
Ndërsa SPAK dhe organet ligjzbatuese vazhdojnë t'i “bien fyellit” për bandën e Amant Josifit, një tjetër hallkë e këtij rrjeti vijon të pastrojë miliona euro në qendër të Tiranës, nën mbrojtjen e drejtuesve të Policisë së Shtetit.
Kompania “MVC Production Sh.p.k.”, me pronar dhe administrator 28-vjeçarin Klaris Bakiasi, është regjistruar zyrtarisht me një adresë pranë Myslym Shyrit. Por në realitet, kjo kompani nuk ka asnjë lidhje me marketingun e deklaruar. Sipas të dhënave pranë hetimit, “MVC Production” është thjesht lavatriçja ku pastrohen miliona eurot e vjedhura nga skemat mashtruese forex, duke operuar në disa zyra në Tiranë, por kryesisht pranë shkollës “Partizani”, në një nga zonat më të frekuentuara të kryeqytetit.
I riu nga Lushnja, Klaris Bakiasi, nuk ka vepruar vetëm. Ai identifikohet qartë si pjesë e bandës së Amant Josifit, e njëjta strukturë që akuzohet për vjedhjen e qindra milion eurove përmes rrjetit të call-center-eve të mashtrimit. Por ndryshe nga sa pritej, Bakiasi jo vetëm që nuk është ndaluar, por prej muajsh vazhdon të zgjerojë aktivitetin e tij kriminal.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se Klaris Bakiasi, nëpërmjet pagesave të larta dhe rryshfetit të mirëorganizuar, ka siguruar mbulesën e drejtuesve të ndryshëm në Policinë e Shtetit. Falë kësaj mbrojtjeje, ai ka arritur jo vetëm të arkëtojë shifra marramendëse nga mashtrimet forex, por edhe t’i shpenzojë ato publikisht, pa pasur asnjë mundësi justifikimi ekonomik.
Automjete luksoze, pasuri të paluajtshme dhe investime në biznese të tjera; e gjitha kjo është bërë e mundur ndërsa dosja e tij mbetet e bllokuar dhe asnjë nga strukturat e drejtësisë nuk ka nisur sekuestrimin e pasurive.
Paralelisht me rastin e Amant Josifit, ku asnjë nga 14 pronat e familjes nuk është prekur, edhe në rastin e Klaris Bakiasit dhe “MVC Production” nuk ka asnjë vendim sekuestrimi. Kompania vijon të funksionojë në qendër të Tiranës, pranë shkollës “Partizani”, duke pastruar eurot e vjedhura në forex, ndërsa policia dhe SPAK preferojnë heshtjen.
Në nëntor 2022, kur EUROPOL, Policia Spanjolle dhe SPAK zhvilluan operacionin e përbashkët kundër grupit “Milton” dhe rrjetit të call-center-eve mashtruese, Klaris Bakiasi ishte tashmë në listën e personave të lidhur me bandën. Por ashtu si Amant Josifi u largua për në Dubai, edhe Bakiasi vijon të jetë i paprekshëm në Shqipëri.
Policia nuk flet. SPAK nuk vepron. Pavarësisht të dhënave të qarta pranë hetimit që e lidhin Klaris Bakiasin me bandën e Josifit dhe e cilësojnë “MVC Production” si lavatriçe parash, asnjë institucion nuk ka ndërmarrë hapa konkretë për sekuestrimin e pasurive apo mbylljen e aktiviteteve.
Ndërkohë, 28-vjeçari nga Lushnja vijon të pastrojë miliona euro, të paguajë rryshfet dhe të zgjerojë investimet e tij luksoze, ndërsa drejtësia “i bie fyellit” se po heton. /Pamfleti
Lini një Përgjigje