
Artan Lleshi, një shok klase në Fakultetin e Mjekësisë i Ilir Rrapajt, pronarit kryesor me 40 për qind të koncesionit të sterilizimit dhe shok shkolle me ish-zv/ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepajt, rezulton se brenda një kohe të shkurtër të ketë arkëtuar një shumë financiare astronomike nga kompania koncesionare “Sani Service”.
“Ora News” ka mësuar se Artan Lleshi brenda një viti ka fituar 1 miliard e 169 milionë lekë nga kompania koncesionare, ku ai ishte emëruar drejtor, pikërisht nga shoku i tij i klasës, Ilir Rrapaj.
Sipas dokumentave, veç rrogës mujore prej 4 milion e 564 mijë lekë të vjetra si Drejtor i Shërbimit Tregtar në këtë koncesion, Artan Lleshi, ka mundur të përfitojë mbi 1.1 miliard lekë dhe përmes kompanisë “Gama Service”.
Kjo është një kompani e hapur rishtazi në muajin shkurt 2020 me aksioner të vetëm, Artan Lleshin, ku objekti i saj tregtar është: “…konsulencë dhe shërbime për strukturat spitalore si dhe furnizime pajisjesh dhe produktesh mjekësore. Transport mbetjesh të rrezikshme spitalore… etj.
Kompania ka një kapital prej 10 mijë lekë të vjetra, por çuditërisht ka regjistruar fitime të menjëhershme.
Dy muaj pas regjistrimit në QKR, “Gama Service” e Drejtorit të Shërbimit Tregtar në “Sani Service”, futet në marrëdhënie tregtare, duke lëvruar transaksione nga koncesioni i sterilizimit.
Sipas dosjes së SPAK, nga muaji Prill 2020 dhe deri në Dhjetor 2021, “Gama Service” ka fituar shumën prej 1 miliard e 169 lekë.
E gjitha kjo vlerë financiare është marrë nga transaksionet që kjo kompani ka kryer nga koncesionari “Sani Service”, ku Lleshi është Drejtor.
Paratë merreshin nga buxheti i shtetit përmes kompanisë “Sani Service” dhe më tej shpërndaheshin tek kompani të tjera të hapura rishtazi nga shokë e miq të Ilir Rrapaj dhe Klodian Rrjepaj, duke u maskuar me fatura shërbimesh.
Një skemë e tillë është përdorur dhe tek koncesionet e inceneratorëve të Elbasanit, Tiranës dhe Fierit. Skema të tilla janë në gjendje t’i konkretizojnë vetëm një grusht njerëzish që njihen prej vitesh mes njëri-tjetrin.
Sipas dosjes së SPAK, rezulton që Rjepaj dhe Ilir Rrapaj të jenë miq, që nga koha e studimeve universitare. Miqësia e tyre nga periudha e shkollës është vërtetuar dhe me Artan Lleshin, Drejtorin e Kompanisë Koncesionare “Sani Service”.
Me një ministër si Iir Beqaj që kishte miqësi me Ilir Rrapaj, një zv/ministër si Klodian Rrjepaj që kishte shoqëri me Rrapaj, dhe Artan Lleshin që e njihnin nga koha e studimeve universitare, del qartë se koncesioni i sterilizimit të paisjeve kirurgjikale, ka shërbyer si një biznes shokësh të vjetër, ku qëllimi kryesor ka qenë përfitimi financiar.
Lini një Përgjigje