagrancë u shndërrua në biznesmen të paprekshëm, duhet parë skema.

I skeduar nga agjencitë e zbatimit të ligjit si pjesë e kontrabandës së mallrave, Mario Maks Berberi nga Devolli është kthyer në një shqetësim kombëtar pasi ka korruptuar të gjithë doganën e Kapshticës. Mekanizmi ishte i thjeshtë: produktet i nxirrte si prodhim për eksport. Në letra, malli dilte jashtë shtetit. Në realitet, nuk kalonte askund matanë. Përfundonte në magazinat e tij. Kështu shmangte TVSH-në, akcizën dhe çdo detyrim tjetër doganor. Doganierët mbyllnin sytë dhe vulosnin dokumentet sikur malli të ishte eksportuar. Pa taksa, pa akcizë, pa TVSH.

Ky ishte një operacion i vazhdueshëm, i cili e ktheu Berberin në një armik të hapur të distributoreve zyrtarë. Red Bull grek futej pa doganë dhe shitej me çmime që distributori shqiptar nuk mund t'i konkurronte. E njëjta gjë me Milka-n, Nivea dhe Coca-Cola. Distributori zyrtar i Red Bull në Shqipëri ka bërë denoncime të përsëritura dhe në disa episode ka arritur të bllokojë fizikisht mallin kontrabandë. Por mekanizmi nuk u çmontua kurrë.

Për të vënë në lëvizje këtë vëllim malli, Berberit i duhej infrastrukturë. Së fundmi ai ka ndërtuar një magazinë gjigande me vlerë 2 milionë euro, ku operon kompania Best Price shpk. Në letra, pronari i Best Price është Robert Kadriu. Në realitet, Kadriu është punonjës i Berberit, një prestanomë që mban pronësinë formale ndërsa pronari i vërtetë qëndron në hije. 

Kontrabandisti i Kapshticës, Mario M. Berberi: si e korruptoi sistemin
Magazina e Best Price shpk
Kontrabandisti i Kapshticës, Mario M. Berberi: si e korruptoi sistemin

Profili kriminal i Berberit nuk është ndërtuar nga media. Është konfirmuar nga vetë Policia e Shtetit.

Më 4 gusht 2019, një vit pas arrestimit për kontrabandë, Berberi u arrestua sërish në fshatin Liqenas të Pustecit. Sipas njoftimit zyrtar, ai u konfliktua "për motive të dobëta" me një banor të zonës dhe djalin e tij 15-vjeçar dhe i kanosi me pistoletë. Policia e arrestoi në Korçë dhe i gjeti armën me krëhër fishekësh, pa leje. Materialet u referuan për kanosje, vetëgjyqësi dhe mbajtje pa leje armësh.

Por fjalia vendimtare në atë njoftim është kjo: "Berberi është person me precedent penal, i arrestuar edhe më parë për disa vepra penale, mes tyre për kontrabandë mallrash."

Ky është konfirmim zyrtar. Policia e Shtetit e klasifikon Mario Berberin si "person me precedent penal" dhe thotë se ai është arrestuar për "disa" vepra penale, jo një.

I arrestuar dy herë. I klasifikuar nga Policia si "person me precedent penal". I skeduar nga agjencitë e zbatimit të ligjit si pjesë e kontrabandës së mallrave. Dhe pavarësisht gjithë kësaj, biznesi i tij nuk u ndal. Përkundrazi, shpërtheu.

Në vitin 2018, kur u arrestua për kontrabandë, kompania e Berberit kishte xhiro 8.7 milionë lekë. Në vitin 2019, viti i kanosjes me pistoletë, 13.1 milionë lekë. Në vitin 2020, në mes të pandemisë, 20.7 milionë. Pastaj erdhi viti 2022. Xhiroja u trefishua në 74.7 milionë lekë dhe fitimi shtatëfishohet nga 2.1 në 14.2 milionë lekë. Në vitin 2023, Berberi Company kapërceu 90 milionë lekë xhiro.

Një kompani transporti dhe tregtie në një bashki kufitare nuk i dhjetëfishon të ardhurat në pesë vjet pa një shpjegim. Shpjegimi është se rritja përkon me intensifikimin e kontrabandës dhe me formalizimin gradual të flukseve që më parë qarkullonin tërësisht në të zezë.

Për këto dosje nuk dihet në çfarë faze hetimi ndodhen, apo nëse disa prej tyre janë pushuar fshehurazi. Nuk dihet nëse administrata tatimore ka hapur ndonjëherë një auditim për të shpjeguar trefishimin e xhiros. Nuk dihet pse Drejtoria e Përgjithshme e Doganave nuk ka ushtruar kontroll të plotë mbi deklaratat doganore të Berberi Company. Nuk dihet nëse SPAK ka një dosje për këtë rrjet.

Por dihet që Mario Berberi vazhdon. Me magazinat në Kamëz, me kompanitë në Bilisht, me prestanomën që mban firmën dhe me ortakë të rinj në sektorin energjetik.

Nuk është e vështirë të kuptohet se për çfarë shërbimesh të tilla ky kontrabandist i skeduar nga agjencitë e zbatimit të ligjit mbetet i paprekur. /Pamfleti

Vijon me: si Mario Berberi, kontrabandisti i Kapshticës, u bë ortak në një park fotovoltaik në Devoll bashkë me familjet Kapurani dhe Myrtollari, dhe çfarë lidhjesh ka kjo strukturë me Bashkinë e Devollit, ish-kryetari i së cilës u çua për gjykim nga SPAK.

mario berberi

5 Komente

  1. T
    Tony

    Duke pare kete surrat ne foto nuk me mbushet kurre mendja se ky derrkuc te jete kaq i mencur e i zoti. Germoni o Taret e qevereise ne se doni te kapni pronarin e derrit. Shqiptaret nuk i genjes as vete zoti, se i kane syte te hapur e kane pare tere te mirat e te ligat e kesaj bote.

    1. A
      Ashtukot!

      Ky duhet te jete ndonje qe e kane tredhur dhe i kane thene dil e bej burg per ne se do te paguajme, sic kane bere dhe me pare!

      1. D
        Dori

        Te vjen turp për shkollat qe ben dhe informacion qe u jep bizneseve te rregullta. Ti sipas ligjit, keta me Maliq dhe te dalin te intimidojne se ku di gje ti ca behet ne terren. E gjejn zgjidhjen fap fap

        1. S
          Salikos

          O Pamflet pse nuk permend me te drejte dhe shefin e pikes se kalimit kapshtice Mariglen Koro qe eshte bashke puntor me kete Marion dhe qe i ka krijuar lehtesira per kalimin e mallrave kondrabande deri ne lejimin e kalimit te xhipave te mbushur plot me mall dhe nuk kontrolloheshin as nga kontrolloret e vijes se pare as nga ata te vijes se dyte ne hyrje.O pamflet pse nuk i ben thirrje AMP Elbasan Korce te hetoje dhe pse jo edhe te arrestoje apo jane te kapur dhe te blere nga keta te dy.Drejtori i AMP rajonale Dritan Pjetri bashke me argatin e tij ne Korce Kevin Lipo shkojne shpesh ne kapshtice dhe takojne Mariglen Koron kete e pohojne te gjithe policet e kapshtices,por nuk degjuam per hetime dhe arrestime sepse sic duket jane edhe vete ne tave.Mjere kush punon drejt.

          1. Mos flisni pa i njohur njerzit,eshte djale puntor,po mbase ka bere cik kontrabande,po me djerese i ka.leket.fle ne kamjon djali.

            Lini një Përgjigje