Situata e motit të keq dhe reshjeve intensive ka përshkallëzuar në disa zona të vendit, pas hapjes së portave të hidrocentraleve të Ulzës dhe Shkopetit. Prurjet në lumenj janë rritur ndjeshëm; nga HEC-i i Ulzës po derdhen rreth 400 m³ ujë në sekondë, ndërsa nga Shkopeti rreth 450 m³/s. Si pasojë, disa fshatra në zonën e Kurbinit dhe Lezhës janë përmbytur.
Autoritetet lokale ndodhen në terren dhe kanë nisur monitorimin e situatës nga afër, duke i bërë thirrje banorëve të shmangin lëvizjet në zonat e rrezikuara dhe të respektojnë udhëzimet e emergjencës. Pavarësisht përkeqësimit të kushteve, në Qarkun Kukës situata mbetet përgjithësisht e qëndrueshme. Reshje bore janë raportuar në Valbonë, ndërsa rrugët nacionale janë të hapura, me disa segmente që përballen me rrezik nga rënia e dherave dhe bllokimi i tombinove.
Në zonat malore të Kukësit, Tropojës dhe Hasit janë shënuar ndërprerje të pjesshme të energjisë elektrike në disa fshatra, përfshirë Kam, Zogaj dhe Çerem, ndërkohë që ujësjellësit funksionojnë sipas orareve të përcaktuara.
Më problematike paraqitet situata në Pogradec, ku si pasojë e rrëshqitjeve të dheut dhe përmbytjeve janë evakuuar 5 familje. Në fshatin Çeravë është regjistruar një rrëshqitje masive, ndërsa në Dardhas janë evakuuar tre familje. Një tjetër familje është larguar nga banesa në fshatin Verdovë, për shkak të gryerjes së tokës nga ujërat e lumit. Të gjitha familjet janë sistemuar përkohësisht dhe do të përfitojnë bonus qiraje deri në stabilizimin e kushteve.
Lini një Përgjigje