
Prokuroria e Tiranës kërkon konfiskimin e pasurive të ish-zyrtares Alda Klosi, që nga nga shuma mbi 500.000 euro deri tek apartamenti, garazhi e makina.
"Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë kërkon konfiskimin e pasurive të shtetases Alda Klosi pasi u vërtetua që pasuria objekt kërkese për konfiskim, nuk ka prejardhje të ligjshme dhe u provua se kjo pasuri është krijuar gjatë aktivitetit kriminal.
Më datë 27.12.2022, kjo prokurori, mbi bazën e materialit të referuar nga Komisariati i Policisë Nr.2 Tiranë, ka regjistruar procedimin penal nr.9220, për veprën penale “Vjedhja” parashikuar nga neni 134/3 i Kodit Penal. Nga aktet e hetimit rezultoi se më datë 15.12.2022, rreth orës 14:10, është njoftuar Salla Operative e Policisë Tiranë se në Rrugën e “Kosovarëve”, se tek pallati “Orion” është vjedhur banesa e shtetases A. K.
Nga kontrolli i ushtruar në banesën e R.D. dhe H.D. (autorë të vjedhjes), më datë 06.01.2023 janë gjetur dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale: shuma prej 58.150 (pesëdhjetë e tetëmijë e njëqind e pesëdhjetë) euro. Ndërsa më datë 07.01.2023, ora 19.30, në banesën e tyre nga policia gjyqësore janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale: Shuma prej 404.800 (katërqind e katërmijë e teteqind).
Hetimi penal vërtetoi se paratë dhe valuta euro/dollarë të sekuestruara në banesën e shtetasve R.D dhe H. D., janë vjedhur tek banesa e shtetases A.K.
Gjithashtu, ndaj të pandehurës A. K., është ngritur akuza për kryerjen e veprës penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë, i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a/2 i K. Penal dhe është dërguar kërkesa për gjykim me datë 09.10.2023.
Sa më sipër, organi i prokurorisë konkludon se shuma e parave të sekuestruara në banesën e R. D dhe apartamenti/garazhi i blerë në vitin 2019 nga ish – bashkëshorti i saj A.K., janë fshehur dhe nuk janë deklaruar në ILDKPKI. Këto pasuri nuk janë të justifikuara, pasi nuk mbulohen me të ardhura të ligjshme dhe derisa nuk janë të deklaruara, nuk provohet ligjshmëria e tyre.
Në këto kushte, brenda afatit gjashtë mujor, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm,Tiranë, paraqet kërkesën për konfiskim dhe kalimin në pronësi të shtetit të pasurive të mëposhtme:
Shuma monetare 368.000,00 (treqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë) Lekë, 15.600,00 (pesëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind) USD dollarë amerikanë, 462.950,00 (katërqind e gjashtëdhjetë e dy mijë e nëntëqind e pesëdhjetë) Euro, sekuestruar për llogari të procedimit penal nr. 9220/2022 dhe arkëtuar në llogarinë e Prokurorisë në bankën “Credins Bank”, sipas mandateve përkatëse datë 10.01.2023;
Apartament me sipërfaqe 85.09 m2 të shfrytëzueshme me numër pasurie 6/572+1-35, ZK 8210, Vol. 42,Fq 127 pasuri e ndodhur në Tiranë, në pronësi të shtetasit A. K.;
Garazh me sipërfaqe 14.06 m2 të shfrytëzueshme me numër pasurie 6/572-G 16 ZK 8210, Vol 42,Fq 74 pasuri e ndodhur në Tiranë, në pronësi të shtetasit A. K.;
Autoveturë Toyota Rav 4, me targa AA170ZY, Nr. Shasie JTMBB31V50D109772, në pronësi të shtetases A.K", thuhet në njoftim.
Alda Klosi është liruar me 4 prill nga qelia e burgut pas përfundimit të afatit të dënimit.
Klosi u dënua nga gjykata me 2 vjet e 6 muaj, ku pas gjykimit të shkurtuar i duhej të kalonte në institucionin e vuajtjes së dënimit 20 muaj. Ndërkohë pas lirimit do të qëndrojë në “Arrest shtëpie” për akuzën e dytë, atë të “Pastrimit të parave” derisa prokuroria të vendosë psas afatit që i la gjjykata.
Kujtojmë se fajtore u shpall dhe sanitarja e saj Rozeta Dobi e cila u dënua me 7 vite burg, me gjykim te shkurtuar 4 vite e 8 muaj.
Djali i saj Havier Dobi u dënua me 5 vite burg, ku në aplikim te gjykimi të shkurtuar u dënua me 3 vite e 4 muaj.
Alda Klosi është pronarja e banesës, në të cilën sanitarja Rozeta Dobi dhe djali i saj Havier Dobi grabitën një shumë rreth 120 mijë euro.
Vjedhja në banesën e ish-zyrtares së lartë ndodhi më 15 dhjetor të vitit 2022.
Pas raportimin në polici të vjedhjes dhe kontrolleve të kryera në banesën e nënë e bir, u gjetën rreth 405 mijë euro, 8500 dollarë dhe aksesorë floriri, të cilat dyshohet gjithashtu se janë vjedhur nga pastruesja Rozeta Dobi.
Ka qenë vetë Klosi ajo që ka bërë denoncimin në polici, teksa ka pretenduar se paratë ishin të një personi të afërt të saj i cili do të kurohej për një sëmundje të rëndë.
Vjedhja e banesës është kryer me çelësin që ka pasur pastruesja e shtëpisë, e cila ka shfrytëzuar momentin kur në banesë nuk ka pasur njeri. Ajo së bashku me të birin pasi kanë vjedhur shumën e parave kanë bërë rrëmujë në dhomën e gjumit për të humbur gjurmët.
E gjitha u bë me qëllimin e inskenimit të një skeme sikur banesa kishte rënë pre e grabitjes nga autorë të tjerë.
Lini një Përgjigje