
Gjykata e Tiranës ka lënë në burg Ilir Brahimin dhe Edison Haxhiun, të cilët akuzohen se janë autorë për vrasjen e Gentjan Bejtjas në Larushk.
Ilir Beqaraj alias Brahimi, alias Mançellari, dhe Edison Haxhiu, të cilët u arrestuan ditën e djeshme janë dy të dyshuarit si autorë të vrasjes brenda banesës, të ish-policit Gentjan Bejtja, mbrëmjen e 15 marsit në Larushk të Fushë-Krujës.
Policia ka arritur që të zbardhë lëvizjen e autorëve pas momentit që kanë djegur makinën e krimit. Ilir Beqaraj dyshohet se është një nga autorët që ka marrë pjesë në ekzekutim, ndërsa Edison Haxhiu akuzohet se u ka vënë në përdorim autorëve mjetin tip ‘Golf’ për t'u larguar nga Fushë Kruja.
Sipas dinamikës së ngjarjes, autorët janë afruar në banesën e Bejtjas dhe e kanë ekzekutuar me breshëri kallashnikovi. Menjëherë pas vrasjes, ata janë larguar me mjetin tip ‘Land Rover’ drejt aksit Larushk – Thumanë dhe e kanë djegur makinën në fshatin Hasan.
Më pas ata dyshohet se janë larguar në drejtim të fshatit Bubq në Krujë me mjetin tip ‘Golf’, pronari i të cilit, Edison Haxhiu, u arrestua nga policia.
Zbërthimi i lëvizjes së autorëve është identifikuar nga kamerat e sigurisë. Paraprakisht dyshohet se në këtë atentat kanë marrë pjesë katër persona, pasi edhe në brendësi të automjetit që u gjet i djegur, u konstatuan katër armë zjarri.
Referuar burimeve hetimore, ka dyshime se Ilir Beqaraj mund të jetë paguar për vrasjen e Gentian Bejtjas. Po ashtu ka dyshime se Beqarja është i implikuar në trafik të lëndëve narkotike.
Lini një Përgjigje