TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia28 Mars 2026, 12:25

Si i ra "bixha" vëllezërve Bixha… "Kulla" që kontrollonte shtetin nga Kadastra në IKMT nën ombrellën e koordinatorit

Shkruar nga Pamfleti
Si i ra "bixha" vëllezërve Bixha… "Kulla"
Foto ilustruese/

Kur "Kulla" u bë qendra e pushtetit paralel

Në zemër të Tiranës, pranë liqenit artificial, ndodhet një ndërtesë e njohur në gjuhën e korridoreve të pushtetit si "Kulla". Aty ndodhej drejtoria qendrore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK). Por për një grup të zgjedhur njerëzish, "Kulla" nuk ishte thjesht një zyrë publike. Ishte një fortesë kontrolli, një qendër komandimi nga ku drejtoheshin me telefon gjithë zyrat e kadastrës në Shqipëri.

Në krye të kësaj strukture qëndronte Dallëndyshe Bici, një emër që do të bëhete sinonim i një prej skemave më të sofistikuara të klientelizmit dhe kapjes së shtetit të dokumentuar ndonjëherë në Shqipëri. Por Bici ishte vetëm pjesa e dukshme e ajsbergut. Pas saj qëndronte një emër tjetër, një figurë qendrore e krimit të organizuar dhe ndikimit në vendimmarrje: Ergys Agasi.

Tani, në dosjet e SPAK-ut dhe BKH-së, po zbërthehet një rrjet i tërë ku vëllezërit Bixha, kunati i Agasit dhe një plejadë drejtuesish të kadastrës dhe IKMT-së vepruan si një mekanizëm i vetëm, duke kontrolluar tenderët, koncesionet, naftën, inertet dhe vetë ligjin.

Ky është rrëfimi i pandëshkueshmërisë së organizuar.

"Do ja q** robt"; Modus Operandi i një grupi kriminal

Gjithçka nis me një mesazh. Më 6 mars 2019, ora 21:54:43, Ergys Agasi i shkruan Alqi Bllakos. Mesazhi është i shkurtër, por shpërthyes:

"Do ja q* robt do fusim çunat…."*

Sipas dosjes së SPAK-ut, kjo frazë nuk ishte asnjë lloj shprehje e zakonshme. Ajo përfaqësonte "modus operandi"-n e grupit të Agasit: përdorimin e forcës dhe lidhjeve me persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore për të hequr pengesat administrative.

Pengesa, në atë kohë, ishte Damian Gjiknuri, atëherë ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë. Gjiknuri po qëndronte si pengesë për emërimin e një personi të caktuar në administrator të një shoqërie koncesionare. Ai person ishte Elgerti Bixha, i njohur në komunikimet e grupit me nofkën "Labi".

SPAK e ka dokumentuar këtë episod si provën kryesore të një modeli që do të përsëritej vazhdimisht: kur institucionet nuk bindeshin, hynin "çunat". I njëjti model do të çonte më vonë edhe në rrëmbimin e biznesmenit Gerond Meçe.

Por për "Labin", pengesa u hoq përfundimisht. Jo nga frika, por nga një riorganizim i pushtetit që do të vinte vite më vonë, kur njerëzit e Agasit do të vendoseshin në pikat kyçe të shtetit.

"Kulla"; Si Kadastra u bë feudi i Agasit

Në vitin 2023, Dallëndyshe Bici u vendos në krye të ASHK-së. Ishte një moment kyç. Nga "Kulla", ajo filloi të ndërtonte një strukturë paralele, një shtet brenda shtetit.

Në qendër të këtij operacioni ishin dy burra që do të bëheshin "asat" e kadastrës së Tiranës: Klesti Çela dhe Ervin Bixha.

Klesti Çela, kunati i Ergys Agasit, u emërua drejtor i ASHK-së për Tiranën. Nga ky post, ai kontrollonte çdo aplikim që vinte përmes e-Albania. Sipas burimeve nga hetimi, "kompjuteri" i Kullës ia dërgonte "fill në xhep" aplikimet Çelës ose Bixhës. Ata vendosnin se cilat leje do dilnin dhe cilat do mbeteshin në harresë.

Ervin Bixha, vëllai i Elgertit ("Labit"), ishte njeriu i besuar i Bicit. Ai e kishte ndjekur atë në çdo lëvizje: nga IKMT në ASHK dhe përsëri në IKMT.

Por grupi i Bicit nuk përbëhej vetëm nga 'cunat' e Agasit. Ajo kishte krijuar një rreth të ngushtë femrash që kontrollonin rrjetin:

Elona Gogo (Bici), motra e saj, e pandehur nga SPAK për tenderin e famshëm Kardhiq-Delvinë, vlerë 108 milionë euro.

Valbona Shala, një nga dyshja që drejtonte nga "Kulla" me telefona gjithë zyrat e ASHK-së në qarqe.

Ina Luçi (Kasandra) , e emëruar drejtoreshë e ASHK Vlorë në korrik 2023, e thirrur nga labët "Kasandra".

Kur Bici u largua nga Kadastra për të kaluar në IKMT, i gjithë grupi e ndoqi. Dorëheqjet brenda një dite tronditën ASHK-në: Ina Luçi, Klesti Çela, Ervin Bixha lanë menjëherë detyrat. Ata u ripozicionuan me Bicin në IKMT.

Nga Kadastra në IKMT; Kontrolli i dherave, inerteve dhe mjedisit

Në IKMT, Dallëndyshe Bici nuk erdhi vetëm. Ajo solli të gjithë strukturën e saj.

Klesti Çela u bë drejtor i Mjedisit në IKMT. Një pozicion kyç për të kontrolluar inspektimet, lejet dhe ndëshkimet në fushën e mjedisit.

Ervin Bixha u bë këshilltar i saj, duke u kthyer në "ekzekutorin" e vendimeve të grupit. Ishte ai që drejtoi aksionin e dhjetorit 2022 për prishjen e Prestige Resort, një ndërhyrje e diskutueshme që u interpretua si ekzekutim i vendimeve të "mafies qeveritare".

Ina Luçi u largua nga ASHK Vlorë duke lënë pozicionin vakant, në pritje të një ripozicionimi.
Pse ishte kaq e rëndësishme kontrolli i IKMT-së? Sepse aty kontrolloheshin dherat dhe inertet.

Brenda strukturave të IKMT-së shpërtheu një konflikt i fortë mes Fatmir Metës dhe Klesti Çelës. Meta kishte bllokuar mjetet e subjekteve që derdhnin dhera në rrethinat e Tiranës. Çela, si drejtues i Mjedisit, mbronte interesat e këtyre subjekteve. Konflikti kulmoi me një episod të dhunshëm brenda ambienteve të IKMT-së, ku Çela u shpall në kërkim nga policia pas një sherri me qyta pistoletash.

Por pse ishte kaq i rëndësishëm fluksi i dherave? Sepse Elgerti Bixha, vëllai i Ervinit dhe "Labi" i Agasit, administronte një kompani që merret pikërisht me inertet.

Pra, skema ishte kristal e pastër: vëllai Elgert kontrollonte kompaninë e inerteve, vëllai Ervin operonte brenda IKMT-së si këshilltar dhe kunati i Agasit, Klesti Çela, ndodhej në drejtimin e Mjedisit në IKMT. Kush i kontrollonte inspektimet e dherave? Kush jepte lejet? Kush bënte sytë qorr? Të njëjtët persona.

Nafta, mbetjet e rrezikshme dhe monopolet vertikale

Rrjeti i Agasit dhe Bixha-ve nuk u ndal te inertet. Elgerti Bixha, sipas të dhënave të QKB-së, rezulton administrator dhe aksioner me 50% të shoqërisë "ECOCLEAN" (ish "Albdrilling Green"), një kompani me seli në Fier.

50% tjetër e aksioneve të "ECOCLEAN" janë në pronësi të shoqërisë "ALB-STAR" të Idajet Ismailajt, i njëjti biznesmen që po ndërton kompleksin turistik "Manastiri Resort" në Gjirin e Manastirit.

Veprimtaria e "ECOCLEAN" është tronditëse në horizontin e saj:

Operon në industrinë e naftës, gazit dhe minerareve.

Zotëron vendburime nafte në Patos, të përfituara në mënyrë klienteliste.

Merret me administrimin e mbetjeve të rrezikshme: grumbullimin, transportin, ruajtjen e përkohshme, përpunimin, trajtimin, asgjësimin, importimin dhe eksportimin e tyre.

Çfarë kemi këtu? Të njëjtat kompani që zotërojnë vendburime nafte, kontrollojnë edhe trajtimin e mbetjeve të rrezikshme që këto vendburime prodhojnë. Një monopol vertikal i plotë në një sektor tepër të ndjeshëm dhe fitimprurës. Dhe në qendër të këtij monopoji qëndron Elgerti Bixha, "Labi", njeriu që Agasi donte të fuste me çdo kusht në koncesione që në 2019-n.

Por lista nuk mbaron me kaq. Elgerti Bixha është i lidhur gjithashtu me "ECO ENERGY GROUP" dhe "Dinamo City", duke dëshmuar se influenca e tij shtrihet nga energjia te ndërtimet e mëdha.


SPAK-u godet, por struktura mbetet

Në dhjetor 2025, qeveria shkarkoi Dallëndyshe Bicin nga drejtimi i IKMT-së. Ajo tashmë ka një dosje penale për shpërdorim detyre dhe ka refuzuar të dëshmojë. Motra e saj, Elona Gogo, është nën hetim nga SPAK për tenderin Kardhiq-Delvinë. Klesti Çela është shpallur në kërkim. Ervin Bixha u shkarkua në mars 2026.

Por pyetja mbetet: a është goditur rrënja e kësaj skeme?

SPAK ka informacione të plota për veprimtarinë korruptive brenda "Kullës". Në dosjet e prokurorisë speciale ndodhen faksimile të komunikimeve, lista emrash dhe prova të modelit kriminal të ndjekur nga Ergys Agasi dhe rrjeti i tij.

Megjithatë, Elgerti Bixha vijon të jetë administrator i kompanive strategjike. Ergys Agasi, koka e grupit, mbetet figurë qendrore e hetimeve, por deri tani pa pasoja të prekshme.

Modeli i grupit është i qartë: përdorimi i strukturave shtetërore (ASHK, IKMT) për të kontrolluar tregje (nafta, inertet, mbetjet e rrezikshme), përmes vendosjes së personave të besuar (Bixhajt, Çela) në pozicione kyçe, dhe mbrojtja e këtyre intereseve me forcë dhe kërcënime kur institucionet nuk bindeshin.

Ajo që zbulon dosja e SPAK-ut nuk është thjesht një rast korrupsioni. Është një arkitekturë e tërë pushteti paralel, ku një grup personash, të lidhur mes tyre me interes ekonomik, krushqi dhe besnikëri kriminale, kanë ushtruar kontroll mbi vendimmarrjen shtetërore për vite me radhë.

Nga koncesionet e ministrisë së Gjiknurit te tenderët e AKSHI-t, nga vendburimet e naftës në Patos te derdhjet e paligjshme të dherave në Tiranë, nga rrëmbimi i biznesmenëve te dhuna brenda institucioneve; Ergys Agasi, vëllezërit Bixha, Dallëndyshe Bici dhe Klesti Çela kanë ndërtuar një sistem që funksiononte si një orë.

Pyetja që mbetet pa përgjigje është: kush i mbrojti ata gjatë gjithë këtyre viteve?

Sepse asnjë skemë e këtij niveli nuk mund të funksionojë pa mburoja në nivelet më të larta të pushtetit. Dhe derisa SPAK-u të zgjidhë këtë enigmë, "Kulla" mund të ketë ndryshuar drejtues, por modeli i pandëshkueshmërisë së organizuar mbetet i paprekur. /Pamfleti


Ky artikull bazohet në dokumente hetimore, kontrolle të BKH-së, të dhëna nga Qendra Kombëtare e Biznesit dhe informacione të siguruara nga burime pranë hetimeve.

ergys agasi dallëndyshe bici ervin bixha edvin bixha elgerti bixh klesti cela ina luci

5 Komente

  1. E
    Eno

    Mbajeni këtë shkrim se ka shumë vlerë. Nëse mundeni, përsëriteni.

    1. T
      TRE

      Ore nuk ësht kaq sipërfaqësore çështja.. Gys Agasi ka pas shtyp Dallëndyshen pa bisht të AKSH dhe IKMT-s

      1. M
        Malo

        Ore kuptoje gjithcka shkruhet,por kush eshte burre ti vare zilen Macokut ne gushe….!!

        1. Z
          Zoto Kanina

          Si s'kemi një Avni ti eliminojë fizikisht këto fismidhje... se vetëm kshu shpëtojmë.

          1. E
            Ervehe

            Turp e faqja e zeze te kesh ne krah nje grua si Dallandyshe Bici qe duket qe ne fytyre qe eshte monster grua. Femra nga natyra eshte e brishte e bute e mencur, punetore, dinjitoze etj, por kjo grua nuka asnjeren nga keto veti. Ja keta jane njerezit qe e drejtojne Shqiperine e mjere. Duke filluar nga kryellumi Edi Rama dhe duke vazhduar mente gjithe keta.

            Lini një Përgjigje