Koncesioni i Sterilizimit ka sjellë përplasje mes ministrave të kabinetit “Rama”. Në dosjen e SPAK ka të përfshira edhe disa komunikime mes ministrit të Shëndetësisë së kohës, Ilir Beqja dhe ministrit të Financave të po asaj periudhe, Shkëlqim Cani, ku fillimisht ky i fundit refuzon të japë miratimin e koncesionit e më pas bie dakord, çka sipas prokurorisë ngre dyshime.
Në 10 tetor 2014, Beqaj i ka dërguar një letër Canit ku e njofton për nisjen e procedurës së koncesionit/ partneritetit publik privat të shërbimeve të integruara të ofrimit të setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale. Teksa i kërkon Canit miratimin e projektit, Beqja i ka bashkëngjitur edhe studimin e fizibilitetit dhe pasqyrat financiare.
Por sipas vendimit të gjykatës, si studimi i fizibilitetit ashtu edhe pasqyrat financiare të dërguara nga Ministria e Shëndetësisë janë të pafirmosura nga anëtarët e Komisionit. Dhjetë ditë më vonë, ministri Beqja i ka dërguar një tjetër letër kolegut të tij Shkëlqim Cani me disa informacione shtesë lidhur me koncesionin ku e kujton se projekti është brenda tavaneve buxhetore të kësaj ministrie dhe nuk kërkon fonde shtesë. Përgjigjja e ministrit të Financave, Shkëlqim Cani ka ardhur plot 40 ditë më vonë, në 27 nëntor 2014.
“Evidentojmë faktin se studimi i fizibilitetit është i pashoqëruar me argumentimin e Autoritetit Kontraktor për dhënien e koncesionit/ partneritetit publik privat i cili duhet të tregojë përmbushjen e kushteve të parashikuara në nenin 9 të VKM…”, thuhet ndër të tjera në letrën e Canit, çka do të detyronte ministrin Beqja të niste një tjetër letër shpjeguese në adresë të ministrit të Financave. 20 ditë më vonë, Beqja ka nisur informacione shtesë të Financat ku i bashkëngjit edhe pasqyrat financiare që siç thotë “janë rishikuar me imtësi nga grupi i punës për të reflektuar më mirë një balancë ndërmjet shpenzimeve dhe të ardhurave të parashikuara, bazuar në studimin e fizibilitetit”. Por sipas prokurorisë, një pjesë e madhe e informacionit shtesë që ka të bëjë me argumentimin për dhënien e koncesionit është i pafirmosur. Në 12 janar 2015, Shkëlqim Cani vlerëson se koncesioni është i favorshëm për shtetin dhe si i tillë duhet miratuar. Por pikëpyetjet e Prokurorisë janë të shumta pas kësaj përgjigje të Canit.
Pikëpyetjet e Prokurorisë:
“Nga ministria e Shëndetësisë është paraqitur i njëjti studim fizibiliteti i cili ishte refuzuar më parë për financim nga Ministria e Financave pasi nuk ka një argumentim të qartë në lidhje me analizën e zhvilluar për arritjen në konkluzionin që koncesioni/ PPP është procedurë ekonomikisht më e favorshme se prokurimi publik. Nuk rezulton që studimi i fizibilitetit të jetë ndryshuar dhe miratuar ndonjë ndryshim pas refuzimit nga Ministria e Financave. Ndodhur në këto kushte kur jemi përpara të njëjtit Studim Fizibiliteti bëhet se paqartë se çfarë bëri të ndryshonte mendim Ministrinë e Financave vetëm 1 muaj e 15 ditë më vonë duke e miratuar në parim propozimin për financim. Po ashtu mbetet e paqartë përgjigjja e Ministrisë së Financave lidhur me faktin se ajo e shikon dokumentacionin vetëm nga pikëpamja formale.
Nëse kjo e fundit e shikon atë vetëm nga pikëpamja formale a mund të konsiderohet formalisht në rregull një dokument i panënshkruar? Nëse e shikonte dokumentacionin nga pikëpamja formale dhe studimi i fizibilitetit ka qenë i njëjtë nga pikëpamja formale pse e refuzoi herën e parë”, thuhet në argumentet e Prokurorisë të zbardhura në vendimin e gjykatës.
Lini një Përgjigje