
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka reaguar lidhur me aksionin e sotëm, si pasojë e të cilit u arrestua një person dhe dy të tjerë u shpallën në kërkim.
Balla ka sqaruar se hetimet kanë nisur që verën e kaluar pas arrestimit të një personi.
Sipas ministrit parandalimi i ngjarjeve kriminale është detyrë parësore e Policisë së Shtetit.
Ndër të tjera ai vlerëson edhe bashkëpunimin e policisë me SPAK si të shkëlqyer.
“Parandalimi i ngjarjeve kriminale është detyrë parësore e Policisë së Shtetit. Arrestimi i një personi në verën e vitit të kaluar në Vlorë, ndërsa përgatitej të kryente një krim të rëndë kundër personit, nga Policia e Shtetit dhe hetimi shumë profesional disa mujor nën drejtimin e një prej prokurorëve të SPAK, ka çuar në identifikimin dhe vendosjen nën akuzë të tre anëtarëve të një grupi të strukturuar kriminal. Ky operacion dhe kjo formë efikase bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe SPAK janë një shembull i shkëlqyer për tu shkuar deri në fund zbardhjes së shumë ngjarjeve kriminale. Gjithashtu përgëzime Policisë së Shtetit në Tropojë, Fier, Tiranë, Durrës, Vlorë, Elbasan, Gjirokastër, Dibër, Shkodër dhe Muriqan, Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe Drejtorisë për Krimet e Rënda në DPPSH. Gjatë 24 orëve të fundit janë sekuestruar një arsenal armësh zjarri, municion luftarak, uniforma ushtarake, lëndë narkotike dhe sende të tjera të kundërligjshme”, shkruan Balla në reagimin e tij.
Lini një Përgjigje