Ajo që u pa ishte se emergjencat civile në Shqipëri, një vend anëtar i NATO-s, nuk kanë as pajisjet më të domosdoshme në raste zjarresh
Shqipëria po përballet me një situatë emergjence zjarresh, ndërsa Kryeministri Edi Rama, tentoi ta relativizojë atë me atë që po ndodh në shumë nga vendet e tjera, përfshi Greqinë, Spanjën, Turqinë apo edhe Bullgarinë.
Por në të paktën dy Bashki, atë të Gramshit dhe Delvinës, banorët e zonave rurale u përballën me një situatë apokaliptike, ku zjarret dolën jashtë kontrollit, ndërsa u vu re një kapitullim i autoriteteve. Janë vetë dëshmitë e njerëzve që e konfirmojnë këtë, ndërsa humbën shtëpitë, bagëtitë, të mbjellat. E vetmja gjë që duket se funksionoi ishte evakuimi me forcë ose jo i qytetarëve, në emër të asaj se jeta e njeriut është shumë me e shtrenjtë se gjithçka tjetër. Po kjo është e vertetë dhe askush nuk e vë në diskutim, por ata njerëz që humbën pasuritë e tyre modeste, të vëna për vite me rradhë në fshatra që konsiderohen të humbur, sot nuk e dinë nëse do të mund të kompensohen ose jo, për dëmet që iu shkaktuan nga një fatkeqësi natyrore, ndërsa Qeveria nuk ka shpallur asnjë situatë emergjence, qoftë edhe lokale.
Por çfarë treguan 48 orët e fundit?
Ajo që u pa ishte se emergjencat civile në Shqipëri, një vend anëtar i NATO-s, nuk kanë as pajisjet më të domosdoshme në raste zjarresh. E ndërsa pamë zjarrfikës të gatshëm për të shkuar në vendngjarjet, asnjë prej tyre nuk ishte i veshur me kostume kundra zjarrit, asnjë prej tyre nuk kishte atë bombulën 20-25 kg me ujë, asnjë prej tyre nuk kishte të siguruar ato kushtet më minimale, qoftë edhe për t’i mbrojtur jetën gjatë operacioneve. I pamë me lopata dhe degë pemësh në duar, si mjetet kryesore për të shuar flakët.
Dhe ky është kapitullimi i parë institucional, qoftë lokal apo qeveritar, qoftë i Emergjencave Civile apo Forcave të Armatosura, që në kohë paqeje kanë vetëm një detyrë: të mbrojnë qytetarët dhe territorin në raste të fatkeqësive natyrore.
Përballja me zjarret tregoi se kur automjetet zjarrfikëse nuk mund të shkojnë në zonat ku janë vatrat, për shkak të terrenit, pritet derisa të vijë një avion apo helikopter kundër zjarreve nga ndonjë vend fqinj, a thua se flakët ndalen, dhe presin sa të marrë masat Qeveria, Ushtria, Emergjencat Civile apo qoftë edhe ata që drejtojnë këta sektorë.

Zjarret janë një histori që përsëriten vit pas viti, ashtu si edhe përmbytjet. Kur përballemi me to kujtohemi se duhen marrë disa masa, por sapo përfundon historia, sërish nuk lëvizet dhe të tilla situate përsëriten si ai filmi që jepet njëherë në 3 muaj apo 6 muaj, ndërsa pritet të shikohet një sekuencë tjetër, ndërkohë që ka vetëm përsëritje.
Thjesht mënyra se si sillen të gjithë nga Kryeministri te ai drejtori i Emergjencave, ministri i Mbrojtjes apo i Brendshëm, është vetëm një shoë, me ndryshimin e vetëm që ‘Babloku’ shfaqet me syze të kuqe, dhe askush nuk e ndalon që herë të marrë rolin e policisë që njofton sa piromanë janë arrestuar dhe herë të na thotë sa hektarë janë shkrumbuar, sa shtëpi e bagëti janë djegur, por kur nuk tregon çfarë masash ka marrë… /Pamfleti/
Lini një Përgjigje