
Një vatër zjarri është shfaqur në malin e Shëngjinit, ndërsa në terren janë angazhuar shërbimet zjarrfikëse dhe punonjës të shërbimit pyjor. Për shkak të erës, rrezikohet që flakët të përhapen, ndoshta duke rrezikuar edhe banesat që shërbejnë si rezidenca për pushues të ndryshëm. Pikërisht për këtë arsye është kërkuar një ndërhyrje e kordinuar nga të gjitha institucionet për të vënë nën kontroll flakët.
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, deputet në zonën e Lezhës, përmes një reagimi apelon për ndërhyrje nga zjarri. Zjarri, thotë ai po rrezikon qytetarët dhe banesat.
“Flakët dhe tymi janë kudo rreth qytetit si rrezik real i çastit por edhe pak më afatgjatë për shëndetin! Deri tani, përpjekjet për ta shuar kanë qenë modeste. Duhet ndërhyrje urgjente jo vetëm nga pushteti lokal por nga qeveria qendrore me çdo mjet, mundësisht me helikopter nga ajri.
Nuk ka më kohë për propagandë. Mosveprimi po shndërrohet në krim mjedisor , në rrezik për jetën e pronat në kulmin e sezonit turistik. I bëj thirrje Kryeministrit Edi Rama, ministrit të mbrojtjes Niko Peleshi t’i përgjigjen apelit për të ndërhyrë ushtria dhe çdo institucion që mund të jetë i dobishëm. Nuk duhen fjalë dhe mbi të gjitha jo gënjeshtra, por lëvizje menjëherë e Qeverise dhe Shtetit nëse kemi ende të tilla në të vërtetë e jo në spote propogande”, shkruan ai.
Po ashtu masivi pyjor tek ‘Firza e Qemës’, në Bashkinë Has është përfshirë nga flakët, gjatë pasdites së sotme. Zjarri ka përfshirë masivin pyjor të këtij fshati në një terren tejet të vështirë dhe në distancë të largët nga rrugët automobilistike.
Mësohet se janë nisur ekipet e shërbimit zjarrfikës të bashkisë Has bashkë me punonjësit e shërbimit pyjor, ndërsa era po favorizon përhapjen e tij. Ndërkohë në dy vatrat e tjera aktive të Zogajve në Tropojë dhe Letaj të Hasit po punohet për izolimin e tyre.
Lini një Përgjigje