
Ministri i Punëve të Jashtme, Igli Hasani ka reaguar lidhur me aksidentin e ndodhur paraditen e sotme pranë ambienteve të Ministrisë së Jashtme.
Një automjet përplasi një këmbësor teksa po kalonte te vijat e bardha. I aksidentuari ishte punonjës i Ministrisë së Jashtme.
Në një postim në “Facebook”, ministri Hasani ka njoftuar se punonjësi i cili u aksidentua ndodhet në Spitalin e Traumës jashtë rrezikut për jetën dhe se gjendja e tij është stabël.
Ndërkohë, ka falenderuar Urgjencën Kombëtare, Spitalin e Traumës dhe Policinë e Shtetit.
“Shpreh mirënjohjen time për Urgjencën Kombëtare, Spitalin e Traumës dhe Policinë e Shtetit për gatishmërinë dhe profesionalizmin e treguar në reagimin ndaj aksidentit të ndodhur pak orë më parë, ku një koleg i yni u përplas nga një automjet ndërsa po kalonte rrugën pranë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Ndërkohë që autoritetet përkatëse po punojnë për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, dëshiroj të informoj se kolegu ynë është jashtë rrezikut për jetën, në gjendje stabël dhe nën kujdesin e mjekëve të Spitalit të Traumës”, shkroi Hasani.
Lini një Përgjigje