E vetmja lidhje që ka me ish-Piramidën, Fondi Shqiptaro-Amerikan në pronësi të ndërtuesit Aleksandër Sarapuli, mik dhe ortak i Edi Ramës, është fakti që ky do administrojë për 30 vite, mjediset e saj që janë dhënë e do jepen me qira...
Kuptohet pse kryeministri Edi Rama, e priti Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, me një “çarçaf” lajkash në rrjetet sociale dhe mediat e tij, por dhe me portrete gjigande në qendër të Tiranës e përunje gjatë takimeve.
Ndërsa kryebashkiaku Erjon Veliaj, i shoqëruar me grup fotografësh e kameramanësh të pozicionuar në distancë para e pas tij, i doli në mes të rrugës sekretarit Blinken, duke i thënë se ndryshimi i Piramidës dhe Tiranës, janë ide e përkushtim i tij.
Por Edi Rama dhe Erjon Veliaj; përveçse e mashtruan Sekretarin Antony Blinken, guxuan që me perversitetin që e kanë standard sjelljesh publike; të bënin dhe zyrtarin nr. 2 të SHBA, të përsëriste mashtrimin e tyre në lidhje me ri-ndërtimin e ish-Piramidës.
Kryeministri Edi Rama dhe krye bashkiaku Erjon Veliaj, për të treguar lidhjet Amerikane, i deklaruan sekretarit Blinken, se ish-Piramida u ri-ndërtua me financimet e Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, me pronar ndërtuesin Aleksandër Sarapuli, mik e ortak i Edi Ramës.
Gënjeshtrën e tyre, në mirëbesim e përsëriti sekretari Blinken, në takimin me 100 të rinjtë te ish-Piramida dhe në takimin me Edi Ramën, duke theksuar si ndryshimi i ish-muzeut të ish-diktatorit, është një nga treguesit e bashkëpunimit ekonomik e kulturor SHBA-Shqipëri.
Por me paturpësi, ata e mashtruan sekretarin Blinken, sepse ish-Piramida nuk u ri-ndërtua me financimin e Fondit Shqiptaro-Amerikan, por me fondet e Bashkisë së Tiranës dhe me fond të veçantë nga qeveria, shqiptare nëpërmjet Ministrisë së Kulturës.
Si provë zyrtare të këtij mashtrimi që iu bë sekretarit Blinken, “Pamfleti” po publikon dokumentet e 2 tenderëve që ka bërë Bashkia, me objekt: “Ri-jetëziimi i Piramidës së Tiranës”.
Tenderin e parë, Erjon Veliaj e shpalli më 3 gusht 2020 dhe e bëri më 2 shtator 2020, me vlerë kontrate 14 miliardë e 630 milionë lekë të vjetra me TVSH, dhënë kompanisë “Edil-AL-IT Sh.p.k.” të Artan Dulakut dhe kompanisë “Fusha Sh.p.k”.

Tenderin i dytë e shpalli më 29 gusht 2022 dhe e bëri më 5 tetor 2022, me vlerë kontrate 2 miliardë e 723 milion lekë të vjetra me TVSH; si shtesë të kontratës së parë, sikur gjoja kishin dalë punime të pa parashikuara, ndërsa qeveria shtoi edhe 4 milionë Euro, për zbatimin e disa ideve që kishte hedhur Babloku.

Në total, Bashkia e Tiranës dhe Qeveria Shqiptare, për ri-jetëzimin e ish-Piramidës financuan 21 milionë Euro, të konfirmuara nga Ministria e Financave.
Ndërsa në letra, është shënuar sikur Fondit Shqiptaro-Amerikan ka financuar në rindërtimin e saj, nëpërmjet marrëveshjes Nr. 638/237, datë 2 korrik 2020; por kjo marrëveshje mbahet sekret dhe nuk publikohet në dosjet e tenderëve, madje as Bashkia që ka bërë tenderët, nuk e deklaron çfarë vlere ka financuar ky fondacion.
E vetmja lidhje që ka me ish-Piramidën, Fondi Shqiptaro-Amerikan në pronësi të ndërtuesit Aleksandër Sarapuli, mik dhe ortak i Edi Ramës, është fakti që ky do administrojë për 30 vite mjediset e saj që janë dhënë e do jepen me qira.
Ndërsa i vetmi simbol turpi që mbetet, është mashtrimi që kryeministri Edi Rama dhe krye bashkiaku Erjon Veliaj, i bënë Sekretarit të Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, lidhur me financimin e ish-Piramidës./Pamfleti
Lini një Përgjigje