Lexues te “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:
Djegia e kompleksit pranë QSUT/ 30 apartamente të prekura nga flakët; ende mister shkaku i zjarrit
Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu pasditen e djeshme një prej pallateve të një kompleksi banimi përballë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.
Nga zjarri, 30 apartamente janë prekur nga flakët që nisën në katin e parë të njërit prej bizneseve.
Shkaku i zjarrit nuk është përcaktuar ende. Pamjet apokaliptike tregojnë ndërtesën e shkrumbuar, rrënojat në këmbët e saj dhe tymin që ende del.
Fillimisht u raportua për deri në 11 persona të lënduar.
Por drejtori i urgjencës, Skënder Brataj, njoftoi se në spital ndodhen në total gjashtë persona, katër prej të cilëve zjarrfikës. Këta të fundit dhe një qytetar u transportuan tek toksikologjia, ndërsa një tjetër banore ka rezultuar me rreth 15% djegie. Të gjithë janë në gjendje të stabiluar shëndetësore.
Djegia e pallatit pranë QSUT-së/ Edi Rama: Do të rindërtohet 100%
Kryeminsitri Edi Rama ka reaguar për djegien e pallatit 12-katësh, pranë QSUT-së.
Sipas kryeministrit pallati që u dogj do të rindërtohet 100% nga vetë ndërtuesi.
"Pallati që u dogj dje në Tiranë, do të rindërtohet 100% nga vetë ndërtuesi, pavarësisht se nga të dhënat paraprake shkaku i zjarrit s’ka asnjë lidhje me vetë ndërtimin! Sepse ne nuk mund t’i lemë vetëm njerëzit e dëmtuar në pronën e tyre dhe nga ana tjetër, taksapaguesit nuk mund të paguajnë një dëm të cilin duhet ta paguanin sigurimet, rast kuptimplotë për të kuptuar të gjithë se sigurimi i shtëpisë nga fatkeqësitë është i domosdoshëm. Gjithësesi, të gjithë familjarëve të dëmtuar u them të ndjehen të qetë nga kjo anë dhe iu uroj vetëm shëndet, duke falenderuar nga zemra zjarrfikësit e forcat e rendit për punën heroike në shpëtimin e të gjitha jetëve të rrezikuara., shkruan Rama.
Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës, Arben Cara, deklaroi ditën e djeshme se është ende herët për të përcaktuar shkaqet e zjarrit.
Nis gjyqi ndaj Veliajt në GJKKO/ Debate në seancë për mungesën e tij
Procesi gjyqësor ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj ka nisur këtë të enjte në GJKKO, por seanca është shoqëruar me zhvillime procedurale për shkak të mungesës së të pandehurit.
Veliaj nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit, ndërsa sipas deklarimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk ka zbatuar urdhrin e gjykatës për shoqërimin e tij në seancë.
Avokati mbrojtës, Plarent Ndreca, u shpreh se mungesa e klientit të tij pengon zhvillimin normal të gjykimit, duke theksuar se Veliaj nuk ka shprehur qëndrim për pjesëmarrjen apo mospjesëmarrjen në seancë. Ai kërkoi gjithashtu që të gjitha fashikujt e dosjes hetimore t’i vihen në dispozicion, në përputhje me urdhrin e gjykatës.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e SPAK deklaruan se, bazuar në rrethanat aktuale, Veliaj nuk ka marrë dijeni për datën dhe orën e seancës. Ata shtuan se Drejtoria e Burgjeve nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për njoftimin dhe shoqërimin e tij, duke kërkuar sqarime mbi këtë mosveprim.
Mashtrim me TVSH/ Kush janë 5 kompanitë që i shkaktuan 500 mijë euro dëm shtetit
Prokuroria e Tiranës ka ndërmarrë një aksion ndaj disa kompanive të dyshuara për mashtrim me TVSH, duke vendosur masa sekuestrimi mbi aktivitetin dhe llogaritë e tyre bankare.
Hetimi ka identifikuar një skemë që ka shkaktuar mbi 500 mijë euro dëm ekonomik. Autoritetet kanë sekuestruar llogaritë bankare të kompanive “Olt Flor” dhe “Olti Grup”. Po ashtu, masa është zbatuar edhe ndaj shoqërive “Albavia” dhe “Standard”.
Në listën e subjekteve të përfshira në këtë procedim janë edhe kompania “Alaska”, “Kukës Chrome Minerals” dhe “Troci 2005”.
Masat e sekuestros janë ndërmarrë pasi autoritetet dyshojnë se fondet e këtyre kompanive nuk justifikohen me aktivitetin e tyre ekonomik.
Prokuroria vijon hetimet për të përcaktuar rolin e secilit subjekt në skemë dhe për të dokumentuar përgjegjësitë ligjore.
Për më shumë, klikoni në linkun e lajmeve të orës 12.00
Lini një Përgjigje