Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po zhvillohet seanca e gjykimit në themel ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe të pandehurve të tjerë që po përballen me proces të zakonshëm gjyqësor.
Veliaj nuk është paraqitur edhe këtë herë në sallën e gjyqit, pasi vijon të kundërshtojë zhvillimin e seancave nga kafazi i qelqtë.
Ndërkohë, bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, e cila së fundmi ka sjellë në jetë fëmijën e saj, ka kërkuar përmes mbrojtjes ligjore shtyrjen e seancës së sotme dhe pezullimin e procesit për 63 ditë, duke iu referuar raportit mjekësor dhe periudhës së lejes pas lindjes.
"Vullneti i znj. Xoxa është ai i shprehur në kërkesën drejtuar gjykatës. Ajo ka qenë në pamundësi për t'u njohur me përmbajtjen e tyre. Edhe më parë ka qenë me raport mjekësor, por ne kemi përgatitur dhe kemi punuar për kërkesat paraprake. E pandehura ka shprehur qëndrimin e saj, duke bërë të ditur faktin se më 29 qershor ka kryer lindje me operacion dhe nuk mund të komunikojë lirshëm dhe privatisht me mbrojtësit, ndaj nuk mund të realizohet një mbrojtje efektive. Kërkohet shtyrja e seancës deri në përfundimin e raportit të paaftësisë për punë. Sipas Kodit të Punës, kërkohet shtyrja e procesit deri në shuarjen e kësaj problematike. Ligji garanton 63 ditë leje pas lindjes. Sa më sipër, në këtë situatë faktike, duke qenë në pamundësi për të siguruar një mbrojtje efektive, kërkohet pezullimi i procesit, bazuar në të drejtën e çdo nëne", tha avokati Gurali Brahimllari.
Përmes një deklarate, Xoxa ka bërë të ditur se dëshiron të jetë vetë e pranishme në proces dhe nuk u jep autorizim avokatëve të vijojnë mbrojtjen në mungesë të saj.
"Kërkoj të jem personalisht e pranishme dhe nuk autorizoj mbrojtësit e mi të vijojnë mbrojtjen time pa praninë time", ka deklaruar ajo.
Në seancën e mëparshme, GJKKO pezulloi për herë të tretë radhazi afatet e paraburgimit për Erion Veliajn. Gjykata rrëzoi gjithashtu kërkesën e tij për transmetimin live të procesit, si edhe kërkesën për t'u larguar nga kafazi i qelqtë.
Nga ana tjetër, prokurori Ols Dado ka argumentuar se qëndrimi i të pandehurit në kafazin e qelqtë nuk përbën trajtim poshtërues, por një masë që garanton mbarëvajtjen e procesit gjyqësor.
Sa i përket kërkesës për transmetim të drejtpërdrejtë, gjykata ka ritheksuar qëndrimin e saj të mëparshëm, sipas të cilit kamerat lejohen vetëm në fillim të seancave, gjatë pjesës teknike.
Lini një Përgjigje