
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme ditën e sotme në kuadër të masës së sigurisë të vendosur ndaj tij, asaj të detyrimit me paraqitje pranë një oficeri të BKH-së.
Mjeku Erion Dasho tha se Beqaj është mbrojtur nga qeveria deri tani dhe sipas tij, u desh një presion i madh i opozitës dhe shoqërisë civile që të arrihej deri këtu. Mjeku thekson se ‘çdo gjë që ka prekur Rilindja me dorë është ndotur’.
Dasho tha se qeveria e përdori sistemin për pasurimin e oligarkëve të lidhur me të dhe eksponentëve të saj.
“Në radhë të parë mua më vjen mirë që objekti SPAK po fokusohet te ai që është strumbullari i gjithë problemit, ish ministri Beqja.
Pra deri tani kemi parë të arrestuar zëvendës ministrin ose drejtuesin teknik të koncesionit dhe disa masa të ndryshme sigurie.
Për zotin Beqaj u desh një presion shumë i madh i opozitës dhe i shoqërisë civile që më në fund të merrte një masë detyrim paraqitje dhe ndalim për dalje jashtë vendit.
Mesazhi që unë marr nga gjithë kjo histori është se tashmë po duket fare qartë se çdo gjë që ka prekur Rilindja me dorë është ndotur.
Rilindja erdhi dhe gjeti një sistem shëndetësor që mbase nuk ishte sistemi më i mirë në botë, por një sistem që funksiononte dhe ofronte kujdes.
Rilindja, këtë sistem në radhë të parë e zhbëri dhe në radhë të dytë e përdori për pasurimin e eksponentëve të saj, për pasurimin e oligarkëve të lidhur me të, në mënyrën më të paturpshme të mundshme.
Koncensioni ndodhet nën hetim prej shumë vitesh dhe prej disa muajsh drejtuesi i koncensionit ndodhet në arrest me burg.
Kanë dalë të gjithë ato elementët abuzues në këtë koncension”, tha Erion Dasho për “Syri Tv”.
Lini një Përgjigje