
Ju ftojme te ndiqni Edicionin Informativ me zhvillimet kryesore deri ne kete ore te dites, ku nder te tjera vecojme:
Kryeministri Edi Rama është takuar në Athinë me homologun grek Kyriakos Mitsotakis, ku ka marrë pjesë edhe në Forumin Ekonomik të Delphi. Në një moment të takimit, Rama ka kërkuar falje për veshjen, ndërsa ka folur për një marrëveshje të re mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe për thellimin e bashkëpunimit dypalësh.
Në planin politik, kryetari i PD-së Sali Berisha ka akuzuar qeverinë se po fsheh realitetin e procesit të negociatave me Bashkimin Europian, duke pretenduar se kushtet për Shqipërinë po shtohen dhe se procesi nuk është transparent. Ai ka paralajmëruar edhe protesta të reja.
Nga ana tjetër, Gazment Bardhi dhe Jorida Tabaku janë takuar me një zyrtar të Komisionit për Çështjet Europiane në Senatin Italian, ku kanë rikonfirmuar angazhimin e opozitës për integrimin, duke akuzuar mazhorancën për mbrojtje të korrupsionit dhe krimit.
Në frontin e drejtësisë, SPAK ka vijuar një sërë operacionesh të mëdha. Është sekuestruar një pasuri e gjerë ndaj Ergys Agasit dhe Ermal Beqirit, me vlerë të madhe që përfshin jahte, toka, apartamente dhe biznese në disa zona si Petrelë, Lundër, Green Coast dhe Durrës. Në hetim është përfshirë edhe ish-drejtoresha e AKSHI-t Mirlinda Kërçanaj.
Po ashtu, SPAK ka goditur rrjete të lojërave të fatit në Laç, Milot dhe Tiranë, me arrestime dhe sekuestrime, ndërsa janë zbuluar edhe ambiente të “Call Center-a-ve”, ku dyshohet për përfshirje të punonjësve të policisë. Në një tjetër operacion antidrogë në Tiranë janë ekzekutuar 15 masa arresti nga 36 të lëshuara, me sekuestrime droge, armësh dhe parash.
Në kronikën e zezë, është zbardhur atentati në Memaliaj ku u vra 30-vjeçari Endri Goxhaj, ndërsa vijojnë hetimet për ngjarjen. Në Itali, një ngjarje tragjike familjare ka tronditur opinionin publik, ndërsa në Kosovë vendi përballet me rrezik zgjedhjesh për shkak të ngërçit politik dhe afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit.
Në arenën ndërkombëtare, SHBA dhe Irani mbeten në tension për çështjen e armëpushimit dhe sigurisë në rajon, ndërsa në Itali dhe Rusi ka përplasje diplomatike pas fyerjeve ndaj kryeministres Giorgia Meloni.
Në sport, sot vendoset finalisti i parë i Kupës së Shqipërisë në ndeshjen Elbasani–Egnatia në “Elbasan Arena”, një duel i hapur pas barazimit në sfidën e parë.
Lini një Përgjigje