
Autoritetet kanë izoluar në qelitë e ndërtuara enkas 10 nga 40 emigrantët e akomoduar në kampin e Gjadrit, që tashmë funksionionon si një CPR, ku strehohen ata që Italia i ka dëbuar ose u ka refuzuar azilin dhe presin riatdhesimin në vendet e origjinës.
Vendimi për izolimin e 10 emigrantëve erdhi pas kaosit të shkaktuar në kamp, ku 20 nga 40 të akomoduarit gjatë një revolte nisën të shkatërrojnë infrastrukturën e qendrës.
Madje 3 prej tyre i kanë shkaktuar vetes dëmtime me mjete prerëse, kryesisht xhama, ndërsa më parë kishin thyer dritaret e dhomave ku qëndronin.
Fatmirësisht asnjë nga të lënduarit nuk ishte serioz. Ndërkohë, një nga emigrantët të cilit iu anulua urdhri i dëbimit është kthyer tashmë në Itali.
Në kampin e Gjadrit vepron ligji italian, sikundër edhe personeli i përket autoriteteve italiane, përfshi edhe ruajtja e sigurisë në brendësi të kampit, ose brenda rrethimit.
Opozita dhe disa organizata që mbrojnë të drejtat e emigrantëve në Itali kanë kundërshtuar ngritjen e kampit të emigrantëve në Gjadër dhe më pas ndryshimet ligjore nga Italia, për të kthyer qendrën pritëse në një CPR.
Opozita në Itali ka deklaruar se kjo lëvizje e Qeverisë Meloni bëhet për të justifikuar miliona euro që janë përdorur për të gjithë operacionin e transferimit të emigrantëve.
Lini një Përgjigje