
Universiteti i Tiranës, institucioni më i madh i arsimit të lartë në vend, u listua dhjetë vende larg fundit të tabelës së universiteteve në Evropë.
Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, e ftuar në emisionin “Real Story” me gazetarin Sokol Balla, foli për këtë temë, teksa u mundua të justifikojë gjendjen e arsimit në vend , duke thënë se universiteti ynë është rirenditur për shkak se në listë janë përfshirë edhe universitetet perëndimore.
“Në fakt ky rankim që ka dalë është një rankim që është i ri për Evropën dhe ku na ka përfshirë dhe ne. Është rankim i ri sepse janë futur vendet e Evropës perëndimore. Duke u shtuar në total. Në Evropë numërohen rreth 3800 universitete. Ky është një rankim që ka marrë universitetet që të parat sot në këtë rankim, është Oxford, Kembrixhi.
Në rankimin e mëparshëm, rankoheshim me vende referencë vendet e Evropës qendrore, lindore. Ndërkohë që tashmë ky rankim i ri përfshin rankimin e universiteteve perëndimore dhe jugore dhe vlerëson këtë rankim ku përfshihen dhe universitetet shqiptare. Pra ne jemi rirenditur. A jemi të kënaqur? Jo.
Ajo që profesor Hoxha tha është se ky është një proces, që është duke u pasuruar me të gjithë informacionet sepse të gjitha rankimet kanë metodologji dhe elementet e kritereve që hap pas hapi edhe universitetet duhet të plotësojmë. Por të kemi parasysh diçka.
Ne kemi në vitet e fundit bërë një përpjekje të jashtëzakonshme për ndërkombëtarizimin e universiteteve, që universitetet tona të kenë programe të përbashkëta studimi, të njohura me universitetet e huaja dhe sot ne kemi 28 programe të përbashkëta studimi dhe diploma dyfishe ku 25 prej tyre janë të përbashkëta dhe tre janë diploma dyfishe”, u shpreh ministrja.
Lini një Përgjigje