Banorët e fshatit Çiflik të Beratit kanë dalë në protestë pas gjendjes së rënduar që kanë shkaktuar përmbytjet e ditëve të fundit.
Banorët e zonës shprehen se janë mbytur tre herë brenda muajit, për shkak se bashkia ka bllokuar kanalin, me qëllim që të mos mbyten fshatrat e tjerë. Kjo gjë sipas tyre bën që fshati Çiflik të mbajë gjithë peshën e përmbytjeve.
Po ashtu protestuesit kanë treguar se punonjësit e Bashkisë, sëbashku me ndihmën e Policisë, po hedhin zhavorr dhe inerte në kanal, me qëllim bllokimin e tij.
Nga ana tjetër, nga ana e Bashkisë nuk ka pasur asnjë reagim se përse po kryhen këto punime në kanal, pikërisht në këtë moment.
“Ajo nuk të respekton moj motrë. E mora në telefon ma mbylli telefonin. Ku do vemi, ku do mbytemi? Do hidhnin akoma zhavorr ta bllokonin më keq, por i dola makinës para. 100 burra këtu dhe asnjë nuk doli, unë i dola makinës para dhe u thashë ‘do shtrihem këtu’”, tha një protestuese.
“Janë kriminela, të pocaqisur dhe të korruptuar. Të tërë të kapur nga korrupsioni. Në asnjë vend të botës nuk mbyllen kanalet, këtu i mbyllin. Unë po bëj 80-vjeç, këtu kurrë nuk ka ardhur lajmi. Ça të bëjmë tani? Të marrim armët? Pse s’e hap telefonin kryetarja e Bashkisë? Pse nuk vjen? Pse vjen për votat?”, u shpreh një tjetër.
“Ne do rrimë këtu, se po ikëm, ata do vijnë sërish ta bllokojnë. Ka qenë një portë këtu, që rrinte policia kur vinte lumi. Rrinte që të mos hapej porta. Kam insistuar dy herë për ta hapur, por nuk më kanë lënë. Është beton këtu, nuk ikën uji”, tha një tjetër banor i zonës.
“Dy herë, kjo është e treta herë. Ndihmon edhe Policia, për të bllokuar këtë urën këtu. Është bllokuar sepse Bashkia ka hall se mbyten andej nga kanë marrë paratë”, tha një tjetër banor.
Lini një Përgjigje