TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia27 Mars 2026, 14:00

Olsi Rama dhe Amant Josifi: Testi i vërtetë i drejtësisë përballë mafies call-center

Shkruar nga Pamfleti
Olsi Rama dhe Amant Josifi: Testi i vërtetë i drejtësisë
Amant Josifi Olsi Rama/

Amant Josifi vazhdon i lirë në Dubai, Olsi Rama nuk është prekur nga hetimet, ndërsa pasuritë e tyre në Shqipëri; kompani ndërtimi, bare, restorante, taksi e fast-food etj, mbeten të paprekura në emër prestanomësh. Në këtë test kyç, SPAK duket se heziton të veprojë, duke lënë pezull pyetjen nëse drejtësia është vërtet e barabartë për të gjithë

Në muajt e fundit, SPAK ka ndërmarrë operacione të rëndësishme kundër krimit të organizuar, duke demonstruar kapacitete në rritje në goditjen e grupeve kriminale ndërkombëtare. Megjithatë, një pyetje mbetet pezull mbi këtë institucion kyç të reformës në drejtësi: a është SPAK i gatshëm të përballet me testin e vërtetë; hetimin e figurave me lidhje të forta politike?

Në qendër të këtij testi janë dy emra: Amant Josifi dhe Olsi Rama, vëllai i kryeministrit Edi Rama. Rrethanat e përfshirjes së tyre në akuza për mashtrim nëpërmjet rrjeteve të call-center-eve dhe mënyra se si SPAK ka trajtuar këto çështje, ngrenë shqetësime serioze për pavarësinë dhe vullnetin e institucionit për të zbatuar ligjin pa dallim.

 “Milton Group” dhe rrjeti i call-center-eve

Sipas hetimeve të ndërmarra nga Prokuroria e Bambergut në Gjermani dhe autoritetet spanjolle, Shqipëria u bë një bazë e rëndësishme për aktivitetet mashtruese të grupit ndërkombëtar “Milton Group”. Kjo organizatë kriminale financoi një rrjet të gjerë call-center-sh në vend, të cilat mashtronin qytetarë të huaj, kryesisht gjermanë, duke u premtuar fitime nga tregtimi i valutës (Forex) dhe më pas duke u vjedhur miliona euro.

Në deklaratat e tij pas paraqitjes në SPAK në janar 2026, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e solli këtë çështje në vëmendjen publike, duke akuzar se pas këtyre qendrave qëndronin figura të njohura. “Janë dyqind sipërmarrje, të cilat të patronuara siç dihet nga Olsi Rama, ortaku i Amant Josifit, të cilat ditë e natë vjedhin qytetarët e huaj me mashtrime,” deklaroi Berisha, duke shtuar se kjo veprimtari kriminale mbështetej nga struktura të policisë.

Por çfarë ndodhi kur autoritetet shqiptare ndërhynë?

SPAK, mbrojtja dhe arratisja

Më 8-9 nëntor 2022, në Shqipëri u zhvillua një aksion i përbashkët i drejtësisë spanjolle, gjermane, EUROJUST, SPAK-ut dhe Policisë së Shtetit. Objektivi ishin qendrat e mashtrimit.

Megjithatë, zhvillimet pas këtij aksioni kanë ngritur dyshime serioze. Sipas një hetimi të publikuar nga Insajderi, dy të arrestuarit në këtë operacion, Erindi Pisqyli dhe Berlando Saraçaj, deklaruan se Olsi Rama ishte “shefi” faktik, organizatori dhe drejtuesi i këtij aktiviteti në Shqipëri. Për më tepër, ata pohuan se Amant Josifi ishte ortaku i tij.

Por, çuditërisht, emri i Olsi Ramës u hoq nga lista e personave të përfshirë nga drejtuesit e SPAK-ut dhe Policisë. Në të njëjtën kohë, dyshohet se Amant Josifi, i cili ishte në kërkim nga drejtësia spanjolle, u njoftua paraprakisht për aksionin, duke i mundësuar të arratisej në Dubai, ku ndodhet ende i lirë sot.

Në fillim, SPAK konfiskoi pasuri dhe e shpalli në kërkim Josifin, por më pas, sipas burimeve, hetimi për të u ndërpre dhe u fshi nga regjistri i çështjeve penale. Ky veprim, i cili sugjeron një tentativë për të mbyllur çështjen, ka minuar besimin se SPAK po vepron me integritet të plotë.

Dosja Josifi/ Nga call center-at te “asistenca crypto” dhe pastrimi i parave në fast-food-e, bare, kompani taksi e investime në ndërtim

Dosja “Xibraka”; një precedent tjetër

Kjo nuk është hera e parë që emri i Olsi Ramës përshkohet nëpër dosjet e SPAK-ut pa pasoja. Në dosjen e laboratorit të kokainës në Xibrakë, ku një grup kriminal përpunonte sasi të mëdha droge, provat e përfshirjes së Olsi Ramës ishin të shumta, duke përfshirë përgjime dhe të dhëna nga sistemi kufitar TIMS.

Pas një kallëzimi nga deputeti Gazment Bardhi, SPAK-ut iu desh të rihapë hetimet për këtë çështje. Megjithatë, vetëm një muaj më vonë, prokuroria e pushoi sërish çështjen, duke deklaruar se nuk kishte prova të mjaftueshme. Pushimi i shpejtë i çështjes nuk i hodhi poshtë dyshimet, por i thelloi ato për mbrojtjen e brendshme që gëzon vëllai i kryeministrit.

Ndërkohë, hetimet e reja në Gjermani për bosin izraelito-gjeorgjian të “Milton Group”, i cili është arrestuar dhe ekstraduar, kanë rihapur sërish dosjen shqiptare. Gjurmët e këtij hetimi pritet të çojnë përsëri te Olsi Rama dhe Amant Josifit si përfaqësues të këtij rrjeti mashtrues në Shqipëri.

Amant Josifi ndodhet i lirë në Dubai. Pasuritë e tij në Shqipëri, të mbajtura me prestanome në ndërtim, bare, restorante, taksi e fast-food, nuk janë prekur. Dhe SPAK, për të cilin u krijua reforma në drejtësi, duket se nuk po lëviz.

Pyetja e madhe që shtrohet sot është: A do të qëndrojë SPAK-ut në lartësinë e misionit të tij, apo do të përkulet sërish për të mbrojtur të afërmit e pushtetit?

Testi i vërtetë i SPAK-ut nuk është operacioni kundër grupeve të largëta kriminale, por gatishmëria për t’u përballur me peshën e politikës kur ajo prek shtëpinë e saj. Nëse drejtësia gjermane dhe spanjolle kërkojnë të marrin në pyetje dhe të hetojnë Olsi Ramën dhe rrjetin e pastrimit të parave të Amant Josifit, veprimi i prokurorisë shqiptare do të tregojë nëse Shqipëria ka një sistem të vërtetë të pavarur drejtësie, apo vetëm një institucion që funksionon sipas interesave të momentit... /Pamfleti

olsi rama amant josifi spak call center milton

1 Komente

  1. R
    R

    SPAK do beje as me shume e as me pak se sa ate qe ka bere deri me sot. Per kerkesat e USA dhe Angli realizojne dicka. Per te tjerat asgje. Faktet jane shume por asnje pasuri e sekuestruar nga vjedhjet e politikaneve qe vec gryerjes ekonomike jane dhe kanceri shoqeror ne Shqiperi. Mos prisni me shume nga SPAK. Per shqipetaret SPAK eshte luga bosh.

    Lini një Përgjigje