TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia21 Qershor 2025, 10:24

Banka Shqiptare e Zhvillimit: një skemë e re piramidale e legalizuar me firmën e Edi Ramës

Shkruar nga Pamfleti

Banka Shqiptare e Zhvillimit: një skemë e re piramidale e legalizuar

Me 49% të aksioneve për grupe të dyshimta turke dhe arabe, dhe përjashtim nga ligji bankar, qeveria po krijon një bankë PPP që grumbullon depozita pa garanci reale, për të financuar klientelën e Ramës dhe partnerët ndërkombëtarë të skemave të pastrimit...

Pas miratimit të Ligjit nr. 23, datë 17 mars 2025 për krijimin e Bankës Shqiptare të Zhvillimit, qeveria shqiptare ka vendosur më 19 qershor që kjo bankë të funksionojë si shoqëri aksionare (Sh.A), me Ministrinë e Financave si aksioneren e parë dhe zotëruese e shumicës së aksioneve. Ky vendim vjen pas një ndryshimi të befasishëm të përmbajtjes së projektligjit fillestar, vetëm 24 orë përpara miratimit në Kuvend.

Në versionin fillestar, parashikohej që kjo bankë të ishte 100% në pronësi dhe administrim të shtetit. Por papritur, ky përcaktim u zëvendësua me një formulim të ri, që lejon përfshirjen e individëve dhe subjekteve private; si banka, kompani jo-bankare dhe fonde investimesh, duke e transformuar kështu në një strukturë të tipit partneritet publik-privat (PPP).

Ky ndryshim i minutës së fundit, që është bërë me ndërhyrje të qarqeve të fuqishme jashtë qeverisë dhe me dakordësinë personale të kryeministrit Edi Rama, ngre dyshime të forta për ekzistencën e interesave të fshehta financiare, që nuk kanë lidhje me zhvillimin e ekonomisë kombëtare, por me ndërtimin e një banke me mision paralel dhe të kontrolluar nga jashtë.

Sipas statutit, Banka Shqiptare e Zhvillimit do të ketë për objektiv mbështetjen e zhvillimit ekonomik e social përmes financimeve në sektorët e nënfinancuar, me fokus te ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe projektet infrastrukturore. Por, burime të brendshme nga Ministria e Financave konfirmojnë se ndarja e aksioneve do të jetë: 51% shteti dhe 49% privat, çka do të thotë se shteti ka shumicën teknike, por jo kontrollin real të linjave të biznesit.

Aktorët privatë që kanë shfaqur interes për të marrë 49% të aksioneve, sipas informacioneve të siguruara nga “Pamfleti”, janë grupe financiare mafioze nga Turqia dhe vendet arabe, të cilat prej kohësh janë favorizuar nga Babloku me leje ndërtimi, pasuri publike, zona të lira ekonomike dhe tenderë me vlerë miliona euro.

Kjo skemë nuk është e re. Pjesa më e madhe e këtyre grupeve janë të lidhura me rrjete më të mëdha; rusë, kinezë, serbë, hungarezë, maltezë dhe bjellorusë, që kanë depërtuar në ekonominë shqiptare përmes koncesioneve, privatizimeve dhe investimeve të mëdha, me një prapavijë që nuk është gjithmonë e pastruar.

Veçanërisht shqetësues është fakti se funksionet e kësaj banke përfshijnë edhe grumbullimin e depozitave nga qytetarët dhe bizneset, dhe dhënien e kredive në këmbim të kolateraleve që mund të jenë deri 3 herë më të larta se shuma e kredisë. Por në rast falimentimi, garancia për depozituesit është vetëm deri në 2.5 milionë lekë të reja, duke krijuar një skemë të ngjashme me firmat piramidale të viteve ‘90, ku individët humbnin kursimet e jetës.

Për të shmangur përgjegjësinë direkte të bankës përballë qytetarëve, është futur në skemë Posta Shqiptare, e cila do të shërbejë si ndërmjetës për grumbullimin dhe menaxhimin e depozitave, një manovër që synon të mbulojë riskun e falimentimit të qëllimshëm, duke e ndarë përgjegjësinë dhe duke e zhvendosur goditjen tek struktura të pafuqishme për të mbrojtur interesat e qytetarëve.

E gjithë kjo ndodh ndërkohë që, sipas ligjit të miratuar, Banka Shqiptare e Zhvillimit është e përjashtuar nga zbatimi i ligjeve që rregullojnë veprimtarinë e bankave të tjera, çka i jep asaj statusin e një entiteti paraligjor me fuqi të pakontrollueshme.

Me fjalë të tjera, kemi të bëjmë me krijimin zyrtar të një strukture të ngjashme me firmat piramidale, të mbështetur me ligj dhe të justifikuar si “zhvillim ekonomik”.

Në këtë skemë të ndërtuar me precizion për të thithur depozita, për të favorizuar grupe të lidhura me pushtetin dhe për të siguruar garanci të njëanshme, qeveria shqiptare po e shet rrezikun si mundësi, ndërsa qytetarët dhe bizneset do të mbeten, edhe një herë, viktima të një aventure që mund të përfundojë në kolaps financiar të paralajmëruar./Pamfleti

banka shqiptare e zhvillimit skemë e re piramidale

Lini një Përgjigje