TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet14 Dhjetor 2023, 08:15

Tragjedia e Gërdecit, Shkëlzen Berisha dëshmon sot për herë të parë në SPAK

Shkruar nga Pamfleti
Tragjedia e Gërdecit, Shkëlzen Berisha dëshmon sot për
Shkëlzen Berisha

GJKKO ka ngushtuar 'lakun' për tragjedinë e Gërdecit, ku ditën e sotme do merret në pyetje djali i ish kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha...

Për herë të parë, Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha do të dëshmojë sot në GJKKO për procesin e tragjedisë së Gërdecit.

Seanca pritet të fillojë në orën 09.00 dhe bashkë me Shkëlzen Berishën do të merret në pyetje edhe ish-ministri i Drejtësisë Aldo Bumçi.

Thirrja e Shkëlzen Berishës në të njëjtën seancë me Aldo Bumçin, lidhet me faksin që ky i fundit i ka dërguar Ministrit të Mbrojtjes së kohës Fatmir Mediu me shënimin “për Shkëlzen Berishën”, në pjesën e sipërme të dokumentit në krahun e majtë. Përveç këtij dokumenti, djali i ish-kryeministrit pritet të pyetet edhe për takime me ministrat e kohës në qeverinë Berisha dhe një telefonatë me Fatmir Mediun menjëherë pas shpërthimit në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona e mbi 300 mbetën të plagosur.

Faksi i vitit 2007 ku është shënuar emri i Shkëlzen Berishës, ishte dhënie mendimi aprovues nga Ministria e Drejtësisë, për projekt-vendimin e qeverisë të përgatitur nga Ministria e Mbrojtjes, për demontimin e municioneve në Gërdec. Më 26 janar 2023, Shkëlzen Berisha dhe Aldo Bumçi, janë pyetur edhe gjatë hetimeve paraprake nga prokuroria, ndërsa në gjykatë ata mbyllin listën e parë prej 52 dëshmitarësh.

Përveç Shkëlzen Berishës dhe ish-ministrit të drejtësisë Aldo Bumçi, para gjykatës do të dalin edhe 5 dëshmitarë të tjerë që ishin planifikuar për seancën e 7 dhjetorit. Plarent Ruka, Sokrat Papadhima, Liza Maksuti, Alma Zili e Anjola Agolli, pritet të japin shpjegime para gjykatës. Anjola Agolli është ish-sekretarja e ministrit të Drejtësisë Aldo Bumçi, e cila para prokurorëve ka pranuar se për çështjen Gërdeci janë nisur fakse nga Ministria e Drejtësisë për Ministrinë e Mbrojtjes nga zyra e Drejtorisë së Kodifikimit.

Në procesin për Gërdecin, pritet të pyeten më pas pjesa e dytë e listës, ku përfshihen ish-zyrtarë dhe ushtarakë të pandehur më parë për çështjen, përfshirë edhe ish-shefin e Shtabit Luan Hoxha, i cili ndodhet jashtë Shqipërisë që prej vitit 2012.

Tragjedia e Gërdecit, Shkëlzen Berisha dëshmon sot për
Faksi për Shkëlzen Berishën

Historia e Fax-it

Ky është faksi që Aldo Bumçi ka nisur nga zyra e tij, në adresë të një zyre në Ministrinë e Mbrojtjes ku punonte në mënyrë informale Shkëlzen Berisha për projektin e Gërdecit. Faksi është fotokopje e “Memo”-s zyrtare, që Bumçi si ministër Drejtësie i ka kthyer përgjigje Ministrisë së Mbrojtjes, për ta miratuar procedurën e koncesionit të Gërdecit me VKM nga qeveria. Por për të informuar paralelisht Shkëlzenin, që “çdo gjë është në rregull”, një fotokopje të “Memo”-s, i ka vënë shënimin sipër “Për Shkëlzen Berishën” dhe e ka nisur në një numur faksi që i korenspondon protokollit në Ministrinë e Mbrojtjes.

Sekretarja e Aldo Bumçit në dëshminë e saj në Prokurori dhënë në atë kohë kur u hetua e pranon se e ka nisur ajo faksin me porosi të Bumçit dhe ka parë Shkëlzen Berishën të hyjë dy herë në atë kohë tek zyra e Bumçit. Sekretarja e Ministrisë së Mbrojtjes, Anila Lala, pranon që ka marrë faksin nga Ministria e Drejtësisë dhe kur ajo e ka marrë, shënimi “Për Shkëlzen Berishën” ka qenë sipër faksit.

Ajo e ka çuar në një zyrë, ku ka menduar se mund ta merrte Shkëlzen Berisha. Pra, gjithë rruga informale ka qenë e qartë. Të gjithë raportonin te djali i Berishës.

Si ndodhi tragjedia e Gërdecit

Ishte data 15 mars (e shtunë), 2008 rreth orës 12:05, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në një "fabrikë" për demontimin e armëve humbën jetën të paktën 26 persona, punëtorë të kësaj fabrike “vdekjeje” e fëmijë të zonës. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa që shkatërroi 3000 banesa e biznese. Një “betejë” e gjatë dhe e ashpër po zhvillohet mes familjeve të viktimave, qeverisë dhe drejtësisë, me bazë akuzat e ndërsjellta mes palëve. Për këtë tragjedi prokuroria dërgoi 28 të pandehur në gjykatë, mes tyre edhe Mihal Delijorgjin, president i shoqërisë “Albademil”, Ylli Pinari, drejtor i kompanisë MEICO dhe Dritan Minxholli, administrator i fabrikës, të cilët janë liruar nga burgu pas kryerjes së dënimeve përkatëse.

Në shkurt 2013, Gjykata e Apelit reduktoi me 1/3 dënimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës për tre të pandehurit kryesorë të dosjes “Gërdeci”. Ndërsa vijon gjyqi ndaj Fatmir Mediut, aktualisht kryetari i Partisë Republikane dhe deputet në Parlament.  

spak shkelzen berisha gerdeci

Lini një Përgjigje