
Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca ka bërë një bilanc në ''Të Pashoq'' të ngjarjeve të vitit 2024 për çështjet më të ndjeshme dhe ato që bënë bujë mediatike, që nga vrasja e Eglit në Pogradec e deri te vrasja e Martinit të vogël në Tiranë.
Për t’u ndalur te ngjarjet që kanë bërë bujë, kujtojmë vrasje e Egli Progës në Pogradec dhe atë të Martin Canit te shkolla Fan Noli në Tiranë, ka ndonjë kanal ndërhyrjeje për të dhënë kontributin e tij Avokati i Popullit?
Mandati i Avokatit të Popullit për këto çështje është i kufizuar vetëm në garancinë që ne duhet t’u japim qytetarëve për garantimin e aspekteve procedurale të administrimit të drejtësisë dhe jo për vendimmarrjet apo për vendimin e përcaktimit të veprës penale etj.
Për ngjarjen e Pogradecit çfarë bëri konkretisht Avokati i Popullit?
2 ditë pas ngjarjes ngritëm një grup i cili shkoi në Pogradec, ka bërë takime në Policinë e Pogradecit, në drejtorinë e Policisë Korçë dhe në Prokurorinë e Korçës. Ka takuar prokuroren për të trajtuar dhe saktësuar nëse ka pasur deklarime nga policia që kishin deklaruar se i ndjeri kishte ndërruar jetë pasi ishte i alkoolizuar. Në fakt rezultoi se për asnjë çast policia e shtetit nuk kishte bërë një deklaratë të këtij lloji. E gjitha ishte keqkuptuar dhe keqriprodhuar në mënyrë të vazhdueshme në media. Por kishte një bashkëpunim jo të mirë të policisë dhe prokurorisë për të zbardhur dhe mbledhur provat në vendin e ngjarjes. Një tjetër problem ishte që të gjitha pamjet e sigurisë nuk kishin pamje të qarta dhe nuk shihej nga të gjitha anët.
Ndërkohë që ne kemi një ligj që përcakton qartë sesi duhet të jenë kamerat e sigurisë. Vendi duhet të ishte shumë i monitoruar. Nuk ka pasur në vendngjarje prani të oficerëve të policisë gjyqësore. Ka pasur pretendime të ardhura te ne, se ka njohuri jo shumë të thelluar për mbledhjen e provave në vendngjarje dhe ky ka qenë një shqetësim për disa ngjarje kriminale. Pra, vendi i ngjarjes u ndot dhe nga persona të tjerë që ndërhynë dhe prishë provat. Kemi pyetur personat që ishin aty dhe kuptuam që nuk ka pasur neglizhencë nga ana e policisë për të identifikuar autorët. Përsa i përket përcaktimit të dënimit ne nuk jemi kompetentë dhe e kemi të ndaluar të japim mendime për vendimet që i takojnë gjykatës.
Po në lidhje me rastin e 14-vjeçarit Martin Cani?
Lidhur me rastin e Martin Canit, unë e mendoj se ka qenë një nga ngjarjet më të rënda që kanë ndodhur në vend. Të miturit kanë një trajtim ndryshe Brenda ligjit, krahasuar me të tjerët. Jo vetëm që masat e dënimit janë të ndryshme por edhe mënyra e zhvillimit të hetimit është e ndryshme. Kemi një kod të posaçëm, që është Kodi Penal i Drejtësisë për të mitur që i përcakton të gjithë ata fëmijë që janë të ekspozuar ndaj një vepre penale në konflikt me ligjin, kanë procedurë të ndryshme të marrjes në pyetje, të fiksimit të provave krahasuar me të rriturit. Prandaj ky lloj kufizimi informacioni dhe të dhënit të të gjitha detajeve nga ana e prokurorisë për shkak të ligjit, ka bërë që personat të mendojnë se vërtet mund të ketë një fshehje apo manipulim të ngjarjes.
Nuk e përjashtoj se mund të kenë ndodhur por besoj se Prokuroria këtë rast do ta zbardhë deri në detajin më të fundit. Nuk besoj se ka prokuror që në një rast të tillë nuk do merrnin vendime të drejta.
Lini një Përgjigje