Gjatë qëndrimit zyrtar të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese në SHBA, Kryetarja e kësaj Gjykate Holta Zaçaj dha një intervistë për Zërin e Amerikës ku bëri një përmbledhje të shkurtër të qëllimit të takimeve të zhvilluara me disa nga personalitetet me të larta të drejtësisë në Washington, rolit të Gjykatës Kushtetuese, marrëdhëniet me parlamentin dhe sfidat me të cilat kjo Gjykatë po ndeshet.
Në këtë intervistë, Zaçaj pohoi se gjatë takimeve me zyrtarët e lartë në Washington, u trajtuan çështjet më të rëndësishme dhe aktuale të gjyqësorit dhe drejtësisë shqiptare dhe u fol veçanërisht për rëndësinë që Gjykata Kushtetuese ka në zgjidhjen e konfliktit të kompetencave midis organeve shtetërore, në interpretimin përfundimtar të Kushtetutës dhe garantimin e respektimit të të drejtave dhe lirive themelore.
E pyetur nga gazetarja e Zërit të Amerikës Kejda Kostreci në lidhje me kritikat e opozitës për vendimarrjen e cështjes Rama Meloni, Kryetarja e Kushtetueses u shpreh se palët e pakënaqura kanë të drejtën e tyre të kriticizmit si e drejtë e lirisë së shprehjes, cka i mundëson të gjithë aktorët të japin mendimin e tyre.
Në lidhje me mandatin e Xhaçkës, Zaçaj tha: "Situata e pazakontë dhe e pamundur për të ndodhur në një shtet demokratik. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhen të zbatohen. Institucionet që i kanë për detyrë t’i zbatojnë duhet të sillen në mënyrë kushtetuese".
E pyetur për votën e emigrantëve, Zaçaj u përgjigj: "Gjykata flet me vendime, duhet të zbatohen, nuk është lënë në dorë të politikës të vendosi se si dhe në ç’mënyrë duhet të të zbatojnë vendimet, ato janë të vetëzbatueshme. Çdo vendim që nuk përkon me atë të Gjykatës Kushtetuese nuk janë vendimet apo veprimet e duhura."
Opozita e kritikon se mban anën e qeverisë, kryetarja e Gjykatës Zaçaj përgjigjet: "Në çdo vendim të Gjykatës ka palë të pakënaqura. Gjykata vepron në mënyrë hermetike. Gjyqtarët janë të pavarur, nuk veprojnë nën presion."
Lini një Përgjigje