TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet17 Shkurt 2024, 17:20

SPAK tha se i sekuestroi; pasuritë e Amant Josifit janë të lira dhe aktive

Shkruar nga Pamfleti
SPAK tha se i sekuestroi; pasuritë e Amant Josifit  janë të lira
Amant Josifi /

Krijohet dyshimi, nëse SPAK ia ka sekuestruar apo jo pasuritë, ose nuk e ka dërguar vendimin në institucione e banka, me qëllim që Amant Josifi dhe familjarët e tij, te kenë kohë t’i tjetërsojnë...

Më 10 shkurt 2024, SPAK njoftoi zyrtarisht, se përfundoi hetimin për grupin e strukturuar kriminal Call-Center, dhe për kreun e të këtij grupi, Amant Josifi, deklaroi se i janë sekuestruar 2.2 milionë Euro e 28 milionë lekë, bizneset, pasuritë dhe llogaritë bankare të tij e familjarëve.

Sipas dokumenteve të institucioneve e agjencive që zbatojnë urdhrin e SPAK dhe vendimin e Gjykatës së Posaçme të sekuestrimit të pasurive financiare, rezulton se njoftimi zyrtar i SPAK për masën e sekuestrimit të Amant Josifit, nuk është i vërtetë.

Në regjistrin e Qendrës Kombëtare të Biznesit, nuk është kryer asnjë veprim administrativ për bllokimin e bizneseve të shtetasit Amant Aleksandër Josifi, për llogari të drejtësisë.

Bizneset e tij “Call Center” e restorante, të quajtur “APA-LIAISON”, “Odyssey”, “Ever PLUS”, “MIZU”, “CAPITAL PARTNER” dhe “CTA GROUP” dhe 2 bar-kafe “Person fizik”, vazhdojnë aktivitetin për llogari të Amant Josifit, ndërsa në QKB nuk është pasqyruar vendimi i sekuestrove.

SPAK tha se i sekuestroi; pasuritë e Amant Josifit  janë të lira

As te faqja zyrtare e Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara në Ministrinë e Brendshme, nuk ka njoftim për sekuestrimin e bizneseve, pasurive të paluajtshme, pasurive të luajtshme dhe llogarive bankare të Amant Josifit e familjarëve të tij.

Në faqet zyrtare të QKB për 6 bizneset e Amant Josifit, nuk figuron që Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara, të ketë caktuar drejtorë administrimi për këto biznese, por nuk ka sekuestruar as 13 makinat e tij që përdor personalisht e për bizneset.

Në Ministrinë e Financave, nuk ka kaluar për konservim, vlera 2.2 milionë Euro dhe 28 milionë lekë, që SPAK thotë se i janë sekuestruar Amant Josifit, sepse as bankat nuk kanë nxjerrë urdhër bllokimi për llogaritë e tij.

As në Kadastrat Tiranë, Durrës, Vlorë, Sarandë e Korçë, nuk janë bllokuar 14 pasuritë e paluajtshme apartamente, vila, dyqane, objekte biznesi, troje, hotel dhe 4 sipërfaqe tokash, 2 nga të cilat janë vreshta në Tiranë e Sarandë.

Por nuk janë sekuestruar as kompanitë “Balkan Investment Group”, “New Standard”, “Fast-Food International” e “Construciton-21” të babait të tij Aleksandër Josifi dhe asnjë lloj pasurie tjetër e familjarëve Pranvera Strakosha, Egla Josifi e Anjeza Josifi.

Sipas Kodit të Procedurës Penale dhe funksionimit të SPAK e Gjykatës së Posaçme, çdo urdhër dhe vendim sekuestrimi, institucioneve e agjencive shtetërore dhe bankave, i dërgohen ditën që miratohen, në rastin konkret qysh në datën 2 shkurt 2024.

Dhe po atë ditë, Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara i merr në administrim, QKB pasqyron aktin e sekuestros në çdo biznes të personit të sekuestruar, ndërsa Kadastra, Drejtoria e Transportit dhe bankat, bëjnë bllokimin e menjëhershëm, duke mos lejuar veprime tjetërsimi.

Kjo masë sekuestrimi nuk është zbatuar akoma. Me të drejtë, lind dyshimi, nëse SPAK dhe Gjykata, ia kanë sekuestruar apo jo pasuritë dhe llogaritë e Amant Josifit e familjarëve të tij.

Ose, i kanë vendosur për sekuestrimin, dhe nuk i kanë dërguar vendimet në institucione e banka, me qëllim që Amant Josifi dhe familjarët e tij, t’i tjetërsojnë; siç SPAK veproi në dhjetor 2021, lejoi Klodian Zoton e Mirel Mërtirin, të tërhiqnin nga bankat 80 milionë Euro e të tjetërsonin pasuritë, pastaj dërguan vendimin e sekuestrimit për zbatim./Pamfleti

amant josifi spak sekuestro e pasurive

Lini një Përgjigje