TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet10 Janar 2026, 15:03

Moti i keq në Kukës, banorët e Shtrezës mbeten të bllokuar: Të ndërtohet urgjentisht një urë!

Shkruar nga Pamfleti
Moti i keq në Kukës, banorët e Shtrezës mbeten të
Banorët e lagjes "Gjuta"

Prej ditësh Kukësi është nën ndikimin e reshjeve të dendura të shiut dhe dëborës, të cilat po krijojnë vështirësi serioze për banorët e zonave malore.

Në lagjen Gjuta, në fshatin Shtrezë të Njësisë Administrative Shishtavec, rreth 10 nxënës nuk po ndjekin mësimin, pasi për të shkuar në shkollat e fshatrave Shishtavec dhe Novosej u duhet të ecin në këmbë rreth 30 minuta në një rrugë malore fshati.

Situata bëhet edhe më problematike për shkak të urës së drurit, e ndërtuar nga vetë banorët rreth një vit më parë. Ura është e amortizuar dhe e rrezikshme për kalim, sidomos tani që kanë nisur edhe reshjet e dëborës, duke e bërë lëvizjen pothuajse të pamundur për nxënësit.

“Unë quhem Rilind Gjuta, jam nga lagjja Gjuta, fshati Shtrezë. Çdo ditë shkoj në shkollë në Shishtavec. Këtu është shumë e vështirë për të kaluar. Që kur u prish ura që kalonim, kemi bërë një urë provizore prej druri. Kur bie shi, ka shumë ujë, nuk mund të shkojmë në shkollë sepse na rrezikohet jeta. Duam një urë që të shkojmë në shkollë. Jemi 5-10 nxënës, ka edhe fëmijë të vegjël”, tha ai për “Report Tv”.

Ndërkohë, banorët e lagjes Gjuta shprehen se ura e drurit dhe rruga rreth 1 kilometër e gjatë u shërbejnë afro 15 familjeve. Sipas tyre, prej më shumë se një viti ndodhen në këtë situatë dhe sa herë ka reshje të dendura shiu apo dëbore, zona mbetet e izoluar, duke pamundësuar lidhjen me Kukësin dhe Shishtavecin.

Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse për ndërtimin e një ure të re, e cila do të garantonte siguri dhe akses normal për banorët dhe fëmijët që ndjekin shkollën.

“Ne jemi lagja Gjuta, jemi 15 familje, rreth 70 anëtarë. Kjo rrugë na ka shërbyer për nevoja familjare. Ka një vit e gjysmë që është kështu kjo rrugë, e kemi bërë me forcat tona. Kemi njoftuar edhe Këshillin Bashkiak. Kanë thënë do e bëjnë. Para fushatës, sollën 5 turbina. Shirat e mëdha nuk i përballojnë, duhet një urë. Kemi rregulluar urën me dru, por nuk është e sigurt”, u shpreh banori.

Lagjja Gjuta, në fshatin Shtrezë të Njësisë Administrative Shishtavec, ndodhet në një zonë të thellë malore dhe përballet çdo vit me problematika të ngjashme gjatë sezonit të reshjeve.

Lini një Përgjigje