
Nision incidentet, militantët sulmojnë goinën e qeverisë...
Ka nisur me dhunë protesta e opozitës kundër qeverisë. Sikundër është paralajmëruar, protesta e sotme është më agresive se protestat e tjera.
Fillimisht qytetarët u mblodhën te selia e PD më pas nisi marshimi drejt Kryeministrisë, ndërkohë që demokratët janë ndarë në disa grupe.

Sinjali i parë i incidenteve u dha para Presidencës, pasi aty u dogj një gomë. Ndryshe nga protestat e tjera, vihet re një shtim i policëve para Kryeministrisë. Po ashtu në tarracë janë pozicionuar snajperë. Ndërkohë janë marrë në ruajtje Bashkia e Tiranës, Ministria e Brendshme, Kuvendi dhe disa institucione të tjera.

Minutë pas minute
18.35- Deputetët e PD dalin nga selia blu, nis marshimi drejt Kryeministrisë
Deputetët e PD kanë dalë nga selia dhe janë nisur drejt Kryeministrisë.
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Falmur Noka dhe kreu i grupit, Gazment Bardhi janë nisur në drejtim të kryeministrisë për të protestuar.

Përpos tyre, në seli janë mbledhur edhe militantë, si edhe eksponentë të tjerë politik të Partisë Demokratike, si Gjekmarkaj, Paloka e të tjerë, të cilët po shkojnë në Kryeministri.
Noka e Bardhi preferuan të mos kenë një prononcim për mediat. Në mungesë të kryetarit Berisha, i cili ndodhet në arrest shtëpie për aferën Partizani, militantët po udhëhiqen nga Noka e Bardhi.
18.45- Ilir Meta i bashkohet mosbindjes civile, niset nga selia e PL-së drejt Kryeministrisë!
Protestë së opozitës i është bashkuar edhe kreu i PL-së, Ilir Meta. Ky i fundi ka dalë së bashku me anëtarët e PL-së nga selia e partisë për tu bashkuar më pas para kryeministrisë me protestuesit dhe drejtuesit e PD-së, Noka, Bardhi, Gjekmarkaj e Paloka.

18.58- Tym e flakë para Kryeministrisë, protestuesit hedhin molotov
Kanë nisur tensionet para Kryeministrisë. Protestuesit kanë hedhur molotov.
Situata ka agravuar sa protestuesit i kanë vënë flakën pemës.
Policia ka ndërhyrë me ujë për të shuar zjarrin.

19.05-Agravon situata, protestuesit i vënë flakën pemës para Kryeministrisë
Është tensionuar situata para kryeministrisë, qytetarët janë përplasur me policinë duke hedhur flakadanë e tymuese. Kujtojmë se protesta e sotme është paralajmëruar nga organizatorët si fillimi i mosbindjes civile deri në largimin e Ramës dhe krimin e qeverisë teknike për të çuar vendin në zgjedhje të lira e të ndershme.

Masat e policisë
Mësohet se mbi 1500 efektivë janë në terren. Forcat speciale, FNSH, "Shqiponjat", forcat e rendit dhe Garda kanë blinduar institucionet. Dyert e Kryeministrisë dhe të Kuvendit janë fortifikuar, teksa janë vendosur kamera sigurie me rezolucion të lartë. Po ashtu do të ketë dronë në qiell.

Vetë policia reagoi dje pasdite, ku bëri me dije se do të bllokohet qarkullimi në Bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe më pas në disa akse rrugore, të cilat janë: Kafe “Europa” – Segmenti “Ushtari i panjohur” deri te 9-katëshet; Shkolla “1 Maji” – kryqëzimi i urës së ATSH-së deri te rruga e Elbasanit; Kryqëzimi i Liceut Artistik deri te Fakulteti i Gjuhëve të Huaja; Sheshi “Skenderbej”, bashkia Tiranë dhe Pallati i Kulturës; Kryqëzimi i Librit Universitar; Kryqëzimi i 21-Dhjetorit deri te shkolla “Sabaudin Gabrani”; Kryqëzimet në zonën ish-Bllokut, rruga “Ibrahim Rugova” dhe rruga “Ismail Qemali”; Rrethrrotullimi “Zogu i Zi”; Kryqëzimi te ish-stacioni i trenit; Kryqëzimi i urës së Taiwanit; Kryqëzimi i rrugës së Kavajës me hyrjen e sheshit “Skënderbej”; Kryqëzimi i urës së ish-hotel “Dajti”; Kryqëzimi i 9-katësheve me Rrugën e Barrikadave; Rruga “Dritan Hoxha”, përpara vendit të quajtur “Kupola”; Kryqëzimi i pallatit me shigjeta.
Lini një Përgjigje