Janë zbardhur detaje të reja nga operacioni “Flakë në Det”, ku Policia goditi një grup kriminal në Patok që trafikonin lëndë narkotike nga Turqia në drejtim të vendit tonë dhe më pas nga aty kalimi në Itali dhe në vendet e tjera të Bashkimit Europian.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se nga Laguna e Patokut dyshohet të jetë nisur mbi 1 ton lëndë narkotike e llojit kanabis sativa.
Po ashtu në sallën e gjyqit për caktimin e masave të sigurimit për 6 të arrestuarit, prokurori i çëshjtes Vladimir Mara ka pretenduar se hashashi do të shkëmbehej më të njëjtën vlerë parash me heroinë dhe kokainë.
Hetuesit kanë dyshime se veliera e cila u dogj nga dy shtetasit ukrainas dhe u fundos në det, të jetë nisur nga Turqia, ka ndaluar në Greqi, Mal të Zi dhe më pas në ujërat neutrale mes Shqipërisë dhe Italisë do të bëhej shkëmbimi i drogës.
Katër shqiptarët e arrestuar dhe 2 ukrainasit nuk i kanë pranuar akuzat e Prokurorisë. Ata kanë mohuar që të kënë lidhje me trafikimin e lëndëve narkotike. SPAK do kërkojë informacion në Turqi, Greqi dhe Mal të Zi për velierën me emrin “Nilua” në mënyrë që të zbulojë edhe personat e tjerë që janë të përfshirë në këtë çështje. Gjatë operacionit, policia dhe SPAK sekuestruan dy pistoleta, fishekë, rreth 50 mijë Euro dhe 23 kg kanabis që u hodh në det nga të dyshuarit.
Detajet nga operacioni “Flakë në det”
Në operacion u përfshinë efektivë dhe mjete të Departamentit të Policisë Kriminale dhe të Departamentit të Kufirit dhe Migracionit, si dhe Reparti Special “RENEA”. Operacioni i zhvilluar nga Policia e Shtetit, është koordinuar dhe mbështetur nga Guardia di Finanza, Interforca italiane në Shqipëri dhe Frontex.
Mjeti u nis nga laguna e Patokut me drejtim jug-perëndimin dhe u afrua pranë një tjetër mjeti lundrues tip veliere dhe më pas shtetasit që ishin në këto mjete lundruese, kanë shkëmbyer lëndë narkotike.
Në operacion u përfshinë avionët e Frontex-it dhe të GDF-së, ndërsa nga deti u përfshinë mjetet e Policisë Kufitare dhe mjetet e GDF-së, të cilat kanë bërë rrethimin e veleries. Në të njëjtën kohë me ndërhyrjen nga deti, efektivët e Repartit Special “RENEA” kanë ndërhyrë nga toka, në ambientet e një restoranti në lagunën e Patokut, ku po qëndronin disa shtetas që dyshohet se kishin lidhje me tentativën për të trafikuar lëndë narkotike.
Gjithashtu, në vijim të ketij operacioni policor, u shoqëruan në ambientet e DVP Tiranë, 2 shtetasit ukrainas të cilët u kapën në afërsi të velieres.
Në vijim të veprimeve, në bashkëpunim me SPAK-un, u bë arrestimi për veprat penale ‘Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizatat kriminale” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe e municioneve luftarake”, shtetasit:
Arlind Ismailukaj, 47 vjeç, banues në Tiranë;
Armando Mema, 37 vjeç, banues në Tiranë;
Nerim Çela, 40 vjeç, banues në Fushë Kuqe, Laç;
Besnik Brokeri, 51 vjeç, banues në Vlorë;
Kyrylo Ponomarenko, 39 vjeç, banues në Ukrainë;
Kostiantyn Biellon, 44 vjeç, banues në Ukrainë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 2 armë zjarri pistoleta, të markave “Glock” dhe “Zastava”; 200 fishekë pistolete model 54; një automjet tip “Audi”; 4 aparate DVR për ruajtjen e pamjeve filmike; 45 000 euro, 250 000 lekë, 500 paund, 50 franga, 2 000 lira, 25 celularë; sasia 23 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, e gjetur në afërsi të velierës së djegur; 1 mjet lundrues tip gomone, bashkë me GPS-in.
Ndërsa mjeti lundrues veliere është zhytur në thellësinë rreth 150 metra, në detin Adriatik.
Lini një Përgjigje