
16% e shqiptarëve sipas anketimit të Barometrit për Ballkanin Perëndimor kanë në planet e tyre afatshkurtër emigrimin jashtë kufijve të vendit. Sipas ekspertëve, kjo shifër është një tregues e dëshira për t’u larguar nga Shqipëria është një trend në rritje.
Konkluzioni i anketimit të Barometrit për Ballkanin Perëndimor se 16% e shqiptarëve preferojnë të emigrojnë sipas ekspertit Erion Muça është një trend në rritje.
Kjo ecuri sipas Muçës vjen edhe për shkak të kushteve joshëse që ofrojnë vendet e Bashkimit Evropian.
“Kjo vjen në një kohë kur shumë vende në BE kanë liberalizuar maksimalisht procedurat për punë sepse vuajnë nga nevoja për forcë dhe mendje pune në shumë sektorë dhe industri. Dhe duke i liberalizuar ato bëhen edhe më joshëse dhe tërheqëse kryesisht për punonjësit nga vendet e Ballkanit Perëndimor", tha eksperti për "Ora News".
Sipas Muçëss klima politike, pamundësia ekonomike dhe cilësia jo e mirë e jetesës janë shkaqet që çojnë drejt emigrimit.
“Ka të bëjë edhe me një mënyrë rebelimi ndaj pakënaqësisë së akumuluar gjithë këto vite brenda vendit, kur një profesionist me pagën që merr nuk përballon dot as shpenzimet minimale të të ushqyerit, duke lënë pas shumë nevoja e domosdoshmëri të tjera", shprehet ai.
Me tej Muça thekson se mosha me prekur qe shfaq interes për tu larguar jashtë vendit janë të rinjtë.
“Grupmosha më vurnerabël janë të rinjtë, kryesisht të pa arsimuar, pra që nuk kanë një shkollë të mesme profesionale apo arsim të lartë, por janë me arsim 9-vjeçar deri të mesëm, kryesisht nga zonat rurale të vendit që synojnë emigracionin. Gjithashtu janë familje në nevojë”, përfundoi ai.
Eksperti theksoi si të domosdoshme marrjen e masave konkrete dhe krijimin e disa strategjive për mbështetjen e sektorëve në ekonomi dhe vlerësimin e punonjësve në vendet e punës.
Lini një Përgjigje