Pas kaosit në Kuvend dhe sulmeve ndaj anëtarëve të SPAK dhe GJKKO, qeveria ka marrë një vendim për të rritur numrin e ushtarëve të Gardës….
Teksa tensionet në Kuvend janë rritur dhe po ashtu kërcënimet ndaj personaliteteve të drejtësisë janë shtuar, qeveria ka vendosur të rrisë numrin e gardistëve në vend. Dje janë marrë 3 vendime nga Këshilli i Ministrave, duke detajuar veprimet e Gardës sa i takon ruajtjes së personaliteteve.
Së pari, qeveria ka rritur numrin e ushtarëve në Gardë, duke e çuar atë në 1 505 persona. Po ashtu qeveria ka ndryshuar vendimin sa i takon ruajtjes së anëtarëve të SPAK, Gjykatës së Posaçme dhe Byrosë së hetimit.
“Mbrojtja personale mund të ofrohet edhe në bazë të kërkesës së thjeshtë të paraqitur, sipas rastit, nga kryetari i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Kryetari i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ose Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme”, thuhet në vendim.
Sipas vendimit, mbrojtja personale e gjyqtarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme garantohet me shoqërim me një truprojë të nivelit të mesëm.
“Masat shtesë për mbrojtjen e veçantë personale të familjes dhe pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve të Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Prokurorisë së Posaçme në rast të rrezikut për jetën, shëndetin e tij/saj ose familjes dhe pasurisë përcaktohen dhe jepen sipas rregullave të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për mbrojtjen e veçantë të magjistratit”, thuhet më tej.
Po ashtu qeveria ka shtuar numrin e personaliteteve që mund të ruhen nga Garda. Sipas vendimit, do të kenë shoqërues përfaqësues të: Agjencisë Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike.
Ndryshimet vijnë në një kohë kur opozita po tenton kaos në Kuvend dhe numri i gardistëve të angazhuar ka qenë i madh. Po ashtu personalitet e SPAK dhe GJKKO kanë qenë nën sulm politik dhe nga bota e krimit, duke bërë që ata dhe familjarët e tyre të shoqërohen nga Garda. /Pamfleti
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.478, DATË 10.7.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PROCEDURËN E SIGURISË SË GJYQTARËVE TË GJYKATAVE KUNDËR KORRUPSIONIT DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR, TË PROKURORËVE TË PROKURORISË SË POSAÇME DHE DREJTORIT TË BYROSË KOMBËTARE TË HETIMIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 47, të ligjit nr.95/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.478, datë 10.7.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurën e sigurisë së gjyqtarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Pas fjalisë së parë, të pikës 2, shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Mbrojtja personale mund të ofrohet edhe në bazë të kërkesës së thjeshtë të paraqitur, sipas rastit, nga kryetari i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Kryetari i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ose Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme.”.
2. Në pikën 3 bëhen shtesa dhe ndryshimi i mëposhtëm:
a) Togfjalëshi “oficer nënoficer” zëvendësohet me fjalët “… truprojë të nivelit bazë dhe truprojë të nivelit të mesëm …”.
b) Në fund të pikës shtohen fjalët “… gjatë kohëzgjatjes së mandatit dhe për një afat jo më shumë se 2 vjet pas përfundimit të tij.”.
3. Pas pikës 3 shtohen pika 3/1 dhe 3/2, me këtë përmbajtje:
“3/1. Mbrojtja personale e gjyqtarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme garantohet me shoqërim me një truprojë të nivelit të mesëm.
3/2. Në raste të veçanta dhe me kërkesë të tyre, subjekteve të parashikuara në pikën 3, gjatë vizitave zyrtare jashtë vendit u garantohet shoqërimi me truprojë të nivelit të mesëm.”.
4. Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Masat shtesë për mbrojtjen e veçantë personale të familjes dhe pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve të Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Prokurorisë së Posaçme në rast të rrezikut për jetën, shëndetin e tij/saj ose familjes dhe pasurisë përcaktohen dhe jepen sipas rregullave të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për mbrojtjen e veçantë të magjistratit.”.
5. Në pikën 8, pas fjalëve “… një përfaqësues i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit …” shtohen “… një përfaqësues nga Garda e Republikës së Shqipërisë …”.
6. Pika 12 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“12. Truprojat e gjyqtarëve, prokurorëve, familjeve dhe banesave të tyre caktohen dhe zëvendësohen vetëm pasi të jetë marrë, paraprakisht, miratimi i kryetarit të Gjykatës, drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme apo drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.”.
II. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme, kryetarët e gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit, Garda e Republikës së Shqipërisë dhe Policia e Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Me vendim të qeverisë tashmë organika e plotë e gardës shtohet me 70, duke shkuar në 1.505 gardistë, pikërisht për mbrojtjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve të posaçëm. Për të shkuar tek ky numër, disa ditë më parë Garda e Republikës ka hapur edhe garën ku të interesuarit mund të aplikojnë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Lini një Përgjigje