
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme këtë të premte në kuadër të masës së sigurisë të vendosur ndaj tij. Pas daljes nga SPAK, ai ka folur për mediat lidhur me kontrollet e ushtruara nga BKH-ja ditën e djeshme në shtëpinë e tij.
Beqaj pranoi se kontrolli ka ndodhur në banesën e tij, teksa konfirmoi se agjentët e BKH-së sekuestruan disa mejte pune që ndodheshin në shtëpi.
Ai theksoi se nuk e kishte idenë përse kishte ndodhur kontrolli, por shtoi se hetimi po bëhet për një person tjetër. Sa i takon dyshimeve se ka favorizuar një kompani farmaceutike, ai tha se diçka e tillë nuk është e vërtetë.
“Deri tani nuk ka asnjë provë faji. Pa dyshim në sistemin e drejtësisë edhe unë jam i detyruar të pres vendimin e gjykatës. Së pari ministri nuk bën tendera. Në kohën kur kam qenë ministër, nuk kam pasur asnjë interes financiar me asnjë sipërmarrje farmaceutike në Shqipëri apo me pronarët e tyre. Unë prej vitesh përballem me këto çështje. U bë një kontroll në banesën time, nuk ishte nevoja të thërrisja avokatin sepse ato çfarë ka një familje normale si sende gjenden aty. Ata që erdhën dhe bënë kontrollin më treguan një vendim gjykate për hetimin ndaj një personi tjetër”, tha ai.
Kujtojmë se ditën e djeshme agjentët e BKH-së mësynë në banesën e Beqajt dhe në kompaninë farmaceutike, Delta Pharma. Kontrolli duket se ka lidhje me dyshimet se Beqja ka favorizuar kompaninë e ‘Delta Pharma’, duke ndryshuar kriteret e tenderave, duke lejuar futjen e barnave të paçertifikuara në vend gjatë kohës që ishte ministër i Shëndetësisë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje